Mosndëshkimi i Serbisë nga BE-ja, alarmojnë analistët: Stimulim për akte të tjera agresive e armiqësore!

Politika

Mosndëshkimi i Serbisë nga BE-ja, alarmojnë analistët: Stimulim për akte të tjera agresive e armiqësore!

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 29 shtator 2023 Në ora: 11:58
Foto ilustrim nga sulmi terrorist serb në veri

E diela e 24 shtatorit e gjeti Policinë e Kosovës duke luftuar me terroristët serbë në fshatin Banjskë të Zveçanit.   

Nga aksioni që po zhvillohej aty terroristët serbë vranë një polic të Kosovës, tashmë të ndjerin Heroin Afrim Bunajku.  

Dyshohet se prijës i këtij grupi terrorist ishte Millan Radoiçiq, i cili raportohet se është plagosur.  

Këtë akt kriminal e kanë dënuar të gjithë, jo vetëm liderët tanë shtetëror, por edhe komuniteti ndërkombëtar.  

BE-ja është ajo e cila po kërkon hetime për verifikimin e ‘fajtorit’ në këtë rast.  

Zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano, tha se Bashkimi Evropian (BE) do të presë përfundimin e hetimeve të plota për sulmin terrorist të së dielës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, para se të marrë një vendim dhe konkluzione për çfarëdo mase dhe pasojë, duke mos dashur të komentojë pretendimet se disa shtete anëtare kanë kërkuar vendosjen e masave ndaj Serbisë.  

“Nuk është kompetencë ime të jap informacione nga bisedat konfidenciale dhe informacionin për mbledhjen e Komisionit për Politikë dhe Siguri të martën”, ka thënë Stano.  

Kurse, nga ana tjetër, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje dhe foto e dokumente ku çdo fakt tregon se prapa gjithë kësaj qëndron Serbia.  

Pas terrorit të dielën e 24 shtatorit, çfarë po pret akoma BE-ja për mos ndëshkimin e Serbisë?!  

Haziri: Kjo politikë e mosndëshkimit të Serbisë nga ana e BE-së, duhet të marrë fund  

Analisti Nexhat Haziri, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se sulmi në Bansjkë ishte jo vetëm terrorist, por edhe i përgatitur e sponzorizuar nga dhe i urdhëruar nga Serbia kundër Kosovës.  

Image
Nexhat Haziri

“Në shikim të parë nëse mund të themi kështu, deklarata e zëdhënësit të BE-së, është korrekte pasi që një qëndrim i tillë është edhe i SHBA-së, që duan kohë deri sa t’i përfundojnë hetimet e tyre për të nxjerrë një përfundim, paçka që tashmë dihet se ngjarja e së dielës në fshatin Bajnskë të Zvecanit, ishte një akt jo vetëm terrorist, por një sulm i përgatitur, i sponzorizuar dhe i urdhëruar nga Serbia kundër sovranitetit dhe integritetit teritorial të republikës së Kosovës. Megjithatë ne nuk jemi ata që mund t’i ndikojmë politikat e BE-së dhe qëndrimet e tyre”, thotë ai.   

Sipas tij, nëse edhe në këtë rast BE-ja nuk e dënon Serbinë, atëherë është pikërisht ajo e cila po e stimulon Serbinë për akte të tjera agresive e armiqësore ndaj Kosovës.  

“Por, edhe Brukseli do të duhet të jetë i vetëdijshëm se mos dënimi i Serbisë edhe për këtë rast, atëherë është pikërisht kryeqyteti evropian si ndërmjetësues në mes Kosovës dhe Serbisë, që po e minon procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe po e stimulon Serbinë për akte të tjera agresive e armiqësore ndaj Kosovës por edhe së cilit fqinjë të saj.  Kjo politikë e mosndëshkimit të Serbisë nga ana e BE-së, duhet të marrë fund, pasi që është politikë e cila qon në destabilizim të vazhdueshëm jo vetëm të raporteve Kosovë-Serbi, por edhe në rajonin e Ballkanit. Serbia disiplinohet dhe detyrohet të jetë konstruktive vetëm atëherë kur ndëshkohet për veprimet destabilizuese në Kosovë dhe më gjerë”, përfundon ai.  

Qarri: Sulmet flasin qartë se me çfarë shteti fashist, në mes të Evropës, kemi të bëjmë, ne si shqiptar   

Image
Gani Qarri

Analisti Gani Qarri, përveç lëvdatave për Policinë e Kosovës, ai duke iu rikthyer terroreve që ka bërë Serbia ndër vite në Kosovë, ka thënë se Kosova ka të bëjë me një shtet fashist, e cila lufton me të gjitha mjetet dhe mundësitë, për gllabërim territoresh nga vendet fqinje, me qëllim të krijimit të Serbisë së madhe.  

“Në fakt Serbia fashiste, që nga çlirimi i Kosovës e këndej, gjithmonë vetëm ka ndërruar format dhe mënyrat e provokimit, përndryshe ndërhyrjet e hapura brutale në punët e brendshme dhe involvimet e pareshtura fizike përmes grupeve kriminale në brendësinë e territorit të Republikës së Kosovës, kanë vijuar pandërprerë dhe zgjasin tash e mbi dy dekada me radhë, gjë që kulmoi me sulmin më të rrezikshëm terrorist të ditëve të fundit, me ç` rast edhe u vra polici Afrim Bunjaku, në krye të detyrës.   

Ndaj nuk duhet harruar faktin se Policia e Kosovës, është storia më e suksesshme në gjithë historinë e pas pavarësisë së vendit tonë, kështu që përveç ndarjes së 50 mijë eurove për familjen e heroit Afrim Bunjaku, që edhe është akt për çdo lëvdatë, Qeveria duhet të çojë urgjentisht përpara edhe plotësim ndryshimin e ligjit për sigurimet jetësore e shëndetësore për të gjithë policët tanë, të cilët në mungesë të pranisë së FSK-së në veri të Kosovës, janë detyruar të veprojnë si policë dhe ushtar dhe përveç si ruajtësit më besnik të rendit e të ligjit, ata kanë mbrojtur edhe kufijtë dhe tërësinë territoriale të shtetit tonë të ri, duke garantuar kushtetutshmërinë në të gjithë territorin, forcuar shtetndërtimin dhe quar përpara mbarëvajtjen në tërësi të Republikës së Kosovës.  

Të gjithë neve na kujtohet mirë dëbimi i mbi 14 mijë shqiptarëve nga vatrat e veta autoktone në veri, djegia e pikave kufitare në kufijtë verior të Kosovës me Serbinë, vrasja e policit Enver Zymberi, vrasja e ushtarit të NATO-s dhe plagosja e shumë të tjerëve, uzurpimi i gjykatave në veri, mbyllja e Urës së Ibrit e cila edhe sot mbahet e mbyllur për automjete, nisja e trenit rus, me mbishkrime nacionaliste për në Mitrovicë, sulmet me bomba në objektet e komisionit zgjedhor, rrahja e shqiptarëve pa asnjë shkas as arsye, edhe nëse vetëm rastësisht gjendeshin në veri, deri te vrasja fare e pa provokuar, në krye të detyrës së vet zyrtare, nga terroristët serb e policit Afrim Bunjaku, kapja e gjithë asaj morie të armatimit e municionit luftarak etj....flasin qartë se me çfarë shteti fashist, në mes të Evropës, kemi të bëjmë, pikësëpari ne si shqiptar dhe shteti i Kosovës edhe 24 vite pas çlirimit.   

Por përkundër të gjithave, BE i vendosi krejt padrejtësisht masa ndëshkuese vetëm Republikës së Kosovës e jo edhe Serbisë hegjemoniste e cila që nga vitet e 90-ta, lufton në kuptimin e plotë të fjalës, në vijimësi, me të gjitha mjetet dhe mundësitë, për gllabërim territoresh nga vendet fqinje, me qëllim të krijimit të Serbisë së madhe, duke shkaktuar qindra mijëra viktima të pafajshme dhe gjakderdhjet më të mëdha në rajon, që nga Lufta e Dytë Botërore”, shprehet Qarri.  

Kurse, për deklaratën e Stanos, Qarri shprehet se “pas terrorit që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, përsëri ka fytyrë e ndërgjegje të dalë e të thotë se nuk do të merren masat ndëshkuese deri në përfundim të hetimeve”.  

“Prandaj habit shumë fakti se edhe pas sulmit të fundit terrorist serb, në Kosovë, zëdhënësi i BE-së, përsëri ka fytyrë dhe ndërgjegje, përkundër të gjithave sa ndodhën të deklaroj se ndaj Serbisë nuk do të merren masat ndëshkuese deri në përfundim të hetimeve, akt tragjik ky, për të cilin shteti i Kosovës duhet të konsultohet urgjentisht dhe në mënyrë sa më të ngushtë e konstruktive me miqtë ndërkombëtar dhe të dal me një vendim të prerë se; guxon apo jo, që me zëdhënës e ndërmjetësuesit e njëjtë të njëanshëm të BE-së, të pranojë të ulet edhe më tej, në tryezë të bisedimeve.   

Madje përderisa Serbia himnizon edhe terroristët duke shpallë për ta, edhe ditë zie në Serbi, në vend të dorëzimit të tyre institucioneve të Republikës së Kosovës për gjykim, apo të paktën fillimisht të bëj vet burgosjen dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre kriminelëve, që pas sulmit terrorist në Kosovë, ikën në Serbi, mbetet pikëpyetje shumë e madhe, se pse, përfundimisht nuk ndëshkohet edhe Serbia, sidomos pas pamjeve autentike të pranisë fizike të terroristëve, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Manastir, të paraqitura me video-incizime nga autoritetet e Republikës së Kosovës”, shprehet ai.   

Në fund, pas gjithë atyre fakteve e dokumenteve të publikuara tashmë, është e pakuptueshme dhe e neveritshme mos ndëshkimi i Serbisë nga BE-ja.  

Dhe në kohën kur gjithandej flitet publikisht, se Serbia hegjemoniste është e përfshirë direkt, në armatosjen dhe stërvitjen e terroristëve, si dhe inskenimin e vet sulmit terrorist, kundër policisë së Kosovës, duke keqpërdorur edhe objektet fetare ortodokse, ku qëndruan terroristët dhe u gjetën aq shumë municione e armatime të të gjitha llojeve, vërtetë jo vetëm që bëhet shumë e pakuptueshme, por edhe tejet e neveritshme, se çfarë në të vërtetë po pret të kuptoj më shumë se kaq BE-ja, se a qëndruaka Vuçiqi dhe Serbia hegjemoniste prapa këtij sulmi terrorist?!   

Këto qëndrime dualiste e mjaft konspirative si dhe deklaratat e bezdisshme dhe shumë të dëmshme e neveritëse të BE-së, edhe pse shihet qartë nga të gjithë, se ka disa vite, që Serbia ndërhynë edhe në destabilizimin e Bosnjës, Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës, po ndikojnë aq keq dhe jo vetëm po nxitin, por indirekt edhe sikur i licencojnë dhe shtyjnë drejtpërsëdrejti kriminelët serbë, që të përpiqen edhe më tej, të mos i ndalin aksionet terroriste në veri të Kosovës, apo edhe më gjerë në rajonet kufitare me Serbinë fashiste, përmes grupeve kriminale serbe të udhëhequra dhe dirigjuara nga pasardhësi i Millosheviqit, krimineli Aleksandër Vuçiq”, përfundon Qarri për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat