Borell dhe Lajçak pa kredibilitet në dialog, kërkohen sanksione të forta ndaj Serbisë

Politika

Borell dhe Lajçak pa kredibilitet në dialog, kërkohen sanksione të forta ndaj Serbisë

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 29 shtator 2023 Në ora: 22:02
Miroslav Lajçak, Josep Borrell dhe Albin Kurti

Sulmi që ndodhi në veri të Kosovës nga grupi terrorist serb, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, sipas analistëve politikë është tregues i qartë se Serbia nuk do zgjidhje me dialog me Kosovën.

Po ashtu, analistët kërkojnë përjashtimin nga dialogu të dy emisarëve, kryediplomatin europian, Josep Borrell dhe me emisarin Miroslav Lajçak. Kurse vet Lajcak ka paralajmëruar vazhdimin e dialogut.

Lajçak e Borell pa kredibilitet

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Nexhat Haziri thotë se Lajcak e Borell nuk kanë më kredibilitet pas sulmit terrorist të së dielës që ndodhi në veri të Kosovës.

“Se kanë humbur kredibilitetin si ndërmjetësues Borell dhe Lajcak pas aktit terrorist të së dielës kjo më as që duhet të diskutohet, por ndërrimi i tyre nuk varet nga Kosova, por nga Brukseli dhe Uashingtoni, ku të dy qendrat tashmë janë vënë në lëvizje për të gjetur modulin se si të vazhdohet dialogu Kosovë -Serbi, edhe pse formati i këtij procesi që u zhvillua deri më tani thuajse është i pamundur të vazhdojë”, shprehet Haziri.

Image
Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Nexhat Haziri

Sipas tij, është momenti i fundit që Bashkimi Evropian të reflektojë ndaj Serbisë, ndaj së cilës duhet të ndërmerren sanksione të rënda.

“Akti i sulmit të Serbisë përmes këtij grupit terrorist ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, do të duhej ta bindte BE , por edhe SHBA-ne për masa ndëshkuese ndaj Serbisë të cilat do ta disiplinonin Beogradin zyrtar dhe do ta detyronin që të sillej me përgjegjshëm karshi procesit të dialogut me Kosovën dhe përmbushjen e obligimeve që dalin nga marrëveshja e Ohrit. Sanksionet që Serbisë mund të vihen janë ndërprerje e mbështetjes financiare nga BE, ngrirja e procesit te anëtarësimit në BE, por edhe pezullimin e liberalizimit të vizave apo të lëvizjes së shtetaseve të Serbisë në zonën shengen të BE-së”, thekson Haziri për “Bota sot”.

“Por ajo që tashmë dihet dhe është i pa alternativë, është se dialogu duhet të vazhdoj, dhe ky është qëndrim i Brukselit dhe i Uashingtoni, se në çfarë formati, kjo mbetët për tu parë. Dhe për fund tani Kosova është në pozicion shumë më të favorshëm në këtë proces se që ishte deri më tani dhe kjo duhet të shfrytëzohet nga pala e Kosovës”, deklaron Nexhat Haziri.

Momenti i fundit për BE-në

Image
Faton Mehmeti

Kurse analisti Faton Mehmeti thotë se fajtor për sulmin që ndodhi në Kosovë është edhe Bashkimi Evropian me qasjen që ka ndjekur ndaj Serbisë.

“Dialogu nën ndërmjetësimin e BE-së ka dështuar shumë kohë më parë sepse BE ka ledhatuar Serbinë në vazhdimësi. Pikërisht ky ledhatim ka ndikuar që Serbia të "qoj krye" për të sulmuar institucionet, Policinë e Kosovës. Në fakt, fajtor indirekt për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës është edhe vet BE, pasi ka ledhatuar Serbinë në vazhdimësi”, deklaron Mehmeti.

Mehmeti ashtu si Haziri, kërkon sanksione të forta për Serbinë.

“Është koha e fundit që BE të reflektojë, edhe pse jam prape pesimist se BE ka aftësinë për të ndryshuar qasje e për të arritur marrëveshje. Serbia duhet të sanksionohet me ngrirje të fondeve, pezullim për anëtarësim në BE si dhe forma të tjera”, përfundon për “Bota sot”, analisti Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat