Nga mos-distancimi prej krimit e korrupsionit deri te heshtja përballë Qeverisë Kurti/ Analistët: Opozita nuk paraqet alternativë

Politika

Nga mos-distancimi prej krimit e korrupsionit deri te heshtja përballë Qeverisë Kurti/ Analistët: Opozita nuk paraqet alternativë

Më: 14 gusht 2023 Në ora: 17:32
Ramush Haradinaj, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku

Opozita dhe liderët e partive opozitare në Kosovë, po kritikohen shumë për “heshtjen” karshi Qeverisë Kurti.

Ani pse partitë politike në vend vazhdimisht kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare, analistët thonë se opozita ka zgjedhur një tjetër mënyrë të opozitë-bërjes, duke qenë e heshtur.

Burjani: Imazh i opozitës në opinion, shumë i dobët

Image
Blerim Burjani

Analisti politik, Blerim Burjani, vlerëson se imazhi i opozitës në vend është shumë i dobët.

Sipas tij, asnjëra nga to nuk ka denoncuar të korruptuarit nëpër pozita jomeritore.

Derisa konsideron se, vetëm LDK deri diku është ruajtur nga gjërat e shëmtuara dhe vetëm kjo parti mund të paraqesë alternativë.

“Opozita ishte ndëshkuar në mënyrë katastrofale nga elektorati, shkaqet dihet, korrupsioni, punësimi pa bazë dhe meritë, vjedhja e parasë publike, dërgimi i familjarëve dhe ortakërive në cilësinë e ambasadorit, profesor të shumë partive nëpër Universitete publike. Pra, imazhi i tyre publik është shumë i dobët. Nuk kanë bërë asgjë që të reformohen këto parti si AAK E PDK”, shprehet Burjani.

Sipas tij, opozita nuk është distancuar asnjëherë nga të korruptuarit, derisa vetëm LDK është ruajtur nga gjërat e shëmtuara.

“Asnjëherë nuk kanë denoncuar të korruptuarit nëpër pozita jomeritore. Përmirësimi është i vështirë prej opozitës, vetëm LDK deri diku është ruajtur nga gjërat e shëmtuara dhe vetëm kjo parti deri diku mund të paraqesë alternativë, edhe pse ky subjekt nuk është reformuar fare, kanë mbetur disa fytyra të njëjta nga koha e Isa Mustafës, të cilave as mendja nuk iu shkon të zëvendësohen”, deklaron ai për “Bota sot”.

Sadiku: Opozita ka zgjedhur heshtjen

Nga ana tjetër, analisti politik, Arbnor Sadiku, deklaron se opozita në vend ka mundur të jetë më aktive. Por, sipas tij, kjo e fundit ka zgjedhur heshtjen.

Image
Arbnor Sadiku

Sadiku tutje thekson se, në të ardhmen pret që opozita të jetë më aktive.

“Opozita në Kosovë shikuar numrat në Parlament nuk ka mundur të rrezikojë këtë pjesë Kurtin dhe Qeverinë e tij. Por, ndoshta ka mundur të jetë më aktive me pyetje, interpelanca, aksione në parlamentin e Kosovës, si dhe aksione parlamentare. Por, si duket opozita ka zgjedhur një tjetër mënyrë të opozitë-bërjes duke qenë e heshtur dhe duke lënë Qeverinë vetvetiu të bëj gabime dhe më pas të gjykohet nga mediat, shoqëria civile dhe analiza politike në përgjithësi. Pra, në të ardhmen pres nga opozita të jetë më aktive përveç se në Parlament të dal edhe në rrugë lidhur me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lirinë e mendimit dhe shprehjes si dhe për temat e tjera të keqqeverisjes nga Kurti dhe qeveria e tij”, deklaron ai.

Ndryshe, partitë opozitare në Kosovë po kërkojnë zgjedhje të reja.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e para dy viteve mori mbi 50% të votave, ndërkohë që të gjitha partitë politike në opozitë aktualisht nuk kanë numër të mjaftueshëm të deputetëve për të bërë ndryshime në qeverisjen aktuale.

Kujtojmë, se paraditen e 13 korrikut, gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës kishte përleshje fizike mes deputetëve dhe anëtarëve të Qeverisë, teksa opozita po kritikon pushtetin për shkak të publikimeve të disa përgjimeve ku është përfshirë deputetja Mimoza Kusari-Lila.

Fillimisht kryeministri, Albin Kurti u sulmua me ujë nga deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku, ndërkohë që zëvendës kryeministri Besnik Bislimi e gjuajti më pas Lushtakun me një shishe. Pas kësaj deputetët e PDK-së dhe minsitrat u përfshinë në rrahje masive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat