Sulmi terrorist në veriun e Kosovës/ Alarmojnë analistët: Nëse ndërkombëtarët vazhdojnë ta “ledhatojnë” Serbinë, gjendja nuk mund të stabilizohet

Politika

Sulmi terrorist në veriun e Kosovës/ Alarmojnë analistët: Nëse ndërkombëtarët vazhdojnë ta “ledhatojnë” Serbinë, gjendja nuk mund të stabilizohet

Nga: Qëndresë Rexhaj Më: 27 shtator 2023 Në ora: 19:11
Foto nga fshati i Banjskës

Afrim Bunjaku, rreshter i policisë së Kosovës, nga fshati Samadrexhë i komunës së Vushtrrisë mbeti i vrarë të dielën dhe disa të tjerë u plagosën në përleshjet me një grup terrorist serb të armatosur në pjesën veriore të vendit.

Sipas autoriteteve, njësitë policore vunë re në orët e para të së dielës vendosjen e dy kamionëve pa targa në urën në hyrje të fshatit Banjskë, të cilët kishin bllokuar lëvizjen.

Autoritetet thanë se terroristët sulmues, ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij.

Ata shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së diel.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se tre nga terroristët serbë janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar.

Gjatë së martës Gjykata ua ka caktuar masën e paraburgimit tre personave serbë të arrestuar për terrorizëm.

Ndërsa, të mërkurën u liruan katër nga të arrestuarit.

“I gjithë territori i vendit është vendosur nën kontroll”, tha ministri Sveçla.

Nga ana tjetër, njohësit e zhvillimeve politike në vend, thonë se sulmi terrorist i së dielës djeshëm ka për qëllim destabilizimin e pjesës veriore të Kosovës. Por, sipas tyre, dialogu duhet të vazhdojë.

Për analistin Gazmir Raci, sulmi terrorist që ndodhi ditën e dielë, financohet dhe mbështet direkt nga grupet serbe në dirigjim të njerëzve afër Vuçiqit, Vulinit e ndikimeve ruse.

Image
Gazmir Raci

“Sulmi terrorist i së dielës në veri të vendit është një sulm i grupeve që financohen dhe mbështet direkt nga grupet serbe në dirigjim të njerëzve afër Vuçiqit, Vulinit e ndikimeve ruse. Beteja në veri është betejë pikërisht me këto grupe terroriste për të cilat kam folur shumë muaj neper debate e analiza. Serbia duhet të thirret në përgjegjësi nga komuniteti ndërkombëtare. Kosova të dielën e dëshmoi përfundimisht se Policia e Kosovës duhet të jetë dhe do të jetë në pjesën veriore sepse është e Kosovës”, thotë ai.

Por, krahas gjendjes aktuale, Raci thotë se dialogu sërish duhet të vazhdojë.

“Dialogu duhet të vazhdoje me kushtin e vetëm që të zbatohet plani Franko-Gjerman dhe aneksi i tij ashtu siç janë pajtuar palët”, deklaron ai për “Bota sot”.

Nga ana tjetër, analisti Hidajet Ahmeti, deklaron se Serbia përmes grupeve kriminale mundohet që pjesën veriore, ta paraqesë këtë pjesë të Kosovës me rrezik të lartë.

Sipas tij, ndërkombëtarët duhet të ndryshojnë qasje ndaj Serbisë, pasi që sipas tij, nëse ata vazhdojnë ta ledhatojnë Serbinë, gjendja nuk mund të stabilizohet.

Image
Hidajet Ahmeti

“Duke shikuar rrjedhën kronologjike në pjesën veriore të Kosovës, sulmi terrorist nga një grup i mirëorganziaur dhe orkestruar ka pas si qëllim destabilitetin në atë pjesë të Kosovës. Serbia përmes grupeve kriminale mundohet që pjesën veriore, ta paraqesë këtë pjesë të Kosovës me rrezik të lartë, çdoherë me pretekstin se ndërkombëtarët duhet ta marrin nën menaxhim këtë pjesë. Ndërkombëtarët duhet të ndryshojnë qasje ndaj Serbisë, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të “vetëdijesohet”. Nëse ndërkombëtarët vazhdojnë ta ledhatojnë Serbinë, gjendja nuk mund të stabilizohet. Presidenti serb është dashtë ta dënoj këtë sulm terrorist dhe të distancohet nga ky akt kriminal, edhe pse nuk mjafton vetëm kjo gjë. Serbia edhe pas këtij akti po vazhdon t’i ushqej grupet kriminale për të tensionuar dhe përkeqësuar gjendjen në këtë pjesë të Kosovës. Është një moment ideal për shtetin e Kosovës që të shfrytëzoj këtë momentum politik që njëherë e përgjithmonë të merr kontrollit në atë pjesë”, thotë Ahmeti për “Bota sot”.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, e dënoi vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe tha se po ndjek nga afër situatën në Banjskë.

“Trupat e KFOR-it janë të pranishme në këtë zonë, të gatshme të reagojnë nëse kërkohet”, tha misioni paqeruajtës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë, po ashtu, se dënojnë ashpër sulmin.

Qytetarët ndezën të dielën mbrëma qirinj para selisë së Policisë së Kosovës në Prishtinë, në shenjë nderimi për policin e vrarë.

Ndryshe, të mërkurën Fshati Banjskë i Zveçanit, në veri të Kosovës, është hapur në për qarkullim të qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat