Skenarët e Serbisë, arrestimi dhe lirimi i Radoiçiqit, çka do të ndodhë më tej – a mund të shpresohet për ekstradimin e kryekriminelit serb! 

Politika

Skenarët e Serbisë, arrestimi dhe lirimi i Radoiçiqit, çka do të ndodhë më tej – a mund të shpresohet për ekstradimin e kryekriminelit serb! 

Arife Morina Nga Arife Morina Më 4 tetor 2023 Në ora: 16:43
Milan Radoiçiqi(në mes), sa ishte nënkryetar i partisë Lista Serbe gjatë një takimi në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, më 21 gusht 2022. Majtas janë zyrtarë të tjerë të Listës Serbe, e djathtas, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Kosova u trondit në mëngjesin e hershëm të 24 shtatorit, pas një sulmi të një grupi terrorist serbë të kryesuar nga kryekrimineli Milan Radoiçiq. 

Ky agresion terrorist u cilësua si ngjarja më e rëndë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe ka nxitur shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon. 

Institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë me profesionalizimin e tyre e mposhtën Radoiçiqin dhe grupin terrorist serbë. 

Me provat e publikuara nga Policia e Kosovës dhe Ministria e Brendshme e Kosovës, kryekriminieli Radoiçiq u detyrua ta pranojë faktin se ishte i përfshirë në këtë akt terrorist dhe se atë e kishte organizuar personalisht. 

Në shikim të parë, duket se Radoiçiqi e mori të tërë fajin përsipër në mënyrë që t’i shpëtojë Vuçiqin e Vulinin, të cilët dyshohet të ishin të përfshirë direkt në këtë sulm terrorist. 

Serbia vazhdoi me ‘filmat’ e saj, ku këtë radhë përgatiti një skenar ku të martën, arrestoi ish nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq. 

Ky ndalim erdhi disa ditë pasi kryekrimineli mori përsipër sulmin e 24 shtatorit mbi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri. 

Mirëpo, një gjykatë në Beograd liroi nga paraburgimi ish nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, një ditë pas ndalimit të tij lidhur me ngjarjet e 24 shtatorit në veri të Kosovës. 

Në një njoftim të Gjykatës së Lartë në Beograd thuhet se atij “i është caktuar masa e ndalimit të largimit nga territori i Serbisë pa miratimin e gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës”. 

Po ashtu gjykata vendosi që Milan Radoiçiq të paraqitet në polici dy herë në muaj dhe i është konfiskuar përkohësisht pasaporta e Serbisë. 

Mirëpo, sa mund të ndodhë një ekstradim i Radoiçiqit në Kosovë dhe se a mund të gjykohet në mungesë, juristët folën për gazetën “Bota sot”. 

Musliu: Me kodin e ri të procedurës penale, kur nuk mund të sigurohet prezenca fizike e të pandehurit, edhe përkundër të gjitha përpjekjeve, atëherë ai mund të gjykohet edhe në mungesë 

Image
Skënder Musliu

E për këtë çështje për gazetën “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu. 

Së pari, ai tha se sulmi terrorist serb i cili ishte plan i Vuçiqit kishte për qëllim aneksimi e veriut, e që fatmirësisht dështoi. 

Ai tha se krimineli Radoiçiq e mori të gjithë fajin përsipër vetëm për ta shfajësuar Serbinë, pasi pjesë e këtij skenari ishte edhe Vuçiqi e Vulini. 

“Në mëngjesin e hershëm të 24 shtatorit, Kosova u zgjua nga një sulm terrorist, respektivisht nga një agresion kundër Rendit kushtetues, sovranitetit, integritetit territorial dhe sigurisë së Kosovës. Bëhet fjalë për një grup, mirë të stërvitur dhe të strukturuar, me paramilitarë serb nga Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe pjesëtare të Wagnerit rus, me armatim modern, kryesisht të prodhimit më të ri të industrisë ushtarake serbe, të ndihmuar nga infrastruktura dhe trupat profesionale të ushtrisë serbe. Mirëpo, falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionalizmit të policisë speciale të Kosovës, në bashkëpunim me ndërkombëtarët, plani i Vuçiqit, që kishte aneksimim e veriut të Kosovës, sikurse Rusia që aneksoi Krimenë, dështoi. 

Këtij grupi terrorist i priu krimineli i njohur, i cili është edhe në listën e zezë të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe, dhe nënkryetar i Listës serbe, Milan Radojçiq. Në bazë të të dhënave të deritanishme, po rezulton se ky agresion është organizuar nga Vuçiqi, Vulini, ministri i mbrojtjes dhe gjenerali i ushtrisë serbe. Meqenëse policia e Kosovës i publikoi videot, ku shifej se Radoiçiqi ishte në aksionin terrorist, në pozitën e aktit të kryer, ai pranoi prezencën e tij, duke deklaruar, përmes avokatit të tij, se ai ishte autor dhe organizator i sulmit terrorist, duke dashur që ta shfajësojë Vuçiqin dhe aparatin shtetëror”, deklaroi juristi. 

Krahas kësaj, Musliu tha se Kosova me institucionet e saj profesionale fitoi betejën me grupin terrorist serb. 

Mirëpo, ai vlerëson se ekstradimi i Radoiçiqit nga Serbia nuk mund të ndodhë masi dy shtetet nuk kanë njohje reciproke dhe marrëveshje për ndihmë juridike. 

“Edhe pse mbledhja e provave po vazhdon, institucionet e Kosovës me shumë profesionalizëm, fitoi një betejë të rëndësishme duke shpartalluar grupin terrorist, kurse tani, ngelë beteja e radhës në rrafshin e drejtësisë. Duke patur parasysh faktin se Kosova dhe Serbia nuk kanë njohje reciproke, rrjedhimisht nuk kanë marrëveshje për ndihmë juridike, mendoj se, edhe përkundër kërkesave zyrtare që do t’i bëjë Kosova, nuk besoj se Serbia do t’ia ekstradojë Radoiçiqin dhe grupin terrorist drejtësisë së Kosovës. Kjo edhe nga fakti se vet shteti është i implikuar dhe se Serbia ka një sistem të drejtësisë totalisht të korruptuar dhe kriminalizuar. Po ashtu këtë ekstradim mund ta vështirësojë Vuçiqi, me «faktin» se me Kushtetutën e Serbisë Kosova llogaritet pjesë e Serbisë, prandaj ai do të insistojë që gjykimi të bëhet në Serbi, me çka do të tentojë t’a degradojë kategorizimin dhe kualifikimin e veprave penale, duke e shndërruar këtë proces në një farse juridike. Pjesë e kësaj farse është edhe « arrestimi » i Radojçiqit, karshi opinionit !?” – shpjegoi ai. 

Po ashtu, juristi nga Belgjika tha se hetimet duhet të zhvillohen në Kosovë pasi edhe këtu ka ndodhur agresioni. 

Ai tha se prokuroria speciale duhet të lëshojë një urdhër arrest vendor, më pastaj edhe një urdhër arrest ndërkombëtar. Në rast se nuk bëhet ekstradimi i kriminelit Radoiçiq, gjykimi mund të bëhet edhe në mungesë të tij. 

“Në bazë të legjislacionit të Kosovës, veprat penale të këtij agresioni, janë në kompetencë ekskluzive dhe nën juridiksionin e drejtësisë së Kosovës, sepse agresioni është konsumuar në territorin e Kosovës, pastaj provat materiale gjenden në Kosovës, dëshmitë e EULEX-it dhe KFOR-it po ashtu, andaj hetimet dhe gjykimi duhet të zhvillohet nga institucionet kompetente të Kosovës. Fillimisht prokuroria speciale duhet të lëshojë një urdhër arrest vendor, më pastaj edhe një urdhër arrest ndërkombëtar, që bëhet me kërkesë të prokurorisë, kurse vendimin e merr gjykatësi i procedurës paraprake. Me kodin e ri të procedurës penale, kur nuk mund të sigurohet prezenca fizike e të pandehurit, edhe përkundër të gjitha përpjekjeve, atëherë ai mund të gjykohet edhe në mungesë. Për momentin, i vetmi mekanizëm që mund ta detyrojë Vuçiqin t’i ekstradojë terroristët, është faktori ndërkombëtar, madje vetëm përmes presioneve, kërcënimeve dhe shantazheve të forta dhe serioze, përndryshe Vuçiqi do të rezistojë deri në fund”, theksoi Musliu. 

Në vazhdim, ai tha se hetimi ndërkombëtar është i rëndësishëm, pasi që do zbulohej edhe përgjegjësia e Vuçiqit në këtë sulm terrorist. 

E sipas tij, krejt në këtë situatë të krijuar në veri kanë ndikuar dy faktorë. 

“Sikurse në shkrimin e kaluar, edhe tani po theksoj se një hetim ndërkombëtar do të ishte i domosdoshëm dhe në interes të Kosovës, sepse përveç aspektit juridik, do të dilte në shesh edhe përgjegjësia politike, diplomatike dhe ndërkombëtare e politikave destruktive të Vuçiqit. 

Dëshiroj të theksoj se, në krijimin e kësaj situate në veri të Kosovës, kanë kontribuar dy faktorë: Faktori i parë dhe i pafalshëm, është opozita e sotme, që qeverisi me vendin dhe nuk deshi ta stabilizojë Veriun, dhe faktori i dytë, është ai ndërkombëtar”, nënvizoi juristi. 

Më tej, Musliu shpjegoi se si opozita me mos luftimin e krimit dhe korrupsionit në veri, ‘ndihmoi’ në fuqizimin e Radoiçiqit. 

E për faktorin ndërkombëtar, tha se e ka borxh ndriçimin e këtij agresioni, pasi me qasjen toleruese ndaj Vuçiqit, ka bërë që t’i trimëroj terroristët serbë. 

1.Opozita e Kosovës asnjëherë nuk e luftoi kontrabandën, korrupcionin dhe krimin e organizuar në Veri të Kosovës, dhe duke toleruar dhe mosvepruar, opozita, prej një krimineli ordiner, Radoiçiqin e fuqizoi dhe e shndëroi në Prigozhin të Kosovës, në bos të mafisë, kontrabandës, korrupcionit dhe krimit të organizuar, duke u bërë pjesë e saj edhe lidershipi i PDK-së dhe AAK-së. Ende janë të freskëta pamjet e Ramush Haradinaj duke e falënderuar Rakiqin dhe Listën serbe për prezencën e tyre në fushatën zgjedhore të AAK-ës, PDK-ës dhe Nismës, dhe duke pi raki në koktelin e përbashkët, kurse tani këta maskarenj dalin në foltore të Kuvendit dhe e kritikojnë Mimoza Kusarin për një inicizim të një bisede indirekte telefonike, që PDK-ja dhe AAK-ja ia kanë kurdisur në bashkëpunim me Listën serbe. Këto sjellje dhe veprime të opozitës janë të turpshme, të pamoralshme dhe qyqare.  

2.Faktori ndërkombëtar ia ka borxh Kosovës, ta ndriçojë këtë agresion terrorist, së pari, sepse edhe ata janë kontribuues t mëdhenj të kësaj situate në veri të Kosovës, mbase njëanshmëria, mosndëshkimi, toleranca e skajshme ndaj Serbisë, dhe së dyti, burokracia në vendimmarrje, paaftësia dhe politikat e dështuara në procesin e dialogut, kanë trimëruar Serbinë të veprojë në destabilizimin e Kosovës, dhe jo vetëm”, potencoi ai. 

Ndër të tjera, juristi nga Belgjika, shtoi se pas këtij sulmi terrorist, gjërat janë në favor të Kosovës dhe kësisoj kërkoi bashkëpunim mes pozitës dhe opozitës. 

“Pas sulmit terrorist, rrethanat në Kosovë kanë ndryshuar rrënjësisht në favor të Kosovës, prandaj tani është momenti kur opozita duhet lënë anash inatet politike, të bashkërenditet dhe bashkëpunojë me pozitën, me qëllim të materializimit të situatës së re, kurse deputetët e opozitës ta ndërprejnë bojkotin ndaj Kuvendit, t’i kthehen punës dhe obligimeve për çka taksapaguesit i paguajnë”, përfundoi Skënder Musliu për “Bota sot”. 

Burjani: Gjykimi në mungesë është i mundshëm 

Image
Blerim Burjani

Kurse, juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se Radoiçiqi duhet të ekstradohet në Kosovë, por nuk pret që një gjë të tillë ta bëj Serbia. 

“Ai do të duhej të ekstradohet në Kosovë, por Serbia nuk do ta ekstradojë në Kosovë, hetimet i ka filluar Serbia, në anën tjetër BE dhe SHBA do të duhej të bënin presion të madh”, deklaroi ai. 

Sipas tij, gjasat që esktradimi i krykriminelit serb ka shumë pak gjasa të ndodhë, por që tha se organet e drejtësisë mund t’ia bëjnë gjykimin në mungesë, pasi kjo gjë mund të bëhet. 

“Ndoshta mund të ndodhë, gjasat mbeten të vogla, ende nuk ka ndonjë deklarim të organeve serbe. Në mungesë mund të gjykohet, këtë nuk mund ta ndal askush. 

Pra, gjykimi në mungesë është i mundshëm”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat