NATO miraton forca shtesë pas tensioneve në veri/ Ky është paralajmërimi – ja çfarë mund të fshihet pas këtij vendimi

Politika

NATO miraton forca shtesë pas tensioneve në veri/ Ky është paralajmërimi – ja çfarë mund të fshihet pas këtij vendimi

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 1 tetor 2023 Në ora: 13:00
Pjesëtarë të KFOR-it në Zveçan - pjesa veriore e Kosovës.

Tensionet në veri u rritën sërish nga 24 shtatori, kur grupe të armatosura sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në përleshjet që pasuan mbetën të vrarë edhe tre terroristë.

Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila funksionon me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

E të gjendur me këtë situatë NATO njoftoi të premten se ka miratuar forca shtesë për t’i dislokuar në veri të Kosovës - zonë e banuar me shumicë serbe - për shkak të rritjes së tensioneve.

“Ne gjithmonë do të sigurojmë që komandanti ynë t’i ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm, në mënyrë që KFOR-i [Misioni i NATO-s në Kosovë] ta përmbushë mandatin e tij”, tha përmes një deklarate sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ai, po ashtu, bëri thirrje për “shtensionim urgjent” të situatës.

Kujtojmë që në maj, dhjetëra ushtarë të KFOR-it u plagosën në Zveçan - komunë në veri të Kosovës - pasi u sulmuan nga disa protestues serbë që kundërshtonin vendosjen e kryetarëve shqiptarë në komunat në veri.

Asokohe, KFOR-i rriti praninë në Kosovë me rreth 700 ushtarë

Shala: Shqipëria është pjesë e KFOR/NATO dhe kjo do të ndikonte në një stabilitet mëtutjeshem

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë Drizan Shala.

Ai u shpreh se vendosja e gatishmëris së ushtrisë së Serbisë në brezin kufitar është në vazhdën e lojrave politike që i bën Vuçiqi dhe se ndaj rrezikut do të duhej të marrim veprime të tona shtetërore por edhe koordinim me forcën ushtarake KFOR.

Image
Eksperti i sigurisë Drizan Shala.

“Eskalimi gjithmonë është permanent në situata të tilla të pas konfliktit një ditor të zhvilluar me 24 shtator 2023. Vendosja e gatishmëris së ushtrisë së Serbisë në brezin kufitar është në vazhdën e lojrave politike që i bën Vuçiqi për të përçuar mesazh politik për politikën e brendshme por edhe në arenën ndërkombëtare. Ndaj rrezikut do të duhej të marrim veprime të tona shtetërore por edhe koordinim me forcën ushtarake KFOR e cila ka mandatin e saj në bazë të rez.1244”, u shpreh ai.

Më tej, eksperti i sigurisë thekson që propobiliteti është i lartë në shkallën e rrezikshmërisë apo kërcënimit që është prezent në atë pjesë bazuar në disa faktor të rrethanës.

“Situata e tillë pas datës së 24 shtatorit të sulmit diverzant terrorist tani është duke vazhduar sipas ligjeve të Kosovës (KPPK dhe KPK) në procesin hetimor ndaj personit dhe grupit në fjalë. Propobiliteti është i lartë në shkallen e rrezikshmërisë apo kërcënimit që është prezent në atë pjesë bazuar në disa faktor rrethanues që po mbajnë këtë potencial të lartë dhe për këtë shteti ka marrë masat adekuate preventive për të mos lejuar /minimizuar rastet të tilla të na përsëriten”, foli më tej eksperti i sigurisë.

Ndër të tjera, ai përmendi edhe deklaratën e Ramës si anëtare e NATO-së që garanton misionin e saj në Kosovë.

“Ndërsa deklarimi i Kryeministrit Rama është në saje të pozicionimit si anëtar i NATO-s që është Tirana zyrtare dhe e cila është bazuar në informacionet inteligjente, si anëtare e saj ka bërë një kërkese optimale për të garantuar misionin e saj në Kosovë. Duke marrë për bazë që edhe Shqipëria është pjesë e KFOR /NATO dhe kjo do të ndikonte në një stabilitet të mëtutjeshem nga kërcënimet e jashtme që mund të vihen”, nënvizoi Shala për “Bota sot”.

Mehazi: Forcat shtesë të KFOR-t në veri të Kosovës në zonën e banuar me shumicë serbe kanë qëllimin e shuarjes së tensioneve të ndodhura gjatë kësaj jave

Image
Profesori Sulejman Mehazi

Ndërsa profesori Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që ky paralajmërim i Stoltenberg, nuk është i rastësishëm, me siguri forcat e sigurisë së NATO-s kanë informacione të ndonjë vatre të dytë eskaluese të terroristëve serbë në veri.

“Është e logjikshme që pas vrasjes së policit, Afrim Bunjakut, nga terroristët serbë dhe dëbimit e mposhtjes spektakolare të terroristëve serbë në Banjskë nga policia e Kosovës, NATO, KFOR-i së bashku me policinë e ushtrinë e Kosovës duhet të jenë vigjilentë në veri të Kosovës, për shkak të ndonjë zjarri të dytë revanshues të terroristëve të Vuçiqit. Ky paralajmërim i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, nuk është i rastësishëm, me siguri forcat e sigurisë së NATO-s kanë informacione të ndonjë vatre të dytë eskaluese të terroristëve serbë në veri apo brenda Kosovës”, shpjegon profesori.

Ndër të tjera, ai shtoi që forcat shtesë të KFOR-t në veri të Kosovës në zonën e banuar me shumicë serbe kanë qëllimin e shuarjes së tensioneve të ndodhura gjatë kësaj jave.

Gjithashtu, ai tha përveç forcave shtuese të KFOR-it në veri duhet të jenë tog edhe policia dhe FSK-ja e Kosovës.

“Forcat shtesë të KFOR-t në veri të Kosovës në zonën e banuar me shumicë serbe kanë qëllimin e shuarjes së tensioneve të ndodhura gjatë kësaj jave, edhe pse përjashtësisht, mediakisht e politikisht duket si dëshirë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës të cilët kërkuan që pjesa veriore serbe e Kosovës të jetë e kontrolluar nga KFOR-i, por nuk do thonim se NATO së bashku me KFOR-in të japin siguri pa bashkëpunuar me policinë e Kosovës, pasi policia e Kosovës është për sigurinë e qytetarëve të Kosovës, kurse forcat e NATO-s, KFOR-it janë për të mbrojtur kufijtë e Kosovës nga agresionet e ushtrisë serbe. Edhe pse është e mundur që ndonjë prej komandantëve të KFOR-it për shkak interesave personale të bashkëpunojnë me forcat ushtarake serbe për depërtimin e armëve nga Serbia në Kosovë për të destabilizuar e sulmuar përsëri veriun e Kosoves, prandaj përveç forcave shtuese të KFOR-it në veri duhet të jenë tog edhe policia dhe FSK-ja e Kosovës, për shkak se më e besueshme dhe më dashurore ndaj Kosovës është policia dhe FSK-ja sesa ushtarët e huaj të KFOR-it”, potencoi profesori.

Në fund, ai tregon që ka pasur informata nga një mik i tij se ka pasur forca të mëdha ushtarake serbe në drejtim të kufirit me Kosovën dhe RMV-n.

“Për të argumentuar se Serbia në kufij të Kosovës ka instaluar forca të mëdha ushtarake më tregoi dhe miku im i cila para dhjetë ditëve udhëtonte nga Gjermani ku punon në RMV dhe se gjatë udhëtimit kishte parë forca të mëdha ushtarake serbe në drejtim të kufirit me Kosovën dhe RMV-në, pra ja shkaku i shtimit e përforcimit të forcave në KFOR-it në veri të Kosovës”, përfundoi Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat