Pas sulmit terrorist në veri, a mund të ushtrojë Kosova padi kundër Serbisë? Flasin juristët

Politika

Pas sulmit terrorist në veri, a mund të ushtrojë Kosova padi kundër Serbisë? Flasin juristët

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 29 shtator 2023 Në ora: 08:04
Policia

Të dielën e 24 shtatorit terroristët serbë kryen terror ndaj Policisë së Kosovës. Aty mbet i vrarë rreshteri Afrim Bunajku dhe u plagos polici Alban Rashiti.

E gjitha kjo ndodhi dhe u pa nga e gjithë bota. Pas këtij sulmi qëndron Serbia, madje për këtë ministri Xhelal Sveçla ka publikuar pamje, foto e dokumente, për ta faktuar sulmin e së dielës.

Prijës i këtij sulmi ishte Millan Radoiçiq, i cili është edhe nënkryetar i Listës Serbe, parti kjo e cila është pjesë përbërëse e Kuvendit të Kosovës.

Të enjten, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë të përbashkët me të cilën dënoi sulmin terrorist të Serbisë në veri, si dhe kërkoi hetim ndërkombëtar në lidhje me rastin.

Këto ditë është disktuar edhe mundësia që Kosova ta padisë Serbinë pas këtij terrori?

Por, juristët vlerësojnë se kjo gjë fatkeqësisht është e pamundur.

Bajraktari: Inicimi i rastit në Gjykatën Ndërkombëtare, fatkeqësisht është i pamundur

Avokati Ardian Bajraktari në një bashkëbisedim për “Bota sot” ka thënë se ajo çfarë ka ndodhur në veri është akt terrorist dhe ka prova të mjaftueshme për këtë.

Ai thotë se organet e drejtësisë po bëjnë punën e tyre, duhet inkurajuar dhe mbështetur, në mënyrë që të argumentohet para botës demokratike kjo çështje.

“Ajo çfarë kemi parë ditën e 24 shtatorit nuk ka asnjë dyshim se është akt terrorist, por po ashtu janë edhe sulme kundër rendit kushtetuese dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Gjithnjë, nga ajo që kemi parë deri tani, ka besoj prova të mjaftueshme për të konstatuar këto veprime si të tilla.

Sjellja dhe veprimet e Serbisë kanë qenë të vazhdueshme për ta destabilizuar dhe për ta bërë jo-funksional shtetin e Kosovës. Po ashtu, është shumë e qartë se prapa këtij sulmi qëndron Beogradi zyrtar. Organet tona të drejtësisë po bëjnë punën e tyre, duhet inkurajuar dhe mbështetur, në mënyrë që të argumentohet para botës demokratike kjo çështje. Kësaj i kontribuon prezenca dhe monitorimi i procesit të sa më shumë organizatave qoftë vendore apo edhe ndërkombëtare”, deklaron ai.

Image
Ardian Bajraktari

Bajraktari thotë se inicimit i rastit në Gjykatën Ndërkombëtare, fatkeqësisht është i pamundur, duke pasur parasysh pozicionin e Kosovës në raport me atë Gjykatë.

“Natyrisht se çdo hetim ndërkombëtar në këtë drejtim është i mirëseardhur dhe i kontribuon argumentimit të këtij rasti, si akt terrorist, si dhe konstatimi i të vërtetë i gjendjen. Kjo është shumë e qartë se Serbia qëndron prapa këtij sulmi, sa i përket inicimit të rastit në Gjykatën Ndërkombëtare, fatkeqësisht është e pamundur, për faktin se siç është e njohur pozicioni i Kosovës në raport me Gjykatën ndërkombëtare”, përfundon ai.

Burjani: Gjasat ligjore nuk janë që të paditet Serbia

Edhe juristi Blerim Burjani, thotë se një gjë e tillë nuk mund të bëhet, por se mund të paditen vetëm individë, shtetas të Serbisë ose edhe ata që janë me dy shtetësi.

Sipas tij, me rastin e fundit situata mes Kosovës dhe Serbisë është kthyer në pikën zero.

“Kjo është e komplikuar, mund të paditen individët qoftë shtetas të Serbisë ose me dy shtetësi, sepse gjasat ligjore nuk janë që të paditet Serbia, dënimi mund të jetë politik ndërkombëtar.

Me rëndësi është që BE dhe SHBA të akuzojnë Serbinë për këto akte që kanë për qëllim të krijojnë efekt negativ në ngociata për Kosovën dhe me rrit pazarin politik për modalitet të zgjidhjeve të problemeve në veri. Situata është vendosur në zero në raportet Kosovë-Serbi”, deklaron Burjani.

Image
Blerim Burjani

Kelmendi: Terroristë duhet t’i dorëzohen shtetit ku kanë kryer terror

Edhe Muhamet Kelmendi në një përgjigje të shkurt për “Bota sot” thotë se nuk ka gjyq ndërkombëtar për këto raste.

Sipas tij, terroristët duhet t’i dorëzohen vendit ku e kanë kryer terrorin dhe shteti pastaj e ka në dorë se si të veprojë me ta.

Ai thotë se për terroristët dënimet janë me burg të përjetshëm.

Image
Muhamet Kelmendi

“Për këto raste nuk ka gjyq ndërkombëtar. Terroristë jepen dhe i dorëzohen shtetit ku ka kryer terror. Shteti ku është kryer vepra është kompetente për të vendosur. Dënimet tek ne janë deri me burg të përjetshëm. Kjo varet nga vendi, koha dhe rreziku i veprës”, thotë Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat