Zbardhen prapaskenat: Terroristëve serbë i’u dështoi plani në veri, Kosova fitoi betejën - tani gjithçka merr kahje tjetër!

Politika

Zbardhen prapaskenat: Terroristëve serbë i’u dështoi plani në veri, Kosova fitoi betejën - tani gjithçka merr kahje tjetër!

Nga: A.M. Më: 25 shtator 2023 Në ora: 15:47
Pamje nga veriu

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe disa u plagosën gjatë një përleshje me një grup të përbërë nga terroristët serbë në pjesën veriore të vendit.

Tre nga terroristët mbetën të vrarë të dielën, ndërsa autoritetet thanë se të hënën u gjet trupi i pajetë i sulmuesit të katërt. Gjashtë persona u arrestuan, dy prej të cilëve të plagosur. Policia tha se situata u vu nën kontroll mbrëmjen e së dielës por nuk u dhanë hollësi nëse pjesëtarë të tjerë të grupit të armatosur ishin larguar.

Pas këtij sulmi terrorist dhe mizor, duket se dialogu Kosovë-Serbi do marrë kahje tjetër.

Profesori Enver Bytyçi në një prononcim për “Bota sot” komentoi sulmet e terroristëve serbë ndaj Policisë së Kosovës.

Ai tha se terroristët serbë kishin një skenar ogurzi e që synim kishin mposhtjen e policisë së Kosovës.

Sipas tij, këto ngjarje në veriun e vendit janë një pikëkthesë në dialogun Kosovë-Serbi.

“Ngjarja e djeshme duhet të kthehet në një kthesë sa i përket dialogut Kosovë-Serbi! Dërgimi i bandave terroriste nga Beogradi në Kosovë është dëshmi për Borrell dhe Lajçak, se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pasë dhe ka të drejtë në qëndrimet e tij për ta refuzuar krijimin e Asosacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Beogradi është angazhuar që përmes dhunës të tjetërsojë realitetin politik dhe hartën e shteteve të rajonit. Në këto kushte argumenti është i plotë dhe i qartë. Asnjë lider politik e diplomat me minimumine sensibilitetit të tij për drejtësinë dhe paqen nuk mund të kërkojë që pala e Kosovës të pranojë kushte irredentiste nga terroristët.

Terroristët serbë kishin një skenar ogurzi. Ata donin jo vetëm ta mposhtnin policinë e Kosovës, por edhe të inskenonin një masakër të kësaj policie të murgjit dhe pelegrinët në kishë! Kjo do të shërbente si lëndë e parë që bota të dënonte “terrorizmin shqiptar”! Por jetojmë në një botë dixhitale, e cila i kufizon shumë mundësitë për manipulime dhe mashtrime. Megjithatë presidenti i Serbisë u përpoq ta mashtrojë opinionin serb dhe ndërkombëtar, kur tha se terroristët ishin rebelë nga radhët e serbëve të Kosovës. Arrestimet janë të mjaftueshme për të provuar të kundërtën. Serbët e Kosovës nuk janë përfshirë në këto akte. Ky është një argument plus që dialogu të marrë një kthesë historike në favor të të drejtës së Kosovës”, deklaroi ai.

Bytyçi vlerësoi se pas këtyre zhvillimeve, mund të thuhet se dialogu ka vdekur.

Image
Profesori Enver Bytyçi

Madje, paralajmëroi se tash do të jetë në rend dite njohja e Kosovës dhe jo themelimi i Asociacionit.

“Pas ditës së djeshme dialogu thuajse ka përfunduar. Tashmë nuk është e nuk mund të jetë në rend dite asosacioni, por njohja e Kosovës nga ana e Serbisë. Edhe pse Aleksandër Vuçiç u betua se nuk do ta njohë Kosovën, kjo kërkesë do të duhet të arsyetohet në bisedimet midis dy vendeve. Pa njohjen nuk duhet pranuar asnjë hap më tej! Kushdo që do të përpiqet ta fajësojë Kosovën për këtë këmbngulje, do të duhet të kuptojë se bën lojën e Rusisë dhe të Serbisë. I duhet kujtuar kujtdo, edhe zotit Borrell dhe Lajçak, edhe zotit Escobar e të tjerëve, se “nuk mund të ketë përparim në bisedime, nëse nuk realizohet njohja e Kosovës nga Serbia”!

Ngjarja e djeshme dihet të shërbejë edhe si argument për të mos e zvarritur zgjidhjen. Nëse Beogradi kërkon me artifice të shumta ta shtyjë një marrëveshje me njohje, atëherë duhet kërkuar me çdo kusht anëtarësimi në NATO. Diplomacia e Kosovës duhet të përqëndrohet në këtë nyje të zgjidhjes së konfliktit. Asgjë, përveç anëtarësimit në NATO nuk e zgjidh këtë konflikt. Vëtëm nëse ndodhë që Serbia ta njohë shtetin e Kosovës pa kushte dhe Kosova të anëtarësohet në Oganizatën e Kombeve të Bashkuara! Plani dhe opsioni B është anëtarësimi në NATO”, shpejgoi profesori.

Krahas kësaj, përmendi edhe shtetet mos-njohëse, e që dy prej tyre janë edhe Spanja e Borellit e Sllovakia e Lajçakut, e që tani beson se nuk kanë arsyje refuzuese ndaj Kosovës.

“Katër vendet mos-njohëse të NATO-s, përfshirën Spanjën e Borrellit dhe Sllovakinë e Lajçakut, kanë arsye të plotë për të njohur Kosovën. Prej ditës së djeshme ato nuk mund të kenë më asnjë alibi në qëndrimet e tyre refuzuese për shtetësinë e Kosovës! Kjo i hap rrugën anëtarësimit në NATO. Anëtarësimi në NATO e zgjidh përfundimisht konfliktin. Me Aleancën Atlantike nuk mund të përballen as Kina e Rusia së bashku, jo më Serbia, të cilën e mund në fushën e betejës e vetme policia e Kosovës, pa patur nevojën e ndihmës së KFOR-it e të ushtrisë së Kosovës. Madje duke e patur KFOR-in në anën e terroristëve serbë, të cilët presupozohet se i ndihmoi të largohen nga vendngjarja”, potencoi Bytyçi.

Më tej, profesori tha se që tani qeveria dhe institucionet e Kosovës duhet të mendojnë se si të integrojnë dhe të respektojnë në maksimum qëndrimin korrekt të serbëve në veri.

“Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe gjithkush në Kosovë kanë prej dje të drejtën legjitime të Zotit të vendosin rendin dhe ligjin në të gjithë territorin e Kosovës. Me këtë akt do të ndihmohen sidomos serbët në Kosovë. Ata do të kuptojnë se e keqja e tyre vjen nga Beogradi. Prej dje serbët e Kosovës në veri duhen marrë ndryshe në konsideratë. Jo si problem i Kosovës, por si aktorët në zgjidhjen e këtij problemi. Prej dje qeveria dhe parlamenti i Kosovës duhet të mendojnë se si të integrojnë dhe të respektojnë në maksimum qëndrimin korrekt të serbëve në veri të vendit. Të miratojnë fonde dhe projekte zhvillimore për ta. Dhe të ndërtojnë një dialog të brendshëm e të frytshëm me serbët që jetojnë në Kosovë e sidomos në veri”, nënvizoi ai.

Në fund, shtoi se dje ishte pikë kthese, ku Kosova shënoi fitoren në betejën e saj me terroristët serbë.

“Dita e djeshme sihte ditë kthese. Kjo falë profesionalizmit dhe shpirtit patriotik të policisë së Kosovës. Por edhe falë angazhimit të qeverisë dhe institucioneve të vendit. Prej ditës së djeshme Kosova ka formalizuar pavarësinë dhe shtetësinë e saj. Po ju jap vetëm një shembull. Në vitin 1920 kthesa në vendimet e Konferencës së Paqes në Paris ndodhi për shkak se shqiptarët hodhën në det Italinë dhe çliruan Vlorën. Po ashtu do të ndikojë edhe për Kosovën fitorja e betejës së djeshme kundër terroristëve serbë në Zveçan. Pork jo nuk është sfida e fundit. Sa më më shumë dështime të ketë Aleksandër Vuçiç, aq më shumë skenare destabilizuese do të ndërtojë e do të përpiqet të zbatojë. Kjo është e vërteta”, përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat