Ushtria serbe në kufi me Kosovë ‘alarmoi’ SHBA-të e NATO-n - kërkohen sanksione të ashpra ndaj Serbisë

Politika

Ushtria serbe në kufi me Kosovë ‘alarmoi’ SHBA-të e NATO-n - kërkohen sanksione të ashpra ndaj Serbisë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 2 tetor 2023 Në ora: 10:10
FSK

Serbia ka vendosur ushtrinë përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprimie Serbisë ka bërë që i gjithë komuniteti ndërkombëtar të alramohet duke e dënuar dhe duke i kërkuar Serbisë që të largojë trupat nga kufiri me shtetin tonë.

Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, të premten që kaloi ka shprehur shqetësimin e Uashingtonit, për siç ka thënë, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.

Ne po monitorojmë një dislokim të madh serb përgjatë kufirit me Kosovën që paraqet një pjesëmarrje të paprecedent të artilerisë serbe, tanke dhe njësi të këmbësorisë. Ne besojmë se ky është një zhvillim shumë destabilizues. Ne i bëjmë thirrje Serbisë që të tërheqë këto forca nga kufiri dhe të kontribuojë në uljen e tensioneve”.

Madje, për këtë ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës, duke i bërë thirrje Vuçiçit që të tërheq ushtrinë nga kufijt.

“I bëjmë thirrje Presidentit Vuçiq dhe institucioneve të Serbisë që menjëherë të tërheqin të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën dhe të mbyllin dhe demilitarizojnë 28 bazat e përparme ushtarake dhe 20 bazat e xhandarmërisë që për vendin tonë paraqesin kërcënim të përhershëm”, thuhje ndër tjera në komunikatën e lëshuar nga Qeveria.

Bajqinovci: Urgjentisht t’i vendosen sanksione Serbisë

Image
Mefail Bajqinovci

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se bashkësia ndërkombëtare duhet ta sanksionojë Serbinë duke e izoluar.

Dislokimi i ushtrisë serbe rreth kufirit ishte paralajmëruar nga Vuçiq më 24 shtator ku e tha se do të merret vendim për dislokim të ushtrisë, andaj duhet që të bëhet presion nga bashkësia ndërkombëtare që të tërhiqen këto forca të shtuara rreth kufirit.

Duhet urgjentisht t’i vendosen sanksione Serbisë duke e izoluar bashkësia ndërkombëtare”, shprehet ai.

Quni: Neutralizimi i grupit terrorist, të cilin e dirigjonin autoritetet serbe, qe një goditje e fuqishme ndaj atij grupi dhe vetë kreut të Serbisë

Image
Anton Quni

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, në një përgjigjje për “Bota sot”, deklaroi se KFOR-i parandalon çdo sulm potencial dhe agresion mbi shtetin e Kosovës nga Serbia.

Derisa, për trupat serbe në kufi, ai thotë se ata e ushqejnë nacionalizmin serb.

NATO si paqeruajtëse në Kosovë, rrjedhimisht forcë e stabilitetit të paqes në rajon, parandalon çdo sulm potencial dhe agresion mbi shtetin e Kosovës nga Serbia, me humbje dhe pasoja të mëdha për agresorin.

Megjithatë, me rastin e fundit në veri dhe me lëvizjet e trupave serbe drejt Kosovës, domosdo që ka shkaktuar frikë dhe angështi te popullata jonë, ngase ende janë të freskëta kujtimet e hidhura nga terrori i kryer mbi popullatën civile në luftën e fundit. Po ashtu, me këtë lëvizje, ata ushqejnë nacionalizmin serb të ndërtuar ndër vite nga qarqet e tyre akademike”, thotë ai.

Më tej, Quni thotë se marshimi i trupave serbë në kufirin me Kosovën tregon tendencën e tyre për minimizimin e turpërimit që përjetuan pak ditë më parë.

Neutralizimi i grupit terrorist, të cilin e dirigjonin autoritetet serbe dhe qëndronin pas tij, qe një goditje e fuqishme ndaj atij grupi dhe vetë kreut të Serbisë.

Rrjedhimisht, tërheqja e grupeve të armatosura serbe nga territori i Republikës së Kosovës dhe marrshimi i forcave të rregullta të Serbisë në drejtim të kujfijve të Kosovës, tregon tendencën e tyre për minimizimin e turpërimit që përjetuan pak ditë më parë”, përfundon deputeti Anton Quni.

Kujtojmë, se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk ka qëllim që të urdhërojë futjen e forcave ushtarake të Serbisë brenda territorit të Kosovës, pavarësisht paralajmërimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për lëvizje “të paprecedentë” nga Beogradi.

Në një deklaratë për “Financial Times” të shtunën, Vuçiqi ka thënë se “do t’i tërheqë forcat serbe nga ajo pjesë sepse përshkallëzimi i konfliktit do të ishte kundërproduktiv për aspiratat evropiane të Beogradit”.

“Përse do të ishte e favorshme kjo për Beogradin?” ka thënë Vuçiqi. “Cili do të ishte qëllimi? Të shkatërrojmë pozicionin që kemi krijuar për një vit? Ta shkatërrojmë në një ditë? Serbia nuk dëshiron luftë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat