Kthimi i seancave - Prioritetet e deputetëve/ Çfarë e pret Kosovën gjatë sesionit vjeshtor?

Politika

Kthimi i seancave - Prioritetet e deputetëve/ Çfarë e pret Kosovën gjatë sesionit vjeshtor?

Nga: Qëndresë Rexhaj Më: 30 gusht 2023 Në ora: 07:57
Kuvendi i Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do t’i kthehen punës të hënën e dytë të muajit shtator.

Pas pushimit mbi një muaj, do të fillojnë sesionin vjeshtor të legjislativit më 11 shtator.

Të njëjtit pritet të kenë një agjendë të ngjeshur gjatë këtij viti kalendarik.

Ndërkohë, prioritet për kuvendarët pritet të jenë një sërë projektligjesh.

“Kuvendi do të vazhdojë me përmbushjen e detyrave tona”

Image
Dimal Basha

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, thotë se mazhoranca është e vendosur për të çuar një sërë çështjesh përpara në sesionin vjeshtor të Kuvendit.

Sipas tij, shtyrja e agjendës legjislative i hap rrugën Qeverisë për reformë dhe rrjedhimisht përmbushje të premtimeve ndaj qytetarëve.

“Pas një pune të suksesshme në sesionin e kaluar, edhe këtë sesion besoj thellë se Kuvendi do të vazhdojë me përmbushjen e detyrave tona, që është shtyrja e agjendës legjislative që i hap rrugën Qeverisë për reformë dhe rrjedhimisht përmbushjes së premtimeve ndaj qytetarëve”, thotë ai për “Bota sot”.

“Një nga prioritetet mbetet të jetë 'Kodi Civil'”

Image
Arbër Thaçi

Nga ana tjetër, Arbër Thaçi, hulumtues në KDI, thotë se sesioni vjeshtor për Kuvendin do të jetë i ngarkuar.

Sipas tij, sesioni do të zhvillohet në frymën e mangësive dhe problemeve të zakonshme të Kuvendit të Kosovës

Nga një pikëpamje e përgjithshme, mund të vlerësohet se prioritetet e qeverisë do të jenë trajtimi i disa projektligjeve dhe reformave që tanimë gjenden në proces të trajtimit brenda Kuvendit. Mirëpo, në kuptim të rendimentit të përgjithshëm, nuk gjykojë se do të ketë përmirësime - sesioni do të zhvillohet në frymën e mangësive dhe problemeve të zakonshme të Kuvendit të Kosovës”, deklaron ai.

Tutje Thaçi, thotë se fokusi i ekzekutivit do të jenë reformat në drejtësi- Vettingu, Kodi Civil si dhe Projektligji për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor.

“Fokusi i ekzekutivit, përgjatë këtij sesioni, do të jenë iniciativat që rrokin reformën në drejtësi. Nëse duhet të veçohet ndonjë, varësisht nga trajtimi që i bënë Gjykata Kushtetuese, ndoshta Vettingu do të trajtohet gjatë këtij sesioni. Po ashtu, një nga prioritetet mbetet të jetë 'Kodi Civil', trajtimin e të cilit, gjatë këtij sesioni ministrja Albulena Haxhiu e pohoi disa ditë më parë. Për fund, ndoshta, edhe Projektligji për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor, si një temë që prodhoi debate të shumta, do të trajtohet gjatë këtij sesionit”, thotë ai për “Bota sot”

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë në pushim që nga 28.07.2023, kur edhe ishte seanca e fundit plenare.

Fyerje, fishkëllima, përplasje, goditje tavolinash, akuza e kundër akuza. Të gjitha këto, karakterizojnë më së miri punën e Kuvendit të Kosovës, gjatë muajve të fundit.

Vlen të theksohet se, kritikat pas publikimit të disa përgjimeve ku ishte përfshirë shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Mimoza Kusari-Lila, rritën tensionet në seancën e Kuvendin e Kosovës më 13 korrik, që kulmuan me përleshje fizike.

Kusari-Lila ka pranuar se ka zhvilluar një bisedë me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Në të kaluarën Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar vazhdimisht personat që kanë mbajtur kontakte me Radoiçiqin, që gjendet në listën e zezë amerikane, e kërkohet nga autoritetet gjyqësore të Kosovës.

Si nisën tensionet në Kuvend?

Në seancën plenare paraditen e 13 korrikut, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, iu ndërpre fjalimi. Ai po fliste për Radoiçiqin, dhe se si është tërhequr fletarrestimi ndaj tij në vitin 2021, disa ditë para se të formohej Qeveria e tij.

"Kur kanë qenë qeveritë e mëhershme, ky kryekriminel ka qenë në Mitrovicë, ka qenë në Prishtinë. Tash, kontributi ynë, është që është në një hotel në Kopaonik, në Serbi", tha Kurti.

Më pas, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Mërgim Lushtaku, iu afrua foltores dhe e gjuajti me ujë Kurtin dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimin.

Në atë moment, në mbrojtje të të dyve doli ministri i Financave, Hekuran Murati, të cilin Lushtaku pastaj e shtyu fizikisht me duar. Bislimi goditi me shishen e tij me ujë deputetin Lushtaku, i cili më pas pati përplasje fizike edhe me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat