Letra e fundit e Milaim Zekës dërguar Gjykatës Speciale që e fundosi Hashim Thaçin – Ja zbulimi i papublikuar më parë!

Politika

Letra e fundit e Milaim Zekës dërguar Gjykatës Speciale që e fundosi Hashim Thaçin – Ja zbulimi i papublikuar më parë!

Nga: N. Shaqiri Më: 25 shtator 2023 Në ora: 18:30
Milaim Zeka dhe Hashim Thaçi

Një letër dëshmi interesante drejtuar Gjykatës Speciale e ka siguruar gazeta “Bota sot”.

Kjo dëshmi e ish-deputetit të Kosovës, Milaim Zeka, sipas burimeve të Gazetës “Bota sot”, është dëshmia që e fundosi Hashim Thaçin, dhe nuk do të ketë mundësi kurrë që të mbrohet në liri.

Gazeta “Bota sot” ekskluzivisht ka siguruar deklaratën e tij adresuar Gjykatës Speciale si dëshmi dhe deklaratë kundër Hashim Thaçit, Sami Lushtakut e të tjerëve në të cilën ai akuzon Thaçin e të tjerët për shumë krime dhe veprime kriminale.

Zeka përmend shumë gjëra për Hashim Thaçin, si dhe tregon se Sami Lushtaku pas akuzave të Thaçit i kishte thënë këtij të fundit që nëse janë të vërteta ato që Thaçi i thotë për Zekën, do ta vrasë me duart e tij.

Pra, ishte dita e hënë, e 30 gushtit të vitit 2021, kur Gjykatës Speciale i mbërrin një letër përmes emailit!

Kjo letër ishte shkruar nga ish-deputeti i Kosovës, Milaim Zeka.

Zeka në këtë letër të fundit drejtuar Gjykatës Speciale, në fillim shkruan për personalitetin e tij, si ishte burgosur në vitin 1981, e pastaj për sakrificën dhe largimin nga Kosova!

Zeka në këtë letër tregon se kur është vendosur në Suedi, e pastaj edhe për nënën e tij, e cila thotë se është e zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, si dhe për një atentat që sipas tij, është organizuar kundër tij në Gjermani.

“Perndjekja ime është bërë edhe nga shteti jugosllav e serb, por edhe nga krerët e Levizjes Popullore të Kosoves, me qendër në Zvicër dhe Gjermani. Lufta ka qenë ideologjike. Në vitin 1983 unë u distancova nga ideologjia komuniste e Enver Hoxhes. Shërbimi sekret jugosllav, përmes njerzëve të infiltruar brenda nesh, filloi të na luftonte në mënyrat më klasike të mundeshme. Mu psh, me shpallen ”njeri i UDB-së” pasiqë kisha dalë kundër Enver Hoxhës. Me 4 prill 1984, përmes Ibrahim Kelmendit, me organizuan një atentat në Duseldorf të Gjermanisë”, shkruan Zeka në letër, të siguruar nga Gazeta “Bota sot”.

“Kur doli në skenë Dr. Ibrahim Rugova, unë e mbështeta fuqishëm atë. I organizova vizita në Norvegji dhe Suedi, në nivel ministrash. Sipas LPK-së, edhe kjo ishte një tradhti”, shkruan ai.

Ndër tjera, Zeka tregon se kishte mbëshetur studentët në Prishtinë, pastaj UÇK-në dhe që ishte me delegacionin e Kosovës në Rambuje, e pas kësaj tregon se në luftë kishte ardhë si gazetar.

“Krerëve të UÇK-së nuk i pëlqeu pse unë raportoja për betejën e Koshares, pasiqe kjo Brigadë konsiderohej sikur FARK. Gjeneralit të Kukësit i kishin dhënë urdhër të më arrestonin - Kudusi Lama. Pas përfundimit të luftës, unë vazhdova rrugën dhe punën time. Dr. Ibrahim Rugova më kishte propozuar për drejtor të RTK, krerët e luftës nuk kishin pranuar, me aresyetimin se jam i ”pakontrollueshëm”!”, shkruan tutje ai.

“Relacionet e mia me Hashim Thaçin janë acaruar në vitin 2012, kur nga qeveria suedeze ia solla porosinë ministrit Hajredin Kuçi, ku suedezët më thanë se do bëhej Gjykata Speciale, o përmes KS të OKB-së, o përmes Uashington-Bruksel. Në të gjitha prononcimet e mia e kam mbështetur themelimin e kësaj gjykate”.

“Në gushtin e vitit 2015-16, botova një listë se kush ishte cak i Gjykatës. Aty figuronte emri edhe i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, e plot të tjerëve. Hashim Thaçi, së bashku me mafian e Eulex-it, filluan të më luftojnë në të gjitha mënyrat. Kryeprokurorja e Eulex, Isabel Arnal, ishte filmuar duke bërë sex me Hashim Thaçin në Brezovicë, në vilen e Mustafë Bucalise. Për këtë i posedoja të gjitha dëshmitë, të cilat i merrja nga dora e parë e shefit të Intelegjencës të Eulex, Mikael, që ishte suedez. Falë tij mbase edhe jam gjallë. Maricio Salustra, kryeprokuror i Eulex, njeri që ka marrë miliona nga krerët e luftës që të mos i arrestonte, më ngriti aktakuze ”per pengim në drejtësi”! Të gjithë të intervistuarit dëshmonin se si janë paguar nga të dyja anët. Gjyqi qëllimisht ka zgjatur katër vite, dhe të gjitha seancat janë mbajtur qëllimisht në veriun e Mitrovicës”, shkruan Zeka në letrën e tij.

Zeka përsëri flet për personalitetin e tij, ku thotë se ishte shqiptari më i lexuar, klikuar dhe më i komentuari në Kosovë e Shqipëri, madje shton se ishte i vetmi që ka guxuar të flasë për njerëzit e vrarë gjatë dhe pas luftës, por këtu harron se ishte gazeta “Bota sot”, që nuk është ndalur kurrë së kërkuari drejtësi për vrasjet e luftës dhe pas luftës!

Ai specifikon se si Thaçi ka abuzuar me AKI-në per t’i përndjekur kundërshtarët politikë, andaj a është kjo deklaratë, provë e fakt që Gjykata Speciale ka hetuar dhe heton edhe ish krerët e AKI-së?

“Lufta më e madhe kundër meje filloi pas shfaqjes të këtij filmi, por sidomos pas prononcimeve të mia rreth vrasjes të profesorit, Haki Imeri. Vellai i Hakisë, Faik Imeri më kishte kontaktuar, dhe pas bisedave me të kisha kërkuar që të takohesha me Shëedeman, pasiqë më interesonte zbardhja e vrasjes të Ahmet Krasniqit, dhe Hamëz Hajres. Vrasjen e Ahmetit ma kishin veshur mu, në kohen kur atë natë që është vra ai, unë kam qenë në punë në Rtv e Suedisë në Stokholm. Kjo ka qenë arsyeja pse ambasada amerikane ka mbajtur distancë ndaje meje. Grupeve mafioze politike iu ka konvenuar kjo, pasiqë pjesa dërmuese e atyre që kanë bërë raporte për ambasada, kanë qenë dezinformata. AKI, duke u nxitur nga Hashim Thaçi, më përcillte dhe me përgjonte 24 orë. Pastaj vet zoti Thaçi, në ndërkohë që me Kryeprokurorin Aleksander Lumezin më fabrikuan një aktakuzë gjoja për rastin e vizave, vetëm për të ma ulur besueshmërinë brenda dha jashtë Kosove. I shpikën emrat e 920 vetave, po asnjë njeri nuk ka dhënë dëshmi kundër meje”, shkruan ai.

Zeka tutje thotë se as kjo që i bëri Hashim Thaçi nuk pati sukses.

“Hashim Thaçi dhe Aleksander Lumezi më akuzuan për shmangie nga tatimi, ku më dënuan me 149 euro, pastaj për “shpërlarje të parave dhe financim të terrorizmit”! Saherë që Faik Imeri ka hy në Kosovë, është përcjellur 24 orë, pastaj unë jam shantazhuar nga njerëzit e Thaçit. Përmes Baton Haxhiut e Ramiz Lladrovcit jam akuzuar si truri i Gjykatës Speciale, edhe si agjent serb”, shkruan tutje Zeka.

“Hashim Thaçi me gojën e tij më ka shpallur dëshmitarin kryesor të Gjykatës. Sami Lushtaku i ka thënë ”trego nëse është e vërtetë dhe ke fakte, me doren time e vras”!!!!”, përfundon dëshminë Milaim Zeka drejtuar Gjykatës Speciale.

Image
Dëshmia e Milaim Zekës
Image
Dëshmia e Milaim Zekës
Image
Dëshmia e Milaim Zekës
Image
Dëshmia e Milaim Zekës

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat