“Konferenca” e Edi Ramës dhe sulmi terrorist në Kosovë - vjen reagimi i ashpër ndaj kryeministrit të Shqipërisë

Politika

“Konferenca” e Edi Ramës dhe sulmi terrorist në Kosovë - vjen reagimi i ashpër ndaj kryeministrit të Shqipërisë

Arife Morina Nga Arife Morina Më 28 shtator 2023 Në ora: 10:39

24 shtatori do mbetet në histori si një datë trimufi për Kosovën dhe një humbje tronditëse për Serbinë. 

Ndonëse, vendi ynë u përball me një sulm nga një grup terroristësh serbë, Policia e Kosovës arriti që me një operacion madhështor ta neutralizojë këtë grup dhe të parandalojë më të keqen. 

Megjithëse, kësaj fitoreje madhështore i la një shije të hidhur vrasja e rreshterit Afrim Bunjaku, ai u shënua si heroi më i ri i vendit dhe do mbahet mend si prijësi i kësaj beteje. 

Kishte reagime të shumta për këtë akt terrorist, ku shumica e shteteve ndërkombëtare i dolën në mbështetje Kosovës dhe policisë së saj. 

Për këtë sulm terrorist reagoi edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. 

Rama deklaroi se kriminelët, autorët e ngjarjes, duhet të dalin para drejtësisë. 

“Tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetërore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë”, ka shkruar Rama. 

Tutje, Rama bëri thirrje edhe për një konferencë të jashtëzakonshme paqeje. 

“Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikëqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin”, përfundoi Rama. 

Për këtë, kryeministri i Shqipërisë u kritikua ashpër, pasi në një farë mënyre barazoi Kosovën me Serbinë, me faktin se tentoi ta bëj një gjë të tillë, pa i marrë shteti serb dënimet e merituara. 

Preqi: Thirrja e konferencës së jashtëzakonshme për Kosovës nga Edi Rama është banale 

Image
Dedë Preqi

E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli opinionisti Dedë Preqi. 

Së pari, u shpreh se është vështirë t’i besohet Ramës, për shkak të qëndrimeve të tij në të kaluarën sa i përket proceseve mes Kosovës dhe Serbisë. 

“Sikur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do ta kishte argumentuar vetën më herët se ka një interesim serioz për të rregulluar dhe trajtuar çështjen e proceseve në mes Kosovës dhe Serbisë, pa anime dhe kurthe politike, që e favorizojnë dhe ndihmojnë Vuçiqin, sikur që ishte shkëmbimi i territoreve në mes këtyre dy vendeve, që e propozoi Hashim Thaçi me palën serbe, dhe ky ishte pjesë e kësaj natyre tardhtare, dhe pjesa tjetër e propozimit të Vuçiqit, për të krijuar një «Ballkan të hapur», për ta futur edhe Kosovën, në këtë valle, dhe Rama ishte një argat i madh i këtyre ngjarjeve, atëherë si duhet ti besohet Edi Ramës, me thirrjen e kësaj Konference, e cila e ka ilustrimin e saj të mirë nga jashta, por shijen dhe brendinë e ka të idhët dhe të pakëndshme”, deklaroi ai 

Preqi potencoi se nuk ka nevojë të thirren konferenca të tilla, pasi edhe GJND mbështeti Kosovës dhe kjo përpjekje e Ramës është vetëm për ta kthyer vëmendjen në drejtim të tij. 

Kosova dhe shteti i pavarur e demokratik, nuk ka nevojë të thirren Konferenca të tilla ndërkombëtare, sepse edhe vetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që është organi më i Lartë i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, e dha vulën e vet, duke ia dhënë të drejtën Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran, prandaj lidhur me këtë temë, është një tabu dhe përpjekje për të përfituar një lloj makiazhi të cilin Edi Rama, e prezanton në formën e tij banale, për të kthyer opinionin në drejtim të tij dhe të padobishëm për shqiptarët në përgjithësi. 

Prandaj, Kosova dhe shteti i saj demokratik, nuk ka më nevojë që të merret me një çështje të tillë, që të nëpërkëmbët nëpër këto subjekte ndërkombëtare, të cilat Edi Rama, i projekton me automeditimet e veta, të cilat nuk janë favor të Kosovës, por as në favor të paqes së saj, sepse në rrethana të tilla, Kosova mundet të bëjë vetëm hapa mbrapa, duke i përsëritur të arriturat e veta dhe të krijohet përshtypja se kur gjërat njerëzore janë të çrregulluara marrin gjëra të tilla të pa kuptimta”, theksoi opinionisti. 

Më tej, konsideroi se është hipokrizi se si kryeministri i Shqipërisë barazon Kosovën me Serbinë, përmes kësaj thirrje për konferencë. 

Pse Edi Rama, nëse ka mendje të shëndosh dhe qëllime të kthjellta mbi Kosovën, pse nuk e shtjellon qartë çështjen e Kosovës me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kur populli dhe shteti i Kosvës, është në të drejtën e vet për vetëvendosje dhe shtet demokratik, ashtu sikur edhe shumë vende të botës e kanë mbështetur këtë të drejtë sublime, por Edi Rama, siç njihet me dallaverët e tij të cilësuara, që po i planifikon me mikun e tij Vuçiq, janë fragmente që rrjedhin nga koncepte anti shtetit të Kosovës dhe pavarësisë së saj. 

Është një lloj hipokrizie prej Edi Ramës, që e barazon Serbinë me Kosovën, apo e barazon kriminelin me viktimën, sikur në këtë rastin e fundit por dhe herave tjera, në një mënyrë duke e favorizuar Serbinë, nëse ajo nga komentet e Edi Ramës, sikur amnistohet kur nuk komentohet si organizatë kriminale dhe terroriste e Vuçiqit, nëse si organizatë terroriste e quan edhe tërë bota demokratike”, vlerësoi Preqi. 

Ndër të tjera, opinionisti shtoi se Kosova nuk ka nevojë për këtë konferencë, derisa kërkoi nga Rama të heq dorë nga një gjë e tillë. 

“Prandaj, një Konferencë të tillë ndërkombëtare nuk i nevoitet Kosovës, e cila do ta kthente këtë vend në pikën e fillimit, duke e zhbërë pavarësinë e vet, të cilën dëshirë e ka edhe Beogradi dhe miku i tij Vuçiq, të cilin propozim e ka refuzuar edhe kryeministri i Kosovës, z,Albin Kurti, duke thënë se kjo i takon së kaluarës. 

Do të ishte mirë që Edi Rama, të qetësohet dhe të marrë veten me të mirë dhe të heq dorë nga këto kurtha që po ia kurdis Kosovës dhe këtij populli në favor të Vuçiqit, dhe imazhin e njeriut harmonik dhe politik t’ia kthejë së pari popullit shqiptar në shtetin e vet, në këtë mënyrë mund të përkufizohet dhe mund të niset edhe nga cilido tjetër, që të merr një kuptim të veçantë”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”. 

Kapiti: Kryeministri i Shqipërisë vazhdimisht me sjelljet, qëndrimet dhe deklaratat e tij i ka bërë veç dëm Kosovës 

Kurse, opinionisti nga Shqipëria, Skënder Kapiti në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” vlerësoi se Rama me deklaratat e tij vetëm po e dëmton Kosovën.

Image
Skender Kapiti

Ai konsideron se një konferencë e tillë i shërben vetëm Serbisë dhe nuk do ishte në të mirë të Kosovës. 

“Kryeministri i Shqipërisë vazhdimisht me sjelljet, qëndrimet dhe deklaratat e tij i ka bërë veç dëm Kosovës. Kush ia con në mendje atij që duhet një konferencë ndërkombëtare paqeje për të stabilizuar situatën në Kosovë. I bëjmë këto pyetje kryeministrit shqiptar se a e njeh ai shtetin e Kosovës; a e njeh ai faktin se është mbajtur njëherë një Konferencë ndërkombëtare, ajo e Rambujesë të cilën nuk e njohu Beogradi, dhe që pas kësaj Konference, NATO e bota demokratike ndërhynë dhe i dhanë fund regjimit kolonizues e genocidial njëqindvjeçar të Serbisë. Të thërrasësh e të kërkosh një konferencë ndërkombëtare, kjo gjë do t’i shërbente vetëm Serbisë dhe do ta çonte situatën e kohës para Pavarësisë së Kosovës. Pra, nëse do mbahej një Konferencë ndërkombëtare, kjo do të thotë se në Kosovë paska një problem të pazgjidhur dhe që i shërben vetëm projektit shovinist për botën serbe”, deklaroi opinionist. 

Gjithashtu, Kapiti tha se Rama po sillet sikur nuk e di se kush është shkaktari kryesor i trazirave të fundit në Kosovë. 

Sipas tij, vendi ynë nuk ka nevojë për Ramën, pasi ai vendosi edhe sanksione ndaj Kosovës. 

“Nuk ka nevojë për Konferencë paqeje sepse garante të sigurisë dhe paqes në Kosovë janë shteti institucionet e saj dhe NATO. Kryeministri i Shqipërisë bën sikur nuk e di që shkaktari kryesor i gjithçkaje se çfarë ndodhi kohët e fundit në Kosovë është Beogradi. Kryeministri i Shqipërisë nuk e ka haberin as nga historia, as nga e vërteta dhe nuk ka as ndjesi kombëtare, por thjesht ai është i gatshëm për çdo marrëveshje e akrobaci politike në dëm të Kosovës për interesa të pushtetit personal. Ai e di shumë mirë se në Kosovë atë nuk e pranojnë për asgjë dhe as nuk ia kërkon kush as projektet, as propozimet dhe as fantazitë e tij, sepse Kosova ka shtetin, qeverinë, diplomacinë dhe potencialet akademike e intelektruale për t’u përballur e sfiduar Serbinë. Kosova po, nuk kishte nevojë që Edi Rama dhe Shqipëria t’i vendosnin të parat sanksione asaj. Kosova dhe qeveria e saj mbrojnë shtetin, paqen, sigurinë dhe territorin e vet. Kosova tashmë e di se interesi i Kosovës nuk i intereson kryeministrit shqiptar”, shpjegoi ai. 

Në fund, përmendi se në Shqipëri po dalin kundër Kosovës dhe udhëheqësve të saj edhe disa analistë dhe media të ndryshme. 

“Por, mjerisht koha nxori dhe vuri në provë se në Shqipëri akoma ka mungesë e deficit të madh nacionalist. Këtë e vërteton fakti se kundër Kurtit dhe qeverisë së Kosovës që po mbrojnë dinjitetin, territorin, ligjin e kushtetutën u rreshtuan edhe mediat me   analistë e opinionistë nga Tirana si Mero Baze, Tarifa, Kreshnik Spahiu, Frrok Cupi dhe shumë politikanë shqiptarë, dhe kishte shumë pak zëra në mbështetje të Kurtit, Osmanit e Kosovës”, përmbylli Skënder Kapiti për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat