Këshilltarja e BE-së flet për “Bota sot” dhe ndez alarmin: Vuçiq po dëshiron luftë në Kosovë, ja si mund ta ndalin SHBA dhe BE

Politika

Këshilltarja e BE-së flet për “Bota sot” dhe ndez alarmin: Vuçiq po dëshiron luftë në Kosovë, ja si mund ta ndalin SHBA dhe BE

Nga: A.Zh Më: 30 korrik 2023 Në ora: 10:01
Kati Schneerberger

Këshilltarja e Bashkimit Evropian, Kati Schneerberger, ka thënë se Kosova nuk do të lejojë të përfshihet në një tjetër përshkallëzim të situatës me Serbinë, në veri të vendit.

Duke komentuar paralajmërimin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, se mund të ketë sërish eskalim të situatës në veri, Schneerberger ka thënë se edhe në biseda me serbët, ka parë se ata nuk janë të interesuar për trazira dhe luftë.

“Jam optimiste se populli i Kosovës nuk do ta lejojë veten të përfshihet në një përshkallëzim të situatës. Këtu nuk kam parasysh vetëm shqiptarët, por edhe shumicën e popullsisë vendase serbe dhe pakicat tjera. Në bisedat me ta, vërej se nuk kanë interes për trazira apo edhe për luftë. Dominon interesi për një bashkëjetesë të qetë paqësore”, ka deklaruar ajo në një bisedë për gazetën “Bota sot”.

Megjithatë, Schneerberger, ka kërkuar që të merren seriozisht provokimet e vazhdueshme nga Beogradi, si sulmet ndaj policëve të rinj në veri, apo provokimi me tifozët serbë.

“Ajo që duhet marrë shumë seriozisht janë provokimet e vazhdueshme nga “Beogradi”. Nga këtu, çdo hap drejt afrimit dhe bashkëpunimit të mirë prishet masivisht. Mendoni vetëm për sulmet ndaj pjesëtarëve të rinj të policisë kosovare apo provokimin në ndeshjen Crvena Zvezda kundër Fiorentinës me ilustrimin e një flamuri serb, një tank dhe mesazhin: “Kur të kthehet ushtria në Kosovë””, ka pohuar këshilltarja e BE-së.

Sipas saj, udhëheqësit serbë po tentojnë të hapin një front të dytë lufte në Ballkan.

“Udhëheqja pro-ruse e Serbisë - mbani mend dëbimet e fundit të kundërshtarëve rusë të luftës për të folur kundër Putinit dhe luftës - po përpiqet të hapë një front të dytë në Ballkan dhe po e përshkallëzon situatën me shumë qëllim”, ka potencuar ajo për “Bota sot”.

E pyetur nga gazeta për mundësinë e de-eskalimit të situatës, ajo ka përmendur masat ndëshkuese ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

“Vetëm fjalët e qarta dhe nëse është e nevojshme masa ndaj Vuçiqit nga SHBA-ja dhe BE-ja, mund të kontribuojnë në deeskalimin e situatës, pasi nuk pritet që Vuçiq të depërshkallëzojë vetë situatën”, ka pohuar Kati Schneerberger.

Ajo ka përmendur edhe një mundësi tjetër, të trajtimit të situatës, nëse Serbia nuk i ndalë provokimet në Kosovë.

“Nëse duhet të ndalen provokimet e vazhdueshme dhe të parandalohet përshkallëzimi i situatës, atëherë duhet një mënyrë tjetër e trajtimit të situatës në tërësi. Në vend që të sanksionojnë Kosovën dhe të qetësojnë Vuçiqin, SHBA-ja dhe BE-ja më në fund duhet të zgjohen, të vlerësojnë saktë situatën dhe të vendosin pasojat e duhura. Kjo do të thotë t'i tregosh qartë Vuçiqit kufizimet e tij dhe të mbështesësh Kosovën në mënyrë aktive në luftën kundër korrupsionit dhe krimit dhe në forcimin e bashkëjetesës paqësore, multietnike.

SHBA-ja dhe BE-ja më në fund duhet të kuptojnë se çfarë është në rrezik këtu dhe çfarë rrezikojmë nëse nuk bëjmë asgjë ose bëjmë gjënë e gabuar”, ka shtuar Schneerberger për “Bota sot”.

Në një konferencë për media të mërkurën, pas mbledhjes së kabinetit qeveritar, kryeministri Kurti është shprehur i brengosur më shumë për potencialin e rieskalimit sesa de-eskalimin në veri të Kosovës.

“Ajo çfarë na brengosë neve tash, më shumë sesa de-eskalimi, është potenciali i rieskalimit. Veçse rieskalimi nuk varet prej neve. Ju e keni garant Qeverinë e Republikës së Kosovës, organet tona shtetërore, mua si kryeministër që me asgjë, ama bash asgjë, asnjëherë, askund nuk kontribuojmë për eskalim”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Qeveria e Kosovës, si masë për zbutjen e tensioneve, ka vendosur reduktimin e 25 % të pranisë policore në objektet komunale në veri dhe në hapësirat përreth./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat