“Drafti për asociacionin në koordinim me SHBA-në”/ Mirëpritet ideja e Osmanit, kërkohet që fillimisht të shpallet e jashtëligjshme Lista serbe

Politika

“Drafti për asociacionin në koordinim me SHBA-në”/ Mirëpritet ideja e Osmanit, kërkohet që fillimisht të shpallet e jashtëligjshme Lista serbe

Nga: Qëndresa Rexhaj Më: 30 shtator 2023 Në ora: 12:03
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova duhet që së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përgatisë draftin për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Osmani tha se Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë vitit nuk “është perfekte” për Kosovën, por është obligim ndërkombëtar.

Ajo tha se ende ka dyshime se si mund të zbatohen në praktikë disa pjesë të saj, duke përmendur nenin 7 dhe 10. Neni 7 flet për sigurimin e një niveli të duhur të vetëmanxhimit për komunitetin serb, në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut.

Ndërkaq, neni tjetër kërkon që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë atë për Asociacionin.

“Mendoj që zgjidhja është si vijon: Ne duhet të ulemi me SHBA-në, të përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës. Fillimisht [vetëm me SHBA-në], unë mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në SHBA, të prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën e ish-shefes së diplomacisë së BE-së, Federica Mogherinit që garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan në opinionin e shkruar nga këshilltari i lartë i DASH-it, Derek Chollet dhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar që sqarojnë që një trup e tillë do të jetë një trup koordinues, pa kompetenca ekzekutive”, tha Osmani.

Për këtë deklaratë të Osmanit, njohësit e zhvillimeve politike në vend, thonë se pas zhvillimeve të fundit në veri, Kosova duhet të veproj tutje vetëm në koordinim me ShBA-të për përmbyllje të dialogut me Serbinë.

Haziri: Është i pa alternativ bashkëpunimi me ShBA-në

Image
Analisti politik, Nexhat Haziri

Analisti politik, Nexhat Haziri, vlerëson se bashkëpunimi me ShBA-të për përmbylljen e dialogut me Serbinë është i pa alternativ.

Kurse, sa i përket asociacionit, ai vlerëson se është hap i mirë edhe pse paksa i vonuar, pasi sipas tij, sikur kjo iniciativë të vinte më herët dhe në koordinim të plotë e të afërt me ShBA-të sot situata në veri do të ishte shumë më ndryshe.

“Është i pa alternativ bashkëpunimi me ShBA-në për ta përmbyllur dialogun me Serbinë dhe është e vetmja garancë që kjo marrëveshje të jetë e zbatueshme dhe obligative. Sa i përket asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe paralajmërimi nga presidentja Osmani, është hap i mirë edhe pse paksa i vonuar, pasi sikur kjo iniciativë të vinte më herët dhe në koordinim të plotë e të afërt me ShBA-të sot situata në veri do të ishte shumë më ndryshe dhe vet Kosova do të ishte në një pozicion më të mirë”, deklaron Haziri për “Bota sot”.

Qarri: Pas sulmit terrorist kundër Policisë së Kosovës, ka ndryshuar gjendja tërësisht

Image
Analisti politik Gani Qarri

Nga ana tjetër, analisti politik Gani Qarri thekson pas zhvillimeve në veri, Kosova duhet të marrë një vendim ligjor, se si të veprohet me “Listën srpska”, dhe pastaj të studioj mundësit adekuate për formimin e organit përfaqësues të pakicës serbe në Kosovë.

“Duke pasur parasysh aktin barbar të sulmit terrorist të grupeve kriminale serbe me në krye, kryekriminelin serb Milan Radojçiq, i cili në fakt është edhe nënkryetar oficiel i "listës srpska" që vepron si dorë e zgjatur e Serbisë fashiste në Kosovë, Qeveria e vendit në koordinim me SHBA-të dhe shtetet mike evropiane si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Austria etj, nga e cila vijnë publikisht zërat më të fortë për shpalljen e "listës serbe" organizatë terroriste, shteti ynë fillimisht duhet të marrë një vendim ligjor, se si të veprohet me të ashtuquajturën "lista srpska" dhe vetëm pastaj të studioj mundësit adekuate për formimin e organit përfaqësues të pakicës serbe në Kosovë. Kjo mënyrë veprimi, tanimë është bërë jo vetëm e domosdoshme, por edhe akt i patejkalueshëm, nëse nuk duam që serish, të përsëriten aktet terroriste në Kosovë, ngase me rastin e sulmit terrorist kundër Policës së Kosovës, nga Milan Radojçiq dhe kriminelët e tjerë serb, grupi në fjalë praktikisht është shndërruar në krah të armatosur të "listës srpska" kurse "lista srpska" është kthyer në krah politik të terroristëve serb, në krye me kryekriminelin dhe nënkryetarin e "listës srpska" Milan Radojçiq”, thotë Qarri.

Tutje ai potencon se, në vend të asociacionit duhet të krijohet “Këshilli Nacional Serb”, që në aspektin ligjor, funksionon si një lloj asociacioni, pa kompetenca ekzekutive dhe kujdeset për pakicën nacionale serbe.

“Ndaj ashtu siç deklarojë këto ditë edhe Josip Juratoviq përfaqësues i legjislaturës së 20-të, të Bundestagut Gjerman, edhe në Kosovë, njëjtë si në Kroaci, në vend të asociacionit, duhet të krijohet një Këshilli Nacional Serb, që në aspektin ligjor, funksionon si një lloj asociacioni, pa kompetenca ekzekutive dhe kujdeset për pakicën nacionale serbe. Ndërsa statuti i organit koordinues i Këshillit Nacional Serb, duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjin për të drejtat e pakicave kombëtaren në Kosovë, njëjtë siç është rregulluar edhe në Republikën e Kroacisë, bazuar në praktikat e Bashkimit Evropian, e i pranuar edhe nga faktori ndërkombëtar, gjë që ka mundësuar edhe pranimin e Kroacisë në Bashkimin Evropian. Kështu që pas Kroacisë, formimi i Këshillit Nacional të pakicës serbe, edhe në Kosovë, nuk është më vetëm propozim i kryeministrit Kurti, por edhe shembulli më i mirë i praktikave të BE-së, pikërisht për rregullimin me ligj të të drejtave, të pakicës serbe, në një shtet tjetër fqinj me Serbinë, si Kosova”, deklaron ai.

Tutje, ai thotë se pas sulmit në veri, Kosova duhet të koordinohet me ShBA-të për hapat tutje.

Madje, potencon se asociacioni në format dhe mënyrat që e kërkon Serbia hegjemoniste, pas ngjarjeve të fundit, duhet të hidhet kategorikisht poshtë dhe mënjanohet me çdo kusht.

“Për ndryshe pas sulmit terrorist kundër Policisë së Kosovës, ka ndryshuar gjendja tërësisht dhe asgjë nuk është më, si më parë, ndaj vetëm pas marrjes së një vendimi mbi të ashtuquajturën “lista serbe” e cila aktualisht u dëshmua se mbetet organizata më e rrezikshme, me veprim të lirshëm në vend, shteti i Kosovës serish në koordinim me ShBA-të, duhet të marrë një vendim të miratuar nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar e cila është zëri më i fuqishëm kundër veprimeve terroriste të kriminelëve serb në Kosovë, para dhe pas aktit terrorist, në Banjë të Zveçanit, Gjermania, Austria dhe vendet kryesore të faktorit ndërkombëtar, për përmbylljen me sukses të dialogut me Serbinë, duke formuar një Këshill Nacional të pakicës serbe në Kosovë, njëjtë si Këshilli Nacional serb në Kroaci, i cili është miratuar nga BE, SHBA dhe pranuar nga mbarë faktori ndërkombëtar. Kurse asociacioni, në format dhe mënyrat që e kërkon Serbia hegjemoniste, pas ngjarjeve të fundit, duhet të hidhet kategorikisht poshtë dhe mënjanohet me çdo kusht”, thotë ai për “Bota sot”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 marrëveshjen për parimet për themelimin e tij. Por, më 2015 Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik dhe kërkoi që ajo të harmonizohej përmes akteve nënligjore.

Për jetësimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, aktualisht ekzistojnë katër draft-statute dhe draft-vizione: Draft-statuti i Ekipit Menaxhues, draft-vizioni i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, draft-statuti i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe draft-statuti për Asociacionin i hartuar nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES).

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht i kanë kërkuar Kosovës që të formojë Asociacionin, që është edhe kërkesa kryesore e Beogradit.

Qeveria e Kosovës druan se një asociacion njëetnik do të mund të cenonte funksionalitetin e shtetit. Por, SHBA-ja insiston se nuk do të lejojë që Asociacioni t’i ngjasojë entitetit të Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë.

BE-ja dhe SHBA-ja po ashtu kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë menjëherë Marrëveshjen drejt normalizimit.

Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat