Analisti tregon me direktivat e kujt punoi Vuçiq për sulmin terrorist, ja çka do të ndodhë me bashkësinë ndërkombëtare dhe Kosovën

Politika

Analisti tregon me direktivat e kujt punoi Vuçiq për sulmin terrorist, ja çka do të ndodhë me bashkësinë ndërkombëtare dhe Kosovën

Nga: Naile Ejupi Më: 3 tetor 2023 Në ora: 17:08
Pamje nga veriu - Manastiri i Banjskës

Sulmi terrorist në veri të Kosovës më 24 shtator dhe paralajmërimi i Uashingtonit javën e kaluar për një grumbullim të trupave serbe pranë kufirit me Kosovën kanë ngritur frikën për stabilitetin e rajonit.

Të martën raportuesit për Kosovën e Serbinë në Parlamentin Evropian, eurodeputetja gjermane Viola von Cramon dhe eurodeputeti sllovak Vladimír Bilčík, kanë folur për The Guardian për situatën e fundit në Kosovë pas sulmit terrorist që ndodhi të dielën e 24 shtatorit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Eurodeputetja gjermane Viola von Cramon ka kërkuar një rishikim të qasjes së Brukselit në dialog.

Sipas saj, qasja aktuale ka çuar në sulmin në Banjska.

“BE-ja tani duhet të rivlerësojë strategjinë e saj të përgjithshme ndaj bisedimeve Serbi-Kosovë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi. Qasja aktuale, e cila fokusohet në stabilitetin ekonomik dhe politik çoi në sulmin në Banjska. Në vend të kësaj, ne duhet t’i japim përparësi bazave – sundimit të ligjit dhe demokracisë dhe të angazhohemi më shumë me zërat përparimtarë nga i gjithë rajoni”, u shpreh ajo.

Ndërsa, Bilčík, i cili shërben si negociator i PE-së për Serbinë, tha se “ne duhet të shikojmë me kujdes situatën si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë”.

“Fatkeqësisht”, shtoi ai, “me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet [në Kosovë] negociatat me të vërtetë kanë ngecur dhe nuk kanë lëvizur në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje – dhe këtë po e them si dikush që është shumë i hapur në kritika ndaj palës serbe. Të shtënat e fundit vdekjeprurëse në Kosovën veriore janë “absolutisht të neveritshme dhe të papranueshme – dhe kjo është me të vërtetë një situatë jashtëzakonisht e rrezikshme që tregon se gjërat vërtet mund të dalin jashtë kontrollit. Dhe është e rëndësishme që të ndodhë de-përshkallëzimi, që të ketë një hetim të plotë. Është një karotë e madhe në lojë – dhe karota është anëtarësimi në BE. Dhe nëse dialogu nuk vazhdon, ne do të shohim më shumë konflikt, më shumë nacionalizëm, më shumë tërheqje nga bota”, u shpreh Bilčík.

Kërkesa për të ndryshuar qasja e BE-së në dialog dhe sulmi në veri të Kosovës, sipas analistëve ka këndellur bashkësinë ndërkombëtare.

Analisti politik, Skënder Mulliqi thotë se Vuçiq dhe Putin njohin politikat e dorës së fortë.

Sipas tij, qëndrimet tjera politike vetëm sa i nxisin ata për më shumë veprime politike agresive.

“Shumë analistë, njerëz të politikës dhe ekspertë ushtarakë, kishin adresuar kritika botës perëndimore , për qëndrimin e tyre të “butë” karshi politikës të Aleksandar Vuçiqit. Vetvetiu ishte imponuar analogjia e Vuçiqit me Vlladimir Putinin para luftës në Gruzi dhe Ukrainë. Të rrallë ishin ata që kuptuan apo dëshiruan të kuptojnë faktin së Putin dhe Vuçiq njohin politikat e dorës së fortë. Qëndrimet e tjera politike vetëm sa i nxisin edhe më shumë në veprimet e politikave agresive. Diktatori Vlladimir Putin para se të sulmonte ushtarakisht Ukrainën, në kufij me këtë shtet kishte koncentruar forca të mëdha ushtarake. Edhe përkundër këtij veprimi apo kërcënimi për luftë totale, bota perëndimore nuk ishte shumë e bindur se Putin do të bëj invazion ushtarak mbi një shtet sovran. Nëse BE-ja dhe Amerika nuk u ballafaquan me Putinin ushtarakisht për ta ndalë, sigurisht se kishin hartuar plane të tjera strategjike për ta dobësuar Rusinë bërthamore deri në kapitullim. Por, ajo që ishte jo shumë e pa kuptueshme, ishte sjellja e tyre ndaj regjimit luftënxitës në Ballkan, të Aleksandër Vuçiqit, i cili nxiti jo stabilitet në Bosnje përmes Dodikut të Republika Serpska, në Mal të Zi, së pari më agjentët rusë të cilët tentuan të përmbysin nga pushteti presidentin, Millo Gjukanoviq, pastaj ngjarjet në Cetinje me popullatë serbe, ku faji me të drejtë iu adresua, kryeministrit Dritan Abazoviq, dhe në Kosovë, të cilën krejt pas luftën Serbia po e kërcënon me luftë në veri”, deklaron Mulliqi.

Image
Skënder Mulliqi

Në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup terrorist në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçani. Terroristët vranë rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosën policin Alban Rashiti.

Mbi 80 pjesëtarë të grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës dhe vranë rreshterin janë ende në liri.

Ndonëse në fillim dyshohej se në këtë sulm ishin përfshirë rreth 30 terroristë të udhëhequr nga Milan Radojiçiq, Ministri Xhelal Sveçla njoftoi të dielën se numri i të përfshirëve ka qenë mbi 90. Tre terroristë janë vrarë, tre të tjerë janë në paraburgim, derisa të tjerët kanë ikur, mes të cilëve është edhe Radojiçiq, i cili është arrestuar sot në Serbi. Sveçla ka thënë se do të kërkojnë nga Serbia, përmes shteteve aleate, ekstradimin e Radojiçiq dhe të gjithë terroristëve të tjerë.

Në anën tjetër, analisti Mulliqi thotë se kjo ngjarje e ka këndellur shumë bashkësinë ndërkombëtare dhe ata e kanë kuptuar se Vuçiqi është partner i rremë ne bisedime.

“ Ky indeferentizëm ndaj këtyre veprimeve subverzive të politikave të Moskës dhe të Beogradit, kishin krijuar bukur shumë mos besim te miqtë tradicionalë të BE-së dhe Amerikës në rajon. Përkrahja politike e regjimit shovinist të Vuçiqit, ishte këtërcipërisht kundër vlerave transatlantike dhe demokratike. Kur të tërhiqet linja politike, shihet se një taktikë e tillë, ishte qasje e gabuar, që nuk dha asnjë rezultat. Serbia nuk i vuri embargo Rusisë, dhe kurrë nuk u diferencua nga agresioni ushtarak mbi Ukrainën. Shoqëria serbe është shumë larg perëndimit dhe BE-së. Vuçiq me direktivat e Putinit, tentoi të bëj faktike ndarjen e Kosovës, përmes aktit të fundit terrorist në veri. Ky skenar ogurzi moti i hartuar ruso-serb u asgjësua shpejt falë intervenimit të fortë të Policisë të Kosovës, të cilët shpartalluan folën e terrorizmit në Kishën Ortodoske të fshatit Banjskë. Sulmi terrorist ndryshoi gjithçka, se në veri u cenuan nga Putin dhe Vuçiqi edhe interesat gjeostrategjike dhe gjeopolitike të botës perëndimore. Kjo ngjarje si duket e ka këndellur shumë bashkësinë ndërkombëtare, e cila fuqishëm e dënoi aktin tragjik terrorist për ndarje të Kosovës, dhe i bindi përfundimisht se Vuçiqi është partner i rremë ne bisedime”, përfundon Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat