Deklarata e Peter Stano-s që nxiti reagime/ Koha që BE t’i reagojë seriozisht Serbisë!

Politika

Deklarata e Peter Stano-s që nxiti reagime/ Koha që BE t’i reagojë seriozisht Serbisë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 28 shtator 2023 Në ora: 19:49
Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano

Vrasja tragjike e rreshterit Afrim Bunjaku nga terroristët serbë dhe sulmi terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit solli reagime të ashpra.

Mirëpo, së fundmi vëmendjen mori deklarata e zëdhënësit të BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, i cili ka thënë në një konferencë për media se BE, është në pritje të përfundimit të të gjitha hetimeve të sulmit në veri.

Stano ka thënë se të dielën në Kosovë është kryer sulm terrorist.

Kemi pasur ndryshim shumë të madh të rëndësishëm, pas sulmeve terroriste të së dielës në veri të Kosovës. Për ne është me rëndësi që të bëhet hetim i plotë, të përfundohet hetimi”, u shpreh ai.

Stano është pyetur edhe për publikimin e videos nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ku shihet nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq në Banjskë derisa Stano ka thënë se BE-ja nuk nxiton me vendime pa përfunduar hetimet.

Mirëpo a është koha që BE të reagojë ashpër ndaj Serbisë për aktin terrorist që ka kryer?

Kujtojmë që tensionet në veri të Kosovës vazhdojnë të jenë të larta prej muajit maj, kur banorët e komunave me shumicë serbe në veri nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë prej zgjedhjeve të jashtëzakonshme që u bojkotuan nga serbët.

Gjithashtu vlen të theksohet që organet e sigurisë çdo ditë po arrijnë të zbulojnë personat e përfshirë në këtë akt terrorist që la të vdekur policin Afrim Bunjaku.

Voca: Kemi të bëjmë me ndërhyrje e sulm ushtarak të Shtetit serb brenda Kosovës pa asnjë provokim

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirsad Voca.

Ai u shpreh se BE është në dijeni për sulmin terrorist që ka bërë Serbia ndaj Kosovës dhe sipas tij, BE do të deklarohet qartë dhe pa hezitim për agresionin tani direkt të shtetit serb ndaj shtetit të Kosovës.

Image
Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirsad Voca.

“BE është e pranishme në Kosovë dhe KFOR-i po ashtu, të cilët kanë vëzhguar terrorizmin në Veri dhe kanë konfirmuar e regjistruar çdo gjë nga një sulm direkt nga grupe paraushtarake të trajnuara, të ardhura e të financuara nga Serbia.

Kemi të bëjmë me ndërhyrje e sulm ushtarak të shtetit serb brenda Kosovës pa asnjë provokim.

Ky është fakt i pandryshueshëm, e ky fakt thotë se ndodhi një sulm direkt mbi autoritetet e Republikës së Kosovës duke vrarë një polic dhe plagosur të tjerë. Peter Stano i ka shumë të qarta këto, dhe nuk besoj se do të ketë hezitim që BE të deklarohet qartë për agresionin, tani direkt të shtetit serb ndaj shtetit të Kosovës”, u shpreh ai.

Voca më tej thekson që nëse vazhdon heshtja e BE-së edhe në këtë rast tragjik atëherë mund ta konfirmojmë njëanshmërinë e saj ndaj Kosovës.

“Në Ballkan ka vetëm një agresor dhe të gjithë e kanë të qartë se ai agresor është Beogradi zyrtar, është ky pushtet në Serbi, kjo politikë serbe hegjemoniste e agresive, që u lejua të stërzgjatet për çudi me dekada.

Peter Stano, do ta marrë edhe atë që pret, mirëpo nëse njëmend ai deklarohet ashtu lidhur me faktet e pandryshueshme, duke lënë të kuptohet se ende nuk e di se kush është fajtori, është edhe një konfirmim se BE mbetet dukshmërisht e njëanshme dhe jo e besueshme në qasjen për paqe e stabilitet në Ballkanin perëndimor”, shpjegon Voca.

Ndër të tjera, ai nënvizon që tani për Kosovën është me e rrugës që të dialogojë vetëm me serbët legjitimë të Kosovës në rrethana të lira e paqësore e jo të shantazhuara nga lista serbe.

“Shtypi gjerman, anglez dhe amerikanë e po ashtu politikanë evropianë e amerikanë e kanë adresuar drejt këtë sulm terrorist ndaj Shtetit të Kosovës. Hetimet vazhdojnë edhe më tutje për të rikonfirmuar edhe më saktësisht se kush qëndron qartazi edhe si individë prapa këtyre terroristëve.

Tani për Kosovën është me e rrugës që të dialogojë vetëm Serbë legjitimë të Kosovës në rrethana të lira e paqësore e jo të shantazhuara nga lista serbe lidhur me të drejtat e tyre në Kosovë. Aq më tepër kur ka fakte se nënkryetari i asaj liste e ka udhëhequr atë grup terrorist”, foli Voca për “Bota sot”.

Elezaj: Nëse Serbia do të ndëshkohet kësaj radhe, mendoj se ndëshkimi do të jetë krejtësisht simbolik

Image
Analisti politik Rexhep Elezaj

Ndërsa analisti politik Rexhep Elezaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që deklarata e fundit e Stanos dëshmon edhe njëherë që për Brukselin nuk janë prioritet ngjarjet në Kosovë.

“Deklarata e zëdhënësit të BE-s, P. Stano, lidhur me situatën në veri, se gjoja janë në pritje të përfundimit të hetimeve rreth sulmit terrorist serb në veri, është një paraqitje e zakonshme diplomatike e tij, e cila dëshmon se ngjarjet e fundit në veri të Kosovës nuk kanë ndonjë prioritet për Brukselin zyrtar, madje mund të thuhet, se në një mënyrë, kjo deklaratë flet për fajësinë e tyre si ndërmjetësues, thjeshtë për shkak të paaftësisë për të gjetur ndonjë zgjidhje të pranuar mes palëve në dialog, ku roli ndërmjetësues i BE-së, pra i Berrellit dhe Lajçakut, do duhej tanimë të kishte dhënë ndonjë rezultat konkret”, thekson ai.

Elezaj më tej përmend planin franko-gjerman që Vuçiq e ka refuzuar ani pse sipas emsiarëve ndërkombëtarë është pranuar nga të dy palët.

“Përkundrazi, sepse Brukseli zyrtar dhe posaçërisht dy ndërmjetësuesit në dialogun Kosovë-Serbi, gjatë gjithë kohës së mandatit të tyre për tre vite në postet ndërmjetësuese që ua kanë besuar 27 vendet anëtare të BE-së, sidomos ai z. Borrell, kanë treguar, se, përveç se kanë qenë të njëanshëm dhe në favor të Serbisë, ata janë treguar edhe të paaftë në përmbushjen e rolit dhe detyrave të tyre për të gjetur rrugën dhe mënyrën e arritjes së marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Është kështu për faktin, sepse Planin e BE-së prej 11 pikave për Kosovën (franko-gjermqan) i dakorduar me 27 shkurt në Bruksel, të cilin ua kanë prezantuar palëve, ishte një dokument fakultativ dhe jo obligues, pra nëse do pranoje, nëse nuk do refuzoje, pa asnjë detyrim që palët ta nënshkruajnë të njëjtin, e që ky është varianti më i keq i Konventës së Vjenës (1969), kur bëhet fjalë për marrëveshje mes dy shteteve apo dy ose tri njësive juridike. Janë këto marrëveshje, siç quhen gojore pa nënshkrime, por të cilat bëhen obliguese për palët në prani të dy ose më shumë dëshmitarëve, siç ishin Borrelli dhe Lajçaku prezent në Bruksel dhe Ohër, ku palët marrin obligim moral për respektimin e marrëveshjes, dhe jo ligjor”, potencon analisti.

Analisti shprehet skeptik për ndëshkim ndaj Serbisë, sipas tij nuk do të ketë masa ndëshkuese që do ta dëmtojnë Serbinë, përveç masa simbolike.

“Ndërsa, Planin e BE-së (franko-gjerman) me të kthyer në Beograd, presidenti i Serbisë, fashisti A. Vuçiq, deklarojë para mediave se të njëjtën marrëveshje as nuk e ka pranuar, dhe as nuk e ka nënshkruar, duke e vërtetuar faktin, se marrëveshjet gojore në shekullin 21 nuk kanë më asnjë vlerë dhe obligim juridik për palët, dosido jo për palën serbe, e cila kurrë nuk do të pranojë marrëveshje në të cilën do përfshihet njohja e pavarësisë së Kosovës, qoftë ajo “de-facto”, qoftë “de-jure”!

Ndërsa, sa i përket masave dhe ndëshkimit ndaj Serbisë nga ana e BE-së pas sulmit terrorist të grupit kriminal serb afër fshatit Banjskë, ku vranë policin shqiptar, Afrim Bunjakun, mendoj se BE-ja as që e ka ndërmend ta ndëshkojë Serbinë me ndonjë masë, sepse siç po shihet qartë, ata po duan që me çdo çmim dhe kosto financiare ta joshin regjimin e Beogradit, alias racistin A. Vuçiq, që Serbinë ta tërheq drejt anëtarësimit në BE, përkatësisht që mos ta lejojnë që ato të mbetet nën orbitën cariste të Rusisë, punë kjo e sizifit e BE-së, ngase regjimi i Beogradit në krye me despotin A. Vuçiq, kurrë dhe asnjëherë nuk do t’i prishë marrëdhëniet “vëllazërore” me nënën Rusi. Dhe, diskursi pro-rus i Serbisë është shumë i qartë për ata ë cilët e njohin mirë logjikën, mentalitetin dhe shpirtin e skllavit-robit që kanë serbët ndaj Rusisë, si gjoja shpëtimtare e serbëve gjatë historisë!

Pra, nëse Serbia do të ndëshkohet kësaj radhe, mendoj se ndëshkimi do të jetë krejtësisht simbolik dhe i pa dëmshëm për Serbinë, vetëm sa për të thënë, se ja e ndëshkuam edhe Serbinë, si një ngushëllim i vogël për palën shqiptare në dialog, dhe asgjë më shumë”, përfundoi Elezaj për “Bota sot”.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, deklaroi të enjten se qëndrimi i BE-së është se ajo që ndodhi në Banjskë të dielën është një akt terrorist dhe tregoi se të gjithë ata që janë përgjegjës për atë sulm duhet të sillen para drejtësisë dhe të mbajnë përgjegjësi për të.

“Duhet të jemi të sigurt që është hetuar plotësisht dhe jo vetëm ata që kanë kryer sulmin, por edhe ata që kanë marrë pjesë në çfarëdo mënyre tjetër duhet të mbajnë përgjegjësi. Duhet të jemi të sigurt që drejtësia të arrihet për ata që planifikuan, e realizuan dhe ata që qëndrojnë pas gjithë kësaj. Ky është qëndrimi i BE-së që është përsëritur disa herë”, tha Stano në konferencën për shtyp.

Ai theksoi se BE-ja nuk do të komentojë çdo ditë deklaratat dhe vërejtjet e të gjithëve nga rajoni.

“BE-ja ishte e qartë në të gjitha deklaratat dhe në deklaratën e përfaqësuesit të lartë, deklaratën e përbashkët të anëtarëve të Unionit, anëtarëve individualë, se cilat janë pritjet e Unionit – të dyja palëve iu tha se çfarë duhet bërë menjëherë, sepse ajo që ndodhi të dielën është shumë e rëndë, por mënyra se si funksionon BE-ja nuk është të komentojë çdo vërejtje dhe lëvizje të vetme në zhvillimin e ngjarjeve pas asaj që ndodhi të dielën”, tha ai.

Stano përsëriti se BE nuk angazhohet përmes publikut dhe medias.

BE-ja është e përfshirë në masë të madhe në hetim, thotë Stano dhe shton se bashkëpunojnë me partnerët në rajon si dhe me partnerët ndërkombëtarë.

Siç shton ai, BE-ja do të japë përgjigjet përkatëse kur shtetet anëtare të vendosin se ka ardhur momenti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat