“Takimi i dështuar” në Bruksel, alarmojnë analistët: Dialogu gjendet në ngërç të ndërlikuar diplomatik - këto janë prapaskenat

Politika

“Takimi i dështuar” në Bruksel, alarmojnë analistët: Dialogu gjendet në ngërç të ndërlikuar diplomatik - këto janë prapaskenat

Nga: Qendresa Rexhaj Më: 23 shtator 2023 Në ora: 17:28
Foto/ Takimi në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas dështimit të bisedimeve dhe pas takimit të fundit të zhvilluar në Bruksel, me Presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, akuzoi ndërmjetësin evropian të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, se është “pozicionuar” kundër Kosovës.

Kurti më 18 shtator tha se në rundin e fundit të dialogut, ai “pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi, kundër Marrëveshjes [drejt normalizimit të raporteve] në veçanti”, duke iu referuar të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Madje, Kurti tha se dukej që kishte një koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Lajçakut për, siç tha ai, krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”

"Ditëve në vijim me siguri që unë do të kem takime me të gjithë faktorët ndërkombëtarë, të cilët kanë pranuar shtetin e Kosovës dhe të cilët dëshirojnë të na ndihmojnë, e të na përkrahin sa i përket shtetndërtimit demokratik, zhvillimit socio-ekonomik, por edhe sa i përket njohjeve ndërkombëtare, e në veçanti normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, e që tash e kemi zgjidhjen: është Marrëveshja Bazike e njohjes së ndërsjellë de-facto”, tha Kurti.

Nga ana tjetër, njohësit e zhvillimeve politike, thonë se pas dështimit për arritje të marrëveshje më 14 shtator, dialogu Kosovë-Serbi gjendet në një ngërç diplomatik.

Sipas tyre, dialogu duhet të vazhdoj, por fundi i tij duhet të jetë njohja reciproke.

Elezaj: Ky dështim ka krijuar rrethana të reja në kuptimin, se si do të vazhdojë tutje dialogu Kosovë-Serbi

Analisti politik, Rexhep Elezaj, thotë se aktualisht është krijuar atmosferë e tensionuar midis qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe se është vështirë të parashikohet se si do të jetë ecuria tutje e dialogut.

Image
Rexhep Elezaj

“Dialogu Kosovë-Serbi aktualisht gjendet, në një ngërç të ndërlikuar diplomatik, sidomos pas dështimit të takimit Kurti-Vuçiq me 14 shtator në Bruksel, meqë siç dihet, nuk u arrit asnjë kompromis për ndonjë marrëveshje konkrete, qoftë për implementimin e Aneksit të marrëveshjes bazë të Brukselit (27 shkurt), i dakorduar nga të dyja palët në takimin e Ohrit, qoftë pranimi i propozimit të kryeministrit Kurti për zbatimin sekuencues të saj, i cili u refuzua nga e ana e ndërmjetësuesve të BE-së, por dhe A. Vuçiq, që e gjithë kjo rrjedhë bëri që ky takim të dështojë. Prandaj, ky dështim ka krijuar rrethana të reja në kuptimin, se si do të vazhdojë tutje dialogu Kosovë-Serbi, posaçërisht pas kritikave të kryeministrit Kurti, drejtuar para pak ditësh ndaj ndërmjetësuesit të BE-së, z. M. Lajçak, me ç’rast kanë pasuar reagime të ashpra nga Brukseli zyrtar ndaj kryem. Kurti, duke i dalë në mbrojtje emisarit M. Lajçak”, deklaron ai.

Por, ai thotë se dialogu duhet të vazhdojë, ngase alternativë tjetër për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk ka.

Derisa, u shpreh i bindur se miqtë tanë amerikanë nuk do të lejojnë që dialogu dhe marrëveshja finale për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë të dështojë.

“Në këtë atmosferë të tensionuar midis qeverisë së Kosovës dhe BE-së, vërtetë është vështirë për cilindo analistë apo vëzhgues politikë të japë parashikime, se si do të rrjedhë tutje dialogu Kosovë-Serbi, kur ndërmjetësuesi kryesor i tij, z. M. Lajçak, është shpallur pothuajse persona “Non-grata” për qeverinë e Kosovës. Por, ajo që më së shumti na shqetëson neve si Kosovë, është fakti, se si, dhe pse pala kosovare në dialog ka rrëshqitur në një kurth të tillë, duke dhënë shkas për t’u cilësuar nga faktorët kryesorë ndërkombëtarë, si palë jo bashkëpunuese, madje edhe si palë refuzuese, për të marrë kështu atributin e fajtorit kujdestar për dështimin e arritjes së marrëveshjeve me Serbinë, që e kundërta e kësaj është fakti, se Serbia është fajtori kryesorë për çdo dështim të dialogut, dhe jo pala shqiptare. Megjithatë, mendoj se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, pranë ngërçit aktual do të vazhdojë në të ardhmen, ngase alternativë tjetër për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk ka, siç besoj fortë, se miqtë tanë amerikanë nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë që dialogu dhe marrëveshja finale për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë të dështojë, kur dihet se shteti i Kosovës është storie e suksesit më të madh amerikan në Ballkanin perëndimorë”, thotë ai për “Bota sot”.

Qarri: Kosova ka bërë kompromise të mëdha, duke pranuar që nga dialogu të largohej njohja reciproke

Për analistin Gani Qarri, përfundimi i dialogut duhet të bëhet vetëm me marrëveshje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Image
Gani Qarri

“Thënë të drejtën, emisari Lajçak si dhe vet Josep Borell, ka kohë që mbajnë hapur anën e Serbisë, mirëpo metamorfoza e fundit, që u konstruktua nga Lajçak dhe Vuçiq me renditjen e pikave të marrëveshjes, edhe pse Kosova ka bërë kompromise të mëdha, duke pranuar që nga dialogu të largohej njohja reciproke, është e pamundur të vazhdojë çfarëdo bisedimi në këtë formë, andaj ose duhet të zgjerohet ombrella e marrëveshjes me futjen e njohjes së njëkohshme nga Serbia, ose Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të reja, të jashtëzakonshme dhe të vendoset me referendum, mbarëpopullor, për apo kundër formimit të "zajednicës"”, vlerëson ai.

Tutje ai thotë se ShBA-të dhe BE duhet të balancojnë situatën dhe të krijojnë trajtim të drejtë e të baraspeshuar në dialog.

“Andaj, ata që në këto momente kritike, vërtetë duhet të ndryshojnë gjendjen, balancojnë situatën dhe krijojnë trajtim të drejtë e të baraspeshuar në dialog, janë; BE, SHBA dhe faktori ndërkombëtar, sepse Kosova është në të drejtën e saj dhe nuk mund të dal nga lëkura e vet, as për hir të ndërmjetësuesve të BE-së dhe Eskobarit, madje nëse marrëveshja ka për qëllim shuarjen e shtetit tonë të ri, të arritur pas një shekulli përpjekje dhe aq shumë gjak, mund e sakrifica të disa brezave, Kosova njëmend nuk ka nevojë fare, për marrëveshje të tillë, sepse çfarëdo ndëshkimi që mund të pretendohet nga ndërmjetësit ndërkombëtarë, do të ishte më i vogël se sa “zajednica” pa njohje nga Serbia, që është kërcënim i drejtpërdrejtë për shuarjen e shtetit tonë të shtrenjtë, të cilin ne, assesi nuk mund ta pranojmë”, deklaron ai për “Bota sot”.

Rundi i fundit i dialogut në Bruksel, më 14 shtator, ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përfundoi pa përparim në normalizimin e marrëdhënieve.

Ky ishte takimi i parë mes Vuçiqit dhe Kurtit pas shpërthimit të dhunës në veri të Kosovës në fund të majit.

Kurti tha se në Bruksel propozoi një plan për zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.

Kjo marrëveshje nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat. Po ashtu palët zotohen se do të zbatojnë marrëveshjet e arritura më herët në procesin e dialogut.

Kurti tha se plani i propozuar nga ai – që sipas tij u refuzua nga Serbia dhe BE-ja – për zbatimin e Marrëveshjes Bazike, ishte “propozim konkret, shumë konstruktiv, që bazohej në parimin e gjithëpërfshirjes”. Ai tha se gjithëpërfshirja është edhe në këtë marrëveshje dhe në aneks, ku thuhet se “çdo nen i Marrëveshjes Bazike duhet zbatuar dhe palët nuk duhet të shprehin pengesa për asnjë nen”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat