Vrasja e policit dhe sulmet në veri të Kosovës/ Ja sa do të jetë dënimi për terroristët serbë

Politika

Vrasja e policit dhe sulmet në veri të Kosovës/ Ja sa do të jetë dënimi për terroristët serbë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 26 shtator 2023 Në ora: 20:06
Oficerët e policisë patrullojnë pas të shtënave, në rrugën për në fshatin Banjskë

Të martën është mbajtur seanca dëgjimore ndaj të arrestuarve për sulmin në fshatin Banjkë të Sveçanit.

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar nga një muaj paraburgim të dyshimtëve për sulmin terrorist të së dielës në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Sipas kërkesës së prokurorisë ata dyshohen se bashkë më një grup personash ende të paidentifikuar në mënyrë të organizuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme luftarake, të rënda, me dashje, kanë hyrë ilegalisht në Republikën e Kosovës, me dhjetëra vetura dhe të mbushura me armatim, municion dhe veshje ushtarake.

Fillimisht, thuhet se kanë bllokuar rrugën me dy kamioneta, me qëllim të vënies në pritë të zyrtarëve të Policisë së Republikës së Kosovës, e pastaj i kanë sulmuar me granata dhe armë të ndryshme, me ç’rast tek ura afër Manastirit, ka mbetur i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, si dhe është plagosur zyrtari policor Alban Rashiti.

Gjersa, avokati i njërit nga të terroristët paralajmëron ankesë, dënimet për terroristët mund të jenë deri në burgim të përjetshëm.

Gashi tregon se si do të hetohen terroristët

Avokati Tomë Gashi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se organet e drejtësisë në Kosovë do të hetojnë një nga një secilin person dhe rolin e tij në vrasjen e policit serb, e pastaj për tentim vrasjet.

Sipas tij, dënimi për këto vepra penale është deri në burgim të përjetshëm.

“Organet e drejtësisë në Kosovë do të veprojnë në bazë të ligjeve të shtetit tonë, ata fillimisht do të hetojnë një nga një lidhur me rolin e tyre në vrasjen e policit tonë Afrim Bunjaku e pastaj për tentim vrasjen e policëve të tjerë të policëve të Kosovës, pasi ka pasur shumë të shtëna- gjuajtje me armë zjarri në drejtim të tyre me qëllime vrastare. Dënimi për këto vepra penale është deri në burgim të përjetshëm. Po ashtu, ata do të hetohen e akuzohen edhe për veprat tjera më të rënda që parasheh kodi penal i Kosovës duke përfshirë veprat penale kundër rendit tonë kushtetues/ RKS/ e deri te veprat penale të terrorizmit”, deklaron Gashi.

Image
Tomë Gashi

Terroristët serbë mbi 30 persona, pasi kanë qëlluar ndaj makinës së policisë ku ka vdekur edhe polici, Afrim Bunjaku, ishin vendosur në Manastir, atje policia e Kosovës ka gjetur një sasi të madhe të armatimit, mjete të rënda e pjesë logjistike, ndërsa 20 murgj janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë ku dyshohen si bashkëpunëtorë të grupit terrorist.

Avokati Tomë Gashi thotë se asnjë objekt fetar që shfrytëzohet për qëllime terroriste nuk ka mbrojtje ligjore.

“Normal që asnjë objekt fetar që shfrytëzohet për qëllime terroriste nuk ka asnjë mbrojtje ligjore. Në këtë rast manastiri ka qenë strofulla e tyre për të grumbulluar armatime për qëllime terroriste”, shton Gashi.

Kelmendi: Mendohet se grupe diverzive dhe terroriste do të hyn përsëri në veri të Kosovës

Edhe juristi Muhamet Kelmendi thotë se dënimet për veprat terroriste shkojnë nga 10 vjet e deri në dënim me burg të përjetshëm.

Sipas tij, i tërë sulmi terrorist ka qenë i organizuar, i përgatitur dhe i udhëhequr nga klika e Vuçiqit.

“Sulmet ndaj policëve të Kosovës në veri janë të karaktetit diverzivo-terrorist për shkatërrimin e Republikës së Kosovës. Në kuadër të veprimeve diverzive e terroriste veprimet e bëra nga diverzantët terrorist serbë kishin për qëllim hapjen e një lufte në Ballkan. E tërë kjo ka qenë e organizuar, e përgatitur dhe e udhëhequr nga klika e Vuçiqit. Në ligjet në fuqi Republika e Kosovës duhet të veprojë me mjete adekuate për të mbrojtur Republikën. Dënimet janë të rënda. Në ligjet e Republikës së Kosovës dënimet për veprat terroriste dhe të ngjashme të karaktetit diverziv, sikurse aktet kundër rendit kushtetues, së sigurisë së vendit dhe shkatërrimit të Republikës, janë të larta. Kodi Penal e parasheh dënimin nga 10 vjet burg deri me dënim me burg të përjetshëm. Kosova nuk ka dënim me vdekje”, pohon Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas tij, “lufta nuk ka përfunduar”, pasi grupet diversive dhe terroriste do të hyjnë përsëri në veri të Kosovës.

“Veprimet diverzive e terroriste e kryera nga ana e grupit terrorist kualifikohet si veprime diverzante me qëllim të ndërtimit të një fronti të ri të luftës, sikurse rusët në Donbas, ku pastaj interevenon shteti serb. Grupi diverzanto- terroriste me armët e gjetura në Manastirin serb në Basnjkë, kishin për qëllim riorganizimin e një luftë me përmasave të gjëra, duke mobilizuar forca të reja serbe në Ballkan. Kjo luftë nuk ka përfunduar. Mendohet se grupe diverzive dhe terroriste do të hyn përsëri në veri të Kosovës. Me ata do të jenë edhe forcat speciale serbe dhe ruse, veprimet terroriste do të jenë të ashpra. I tërë sistemi kishtar serb dhe ai policor dhe ushtarak do të angazhohen në luftën e ripushtimit të Kosovës. Në kushtetutën serbe edhe Kosova është pjesë jugore e Serbisë. Edhe krimineli diverziv Vuçiq e deklaron këtë akt pushtues. Serbia ka për pikësynim krijimin e një Donbasi në veri të Kosovës. Kurrë nuk do të pushojë shteti serb. Prandaj, duhet forcuar organet e rendit dhe të sigurisë në Kosovë. E tërë forca e jonë duhet të ketë këtë qëllim”, përfundon Kelmendi.

Kujtojmë se në mëngjesin e së dielës, në ora 02:34 zyrtarët e Policisë së Kosovës janë sulmuar në fshatin Banjskë nga një grup terrorist serb, ku si pasojë ka mbetur i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe një tjetër është plagosur.

Në shkëmbimin e zjarrit mes policisë dhe terroristëve serbë, kanë mbetur të vrarë tre sulmues dhe janë arrestuar tetë të tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat