Fitorja e Kosovës përball terroristëve serbë – reagime të ashpra ndaj BE-së, dialogu pritet të marrë kahje tjetër

Politika

Fitorja e Kosovës përball terroristëve serbë – reagime të ashpra ndaj BE-së, dialogu pritet të marrë kahje tjetër

Arife Morina Nga Arife Morina Më 26 shtator 2023 Në ora: 15:09
Njësia Speciale e Kosovës

Mëngjesi i së dielës ishte i kobshëm për Kosovën. 

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe dy të tjerë u plagosën në orët e hershme të mëngjesit të 24 shtatorit në veri të Kosovës. 

Sulmi ndodhi në fshatin Banjska të komunës së Leposaviqit. 

Polici i vrarë ishte rreshter, ndërsa i plagosuri pjesëtar i policisë kufitare. Policia njoftoi "për vdekjen e tre personave sulmues dhe arrestimin e katër të dyshuarve (civilë)". 

Kryeministri Kurti e quajti sulmin mbi policinë e Kosovës si "terrorist”, duke thënë se "krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”. 

Me këtë rast, të hënën, në Kosovë flamujt në institucionet vendase dhe ambasadat perëndimore u ulën në gjysmështizë, ndërsa vendi ishte në ditë zie në shenjë nderimi ndaj pjesëtarit të policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, i cili u vra në përleshje me terroristët serbë të armatosur. 

Ishin të shumta reagimet ndërkombëtare, ku shumica dënuan ashpër sulmin dhe mbështetën qeverinë e Kosovës. 

Për shkak se ky sulm ndodhi vetëm pak ditë pas takimit të fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, po thuhet se dialogu tani do marrë një kahje plotësisht tjetër. 

Azemi: Vazhdimi i krizës në Kosovë, sidomos në veri të saj, është edhe pasojë e politikave të njëanshme të Brukselit 

E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli publicisti Emin Azemi. 

Image
Emin Azemi

Së pari, ai kritikoi ndërkombëtarët në lidhje me reagimet e tyre për sulmin e ri, ndonëse e kanë mbështetur qeverinë tonë, ata nuk e kanë përmendur ndikimin e Beogradit në këtë rast. 

“Ndërkombëtarët, sidomos BE, e kanë dënuar sulmin terrorist, por nuk e kanë adresuar fajin për këtë sulm. Ata kanë mbështetur Qeverinë e Kosovës dhe e kanë konsideruar legale dhe legjitime mbrojtjen e sovranitetit të vendit, por pa e përmendur kreun politik të Beogradit dhe ky, mendoj unë, është problemi kryesor në diskursin ndërkombëtar, sidomos evropian, ndaj Kosovës, duke amnestuar sërish Serbinë nga përgjegjësia për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit. 

Grupi terrorist që sulmoi policinë e Kosovës, me ç’ rast vrau një dhe plagosi disa efektivë të kësaj policie, është pjesë e strategjisë kamufluese të Beogradit për të krijuar situata konfilktuoze në Kosovë, sepse vetëm duke e mbajtur gjallë këtë strategji, mbijeton edhe politika destruktive e Beogradit ndaj Kosovës dhe rajonit përgjithësisht”, deklaroi publicisti. 

Krahas kësaj, Azemi potencoi faktin se kriza në veri është pasojë e politikave të Brukselit dhe mbështetjen që po ia jep Beogradit. 

“Perëndimi çuditërisht ende sheh tek Vuçiçi njëfarë aleati, pa çka se ai ende ka kundërshtuar thirrjet e Brukselit e Uashingtonit për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe për këtë vazhdon të mos ketë kurrfarë pasoje. Këtë qëndrim Vuçiqi e përsëriti edhe një herë para gazetarëve në prag të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, duke kundërshtuar kështu hapur përpjekjet e NATO-s, SHBA dhe BE-së për të detyruar Putinin që të largohet nga aventura invaduese në Ukrainë. 

Vazhdimi i krizës në Kosovë, sidomos në veri të saj, është edhe pasojë e politikave të njëanshme të Brukselit ndaj hendekut të hapur në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Me standarde të dyfishta dhe me qëndrime asimetrike, Brukseli vazhdon ta bëjë edhe më të thellë këtë hendikep. Kjo ka mjaftuar ta trimërojë Vuçiqin në çuarjen përpara të axhendave hegjemoniste të të ashtuquajturës “bota serbe”, theksoi ai. 

Ndër të tjera, publicisti potencoi se sulmi terrorist ndaj policisë tonë është pjesë e planeve të Beogradit për “botën serbe”. 

Po ashtu, Eksteritorialiteti i kishave dhe manastireve serbe është një pikë ndezëse, ku qëllim kanë zjarrëvënien në Ballkan. 

Edhe sulmi i djeshëm terrorist mbi policinë e Kosovës është pjesë e këtyre axhendave, kurse përfshirja e një manastiri në gjithë këtë lojë tregon se sa të paqëndrueshme janë kërkesat për shpalljen e pronave të kishave dhe manastireve serbe si zona eksterritoriale, një absurd i llojit të vet që Brukseli insiston t’i instalojë në këtë pjesë të Evropës. Eksteritorialiteti i kishave dhe manastireve serbe do të jetë gjithmonë një fitil i ndezur në duart e piromanëve në Beogradit, kurse fajtor kryesorë për këtë zjarrvënie të qëllimshme në këtë pjesë të Ballkanit janë disa faktorë me ndikim në bashkësinë ndërkombëtare, të cilët po bëjnë shumë gabim që po e flijojnë stabilitetin e Kosovës për rehatinë e kolltukut të një politikani në Beograd, i cili me asgjë nuk ka ndryshuar nga fryma millosheviqiane e të bërit politikë. Të mbështetësh sot Vuçiqin, është njësoj sikur menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore të ishte mbështetur ende Gebelsi dhe të mos ishin dënuar krimet monstruoze të Hitleit. Ju lutem çfarë Evrope do të kishim sot, si do do të dukej ajo, nëse do të ndodhte një amnesti e tillë e çuditshme e atyre që Evropën deshën ta shndërrojnë në gërmadhë me eshtra njerëzish të pafajshëm. 

A kaq i lirë qenka çmimi i lirisë së shqiptarëve të Kosovës dhe ku buron ky cinizëm që ende këtë liri e masin në kandarin e prishur të Vuçiqit?!” – përfundoi Emin Azemi për “Bota sot”. 

Policia e Kosovës bëri të ditur se nata e së dielës në veri të Kosovës ka kaluar e qetë e pa ndonjë incident, ndonëse tensionet janë të larta pas sulmit të një dite më parë nga një grup serbësh të armatosur në fshatin Banjskë, ku një rreshter i Policisë së Kosovës u vra dhe një tjetër u plagos. 

Tre nga terroristët më pas u vranë nga policia dhe gjashtë të tjerë u arrestuan, nga numri prej rreth 30 personash të armatosur që morën pjesë në sulm ndaj policisë, sipas të dhënave. Një nga sulmuesit e arrestuar që është i plagosur dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa të arrestuarit e tjerë, disa nga ta po ashtu të plagosur, po marrin trajtim mjekësor në Spitalin rajonal të Mitrovicës. 

Elezaj: Sukses i policisë së Kosovës në asgjësimin e grupit terrorist, e hapë një kapitull të ri për Kosovën 

Kurse, opinionisti Rexhep Elezaj në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se vrasja e rresherit Bunjaku është një dështim i madh i regjimit serb në Beograd, derisa vlerëson se është një fitore e madhe për shtetin e Kosovës. 

Image
Rexhep Elezaj

Këtë e tha ai bazuar në atë se Perëndimi, muajt e fundit e fajësonte Kosovën dhe kjo është dëshmi se Vuçiq është ai që nuk do paqe dhe marrëveshje të vërtetë. 

Prandaj, sipas mendimit tim të thellë, pranë dhimbjes dhe pikëllimit tonë të madh për humbjen e policit tonë, rreshterit Afrim Bunjaku, sulmi i grupit terrorist ndaj policisë së Kosovës dhe vrasja e një polici, ishte dështimi më i madh politik i regjimit serb në Beograd, që shënon një kthesë të re si dhe fitore të madhe për shtetin e Kosovës, si në aspektin politik, ashtu dhe në arenën ndërkombëtare. Pra, sukses i policisë së Kosovës në asgjësimin e grupit terrorist, e hapë një kapitull të ri për Kosovën, sidomos në raport me fqinjin tonë verior, pra me Serbinë neofashiste, siç është dhe një momentum të ri në raportet e Kosovës me BE-në dhe SHBA-të”, deklaroi ai. 

Është kështu për faktin, sepse siç kemi mundur të shohim gjatë muajve të kaluar, ishte pala kosovare ajo e cila mbante epitetin nga ana e BE-së dhe SHBA-së, si palë jo bashkëpunuese, palë penguese dhe shkaktare e tensioneve në veri të Kosovës, dhe, kjo është bërë për shumë arsye dhe interesa të tyre strategjike që kanë në Ballkanin perëndimorë dhe më gjerë, sepse duke i lëshuar pe palës serbe, alias A. Vuçiqit, për shumë sjellje të tij/tyre destruktive dhe provokuese ndaj Kosovës, sikur e kishin harruar faktin, ose nuk donin ta shihnin, se regjimi aktual i Serbisë në krye me shovinistin antishqiptar, A. Vuçiq, është një kopje tipike e regjimit kriminal të Millosheviqit, veçse pak më e kamufluar, por e cila në esencë ka të njëjtin qëllim; ripushtimin e Kosovës, por në rend të parë pengimin e shtet-ndërtimit të saj si shtet sovran dhe i pavarur, deri në asgjësimin e saj të plotë si shtet i dytë shqiptar në Ballkan”, deklaroi ai. 

Gjithashtu, Elezaj bëri me dije se tani raportet e Kosovës me SHBA-të dhe BE-në nuk janë më të njëjta, ku pas vrasjes së rreshterit Bunajku, Vuçiq është ‘zhveshur’ nga gënjeshtrat e tij. 

Pra, nisur nga ky postulat, mendoj se BE-ja dhe SHBA-të që nga dita e djeshme, 24 shtator 2023, duhet ta dinë se më asgjë në Kosovë nuk do të jetë e njëjtë, qoftë kur është fjala për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, qoftë në raportet e saj me faktorët ndërkombëtarë, sepse sulmi i papritur i grupit terrorist serb në ora 03:30 të mëngjesit, duke vrarë policin e Kosovës, Afrim Bunjakun, regjimin e Beogradit, në rend të parë presidentin fashist serb, A. Vuçiq, e kanë zhveshur cullak bashkë me rrenat e tij para faktorëve ndërkombëtarë, se kush është shkaktari i vërtetë i destabilizimit të Kosovës, por dhe i Ballkanit perëndimorë”, vlerësoi ai. 

Po ashtu, opinionisti bazuar në fjalimin e presidentin serb, hodhi dyshime se ky skenar i këtij sulmi terrorist është planifikuar në Moskë dhe Beograd. 

Mbase, sipas asaj që mund të kuptohej nga fjalimi patetik i A. Vuçiqit mbrëmë para mediave serbe, duket se brenda strukturave serbe të sigurisë ka çarje dhe mosmarrëveshje të mëdha, e që sulmin e djeshëm të grupit terrorist ndaj policisë sonë, e bën më të komplikuar, sidomos për faktin se brenda këtij grupi kriminal është dëgjuar të flitej gjuha ruse, e që gjithë këtij skenari i jep karakter me përmasa më të gjera kriminale, se ky skenar duhet të jetë planifikuar paraprakisht në Moskë dhe Beograd. 

Ajo që bie qartë në sy, është se serbët lokalë në veri, dje nuk kanë qenë fare të njoftuar se çfarë po ndodhë në afërsi të tyre, madje reporterët tanë raportuan se kishin parë disa dasma në disa qytete në veri, siç është për t’u habitur shumë, se pse po heshtin krerët e Listës serbe, të cilët deri në këto çaste nuk e kanë dhënë asnjë deklaratë për opinion..?” – nënvizoi Elezaj. 

Ndër të tjera, shtoi se pas dramës në veri, skenari serb për zhbërjen e pavarësisë së Kosovës, ka përfunduar përgjithmonë. 

“Pra, pas gjithë kësaj drame në veri mbetet të shohim dhe të shpresojmë, se faktorët ndërkombëtarë që nga sot, do të sillen dhe veprojnë ndryshe ndaj regjimit fashist të A. Vuçiqit, i cili pa asnjë dyshim, është strumbullari i të gjitha të këqijave dhe vrasjeve që kanë ndodhur dhe që po ndodhin në veri të Kosovës, dhe se me sulmin terrorist të grupit serb, të cilin ndoshta ai vetë e ka dërguar në veri, rezulton qartë se politika dhe skenari serb për zhbërjen e pavarësisë së Kosovës, kanë rënë në ujë përgjithmonë”, përmbylli Rexhep Elezaj për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat