Kërcënime ndaj policëve e kërcënime të tifozëve me ushtri, vjen thirrja urgjente për ndërkombëtarët

Politika

Kërcënime ndaj policëve e kërcënime të tifozëve me ushtri, vjen thirrja urgjente për ndërkombëtarët

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 29 korrik 2023 Në ora: 08:06
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Serbia nuk po i ndalë kërcënimet ndaj Kosovës edhe pas përpjekjeve të Kosovës për shtensionimin të situatës në veri dhe marrëveshjes së pajtuar për normalizim të marrëdhënieve.

Këtë javë në veri të Kosovës kanë filluar punën rreth 50 polic të rinj serbë të Kosovës dhe ndaj tyre u bë një fushatë kërcënuese dhe denigruese.

Në kanalet e platformës Telegram, nisi të qarkullojë një postim me fotografi të serbëve që iu bashkuan Policisë së Kosovës. Në këtë postim u publikuan emrat, për të cilët pretendohet se janë policë të rinj nga radhët e komunitetit serb, të cilët u thirrën edhe me emra pezhorativë dhe u kërcënuan në forma të ndryshme.

Ndaj këtyre kërcënimeve kanë reaguar krerët e lartë të shtetit, por edhe ambasadorët e vendit. Por, ende pa u bërë një javë, kërcënimet kanë vazhduar, por tani nga tifozët serbë të Crvena Zvezda, që gjatë një ndeshjeje miqësore ndaj klubit Italian Fiorentina, kanë vendosur një mbishkrim skandaloz “kur të kthehet ushtria në Kosovë”.

Kjo ka bërë të reagojë përsëri kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili është kthyer në histori të viteve të 90’ta, ku tifozët e Crvena Zvezda ishin revoltuar kundër Kroacisë.

Kurti thotë se pas atij revoltimi kishte nisur luftërat ballkanike, pra një mesazh që tifozët ulra-nacionalistë e kishin nisur.

Ai madje ka thënë se thirrjet për dhunë janë të pandërprera.

“Në vitin 1990, tifozët e klubit serb të futbollit Crvena Zvezda, të udhëhequr nga mafiozi serb i paditur nga ICTY, Arkan, u revoltuan kundër Kroacisë. Për disa, kjo ishte një shkëndijë e luftërave që pasuan. Dje Crvena Zvezda bëri thirrje që ushtria serbe të kthehet në Kosovë. Thirrjet për dhunë janë të pandërprera”, ka shkruar Kurti në Twitter.

E faktorit ndërkombëtar, nuk ka shprehur ndonjë reagim për këtë, apo edhe ndonjë sanksionim.

Analistët politikë bëjnë thirrje që ndërkombëtarët të reagojnë, gjersa shtojnë se ata nuk e ndëshkojnë atë deri kur eskalon fjalori i saj.

“Serbia pengon integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës”

Nexhat Haziri, analist politik thotë se manifestimet shoveniste bëhen me mbështetjen e qeverisë dhe qarqeve politike në Beograd.

“Nuk është dicka e panjohur këto manifestime nacionaliste dhe shoveniste nëpër stadiumet e sporteve në Serbi, që kanë mesazhe të nxitjes së krimeve dhe urrejtjeve ndaj shqiptarëve dhe popujve të tjerë jo serbë. Dhe natyrisht këto manifestime shoveniste bëhen edhe me suportimin që vjen nga qeveria dhe qarqet politike në Beograd, dhe kjo nuk duhet të kalojë pa dënime nga institucionet ndërkombëtare të sportit. Por kjo që po bëhet me policët serbë kosovarë, duke i frikësuar dhe shantazhuar familjet e tyre, është një fushatë e drejtuar nga qeveria e Serbisë në Beograd, dhe kjo është shumë serioze nëse në një atmosferë të tillë ku Serbia pengon integrimin e serbëve kosovarë në institucionet e Kosovës, ku thërret për dhunë ndaj tyre dhe familjeve të tyre, vë në pikëpyetje vazhdimin e dialogut për normalizim të raporteve me Kosovën”, shprehet Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Tutje, përveç që vihet në pikëpyetje vazhdimi i dialogut për normalizim të raporteve, sipas Hazirit, tregon edhe mosinteresimin e Serbisë për deeskalim të situatës në Kosovë.

Sipas tij, Borrell e Lajçak nuk duhet të sillen sikur nuk po ndodhë asgjë.

“Kjo tregon mosinteresimin e Serbisë për deeskalim të situatës në Kosovë, por që ky eskalim të thellohet edhe më shumë, dhe kjo duhet të marrë një përgjigje të fortë nga Brukseli si ndërmjetësues i dialogut Kosovë -Serbi. Borell e Lajcak nuk mund të sillen sikur nuk po ndodhë asgjë, dhe presionin e vetëm ta drejtojnë vetëm kah Kosova, e në raport me Serbinë dhe veprimet e saja destruktive ta luajnë të shurdhtin e qorrin”, thekson Haziri.

Ndaj thirrjeve nacionaliste të tifozëve serbë të futbollit ka reaguar eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, i cili në një postim në Tëitter ka etiketuar shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi dhe ndërmjetësin e BE-së për dialogun Miroslav Lajçak dhe i pyet nëse janë në dijeni se çfarë po ndodh.

“Ju ende dëshironi të sanksiononi? Kosovën? Josep Borrell, Oliver Varhelyi, MiroslavLajcak a e shihni se çfarë po ndodh? Le të qetësohemi. Le të kontribuojmë në uljen e tensionit, pajtimin, paqen. Të gjithë. Të gjithë ne. BE, Kosovë…”, shkruan Mandl.

“Serbia nuk mund të ndryshojë”

Ndërsa, sipas analistit Blerim Burjani, bashkësia ndërkombëtare ka ndryshuar qëndrim ndaj Serbisë.

Ai thotë se miqtë kanë dëshirë ta ndryshojnë Serbinë dhe Kosovës i ndihmon ai, por po shihet si ëndërr.

“Bashkësia ndërkombëtare qe një kohë ka ndryshuar qëndrim ndaj Serbisë, ka dashtë të harrojë se kush është Serbia dhe çfarë paraqet ajo në regjion, e që deri tash por edhe gjithmonë ka qenë faktor dhune dhe shtet ekspanzionist, shtet që lufton për të marrë territore të huaja ose për të bërë aleanca ndikimi në regjion. Kjo është injoruar gati qe dy vjet duke pazare e përpjekje për ta kthyer Serbinë në aleancën perëndimore, pra përkundër thirrjeve të shumta nga Kosova dhe analistëve dhe ekspertëve amerikanë, përsëri kanë vazhduar të mendojnë se Serbia mund të dalë në aleancën e tyre e që për ta dhe regjionin do ta paraqiste fitore historike, por jo, tash Serbia nuk i lë të lirë serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje, nuk pranon asociacion komunash me kompetenca jo shtetërore, kjo i bie fund i kësaj politike, të atyre që kanë menduar se Serbia do të jetë një lloj aleati, ne e dimë shumë mirë çka do Serbia? Miqtë kanë dashtë të ndryshojnë Serbinë edhe neve na ndihmon shumë ndryshimi i kursit pro të Serbisë, por po shihet se kjo është ëndërr para se të perëndojë dielli, që dihet pason terri”, nënvizon Burjani.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, nuk do të ketë masa ndaj Serbisë deri në teprim të plotë e deri në eskalim të fjalorit.

“Politika perëndimore ndaj Serbisë është pozitive, e menduar mirë, por fatkeqësisht Serbia nuk mund të ndryshojë, ajo luan rolin neutral me perëndimin por bashkëpunon me Rusinë, Kinën edhe vendet si Kuba, pra mirë po e provojnë edhe ata dhe po shohin se çka bën Serbia? Kjo mbetet njëjtë, masa nuk do të marrin kundër Serbisë, deri në teprim të plotë dhe deri sa të eskalojë fjalorin, ai fjalor bosh duke kërcënuar paqen në rajon tërë kohën e bën me iniciativa të fshehta politike ruse, këtë duhet ta zbulojë perëndimi. Tash se çfarë do të ndodhë e fundit me Serbinë është sanksionimi i saj për shkak mos vendosjes sanksione Rusisë, por ka shumë kohe ende që perëndimi ta marrë masa, nda saj masa kundër Serbisë përderisa politika perëndimore punon për ta fute në aleancë të saj Serbinë”, përfundon Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat