Pas sulmit terrorist serb në veri, a ka “vdekur” asociacioni?

Politika

Pas sulmit terrorist serb në veri, a ka “vdekur” asociacioni?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 2 tetor 2023 Në ora: 20:05
Albin Kurti

Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për Asociacion të komunave me shumicë serbe më 2013 dhe më pas më 2015 marrëveshjen për parimet për themelimin e tij. Por, më 2015 Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik dhe kërkoi që ajo të harmonizohej përmes akteve nënligjore.

Që nga gjetja e shkeljeve kushtetuese në këtë marrëveshje, ende nuk është gjetur një “zgjidhje” mes palëve që të formohet asociacioni dhe të vazhdohet tutje me marrëveshje tjera.

Në anën tjetër, situata e krijuar të dielën e kaluar në rrethanat e përshkallëzimit të dhunës që rezultoi edhe me disa vdekje, tashmë konsiderohet qesharake dhe e vështirë të imagjinohet çështja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe çështja e asociacionit tashmë ka vdekur.

Gërvalla: Pas të dielës çdo bisedë për Asociacionin më duket e tepërt

Kështu ka deklaruar Florian Bieber, ekspert për Ballkanin dhe profesor në Universitetin e Gracit.

Bieber ka deklaruar se pas sulmit terrorist, është e vështirë të imagjinohet se pala e Kosovës do të pranonte të jepte një lloj autoriteti në rrethana të tilla sigurie.

“Kurti është shumë kokëfortë dhe tani ka edhe më pak motivim sepse doli se Serbia nuk është e interesuar për normalizim dhe ulje të tensioneve. Kjo më pas pengon çdo hapësirë ​​për kompromis dhe për një lloj marrëdhënie paqësore”, ka thënë Bieber.

“Një vdekje” të asociacionit e konsideron edhe Zv. kryeministrja e Kosovës, njëherësh edhe Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla.

Ajo u shpreh se tashmë ka prioritete komplet ndryshe pas sulmit të së dielës, në lidhje me BE-në dhe SHBA-në.

“Të them të drejtën pas të dielës çdo bisedë për Asociacionin më duket e tepërt se pas te dielës nuk kanë kuptim. Asociacioni ka vdekur për ne dhe ndërkombëtarët. Të koordinojmë punën e komunave në veri të Kosovës është dallim tjetër. Janë katër parime të mos shkelë sovranitetin, Kushtetutën, të mos dëmtojë dhe të jenë koordinues. Asociacioni i 2013 është kundër kushtetutës së Kosovës dhe nuk mund të bëhet. Escobar shumë qartë e ka përcaktuar se nuk mund të ketë Asociacion pasi mund të jetë një republikë e dytë serbe. Për ne ka qenë shumë e rëndësishme që shkelja e Kushtetutës të mos jetë pjesë e marrëveshjes që kemi pranuar në Bruksel. Nuk ndodhi sepse Serbia e ka pasur të qartë që nuk është e gatshme e që i mungon gatishmëria e plotë. E dallojmë BE-në nga SHBA sepse SHBA ka qenë më pragmatike në të kuptuarit të realitetit të vendit tonë dhe të Ballkanit. Çdo përpjekje e jona për të sjellë energji dhe rezultate në proces, në fund ju e shihni që jemi pala e vetme që kërkon implementimin e marrëveshjes në Bruksel. Ky dialog nuk çon askund është qorrsokak.

Për mua është shumë e rëndësishme që mbas asaj që ka ndodhur të dielën ka prioritete krejt të tjera në raportin tonë me ndërkombëtarët, siguria. Nuk ka shkelje më të rëndë sesa agresioni i hapur ndaj atij që pretendon që ke në tavolinë. Pas sulmit qëndron Serbia dhe aty ka pasur armatim për qindra trupa”, ka deklaruar Gërvalla.

Në anën tjetër, analistët politikë nuk e konsiderojnë “të vdekur” asociacionin.

Xani: Kemi mbi 30 marrëveshje që BE dhe ShBA në vazhdimësi kanë kërkuar zbatimin e tyre

Analisti politik, Visar Xani thotë se obligimet e Kosovës faktori ndërkombëtar i sheh në tërësi, e jo marrëveshje veçmas.

Sipas tij, edhe pse asociacioni mund të interpretohet si më i rrezikshëm, nuk ka ndryshuar diçka në aspekt të negocimit.

“Nuk besoj që as Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e as Bashkimi Evropian do të kërkojnë që të ketë marrëveshje të cilat nuk duhet të zbatohen, këto janë disa obligimet e Kosovës që besoj se faktori ndërkombëtar do t’i sheh në tërësi pa marrë parasysh se cila marrëveshje është, për shkak se kemi mbi 30 marrëveshje që BE dhe ShBA në vazhdimësi kanë kërkuar zbatimin e tyre. Ai edhe pse është një marrëveshje që mund të interpretohet si më e rrezikshme, nuk besoj që ka ndryshuar diçka në aspektin e negocimit, veçse nëse mendohet diçka ndryshe përtej negociatave. Nëse vazhdohet me këto negociata dhe me këtë format nuk do të ketë kërkesa të caktuara për të zbatuar ose mos zbatuar një marrëveshje”, deklaron Xani.

Image
Visar Xani

Pas sulmit terrorist në veri të Kosovës, për çështjen e asociacionit ka folur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka deklaruar se Kosova duhet që së bashku me Shtetet e Bashkuara të përgatisë draftin për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ajo tha se ende ka dyshime se si mund të zbatohen në praktikë disa pjesë të saj, duke përmendur nenin 7 dhe 10. Neni 7 flet për sigurimin e një niveli të duhur të vet-menaxhimit për komunitetin serb, në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut. Ndërkaq, neni tjetër kërkon që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë atë për Asociacionin.

“Mendoj që zgjidhja është si vijon: Ne duhet të ulemi me SHBA-në, të përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës. Fillimisht [vetëm me SHBA-në], unë mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në SHBA, të prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit [Antony Blinken] draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën [e ish-shefes së diplomacisë së BE-së, Federica] Mogherinit që garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan në opinionin [e shkruar] nga [këshilltari i lartë i DASH-it, Derek] Chollet dhe [i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel] Escobar që sqarojnë që një trup i tillë do të jetë një trup koordinues, pa kompetenca ekzekutive”, ka deklaruar Osmani.

Kelmendi: Akti terrorist serb e vërteton se pa të drejtë është dënuar Kosova

Duke iu referuar deklaratës së presidentes, analisti politik Muhamet Kelmendi, thotë se asociacioni me pushtet ekzekutiv ka vdekur.

Sipas tij, diskutimet nuk do të vazhdohen pa marrë përgjegjësi Serbia për krimin terrorist.

“Fillimisht duhet të themi se nuk ka vdekur asociacioni! Presidentja e Kosoves kërkoi që së bashku me SHBA-në të të hartojë Kosova statutin e asociacionit. Asociacioni me pushtet ekzekutiv ka vdekur. Kjo nuk ka të ardhme. Lidhur me raportet Kosove - Serbi, pa përgjegjësinë e shtetit serb, nuk do të vazhdojnë diskutimet. Besohet që këto do të bëhet pasi që të merren masat për krimin terrorist të shtetit serb në Banjsk të Kosovës. Pa këtë përgjegjësi as që duhet shkuar në dialogim. Serbia ka kryer akt të rëndë terrorist dhe të dënueshëm. Për atë ka përgjegjësi”, pohon Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Ai ka kërkuar që Kosovës t’i largohen masat ndëshkuese, gjersa ka shtuar se Kosova nuk duhet të shkojë në dialog pa u larguar masat dhe pa u ndëshkuar Serbia.

“Kosovës kërkohet t’i hiqen masat ndëshkuese. Akti terrorist serb e vërteton se pa të drejtë është dënuar Kosova. Përgjegjësia është vetëm nga Beogradi. Shteti i Kosovës nuk duhet të shkojë në dialogim pa i hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe pa përgjegjësi dhe masa ndëshkuese ndaj Serbisë. Këtu nuk ka pardon”, përfundon Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat