Cila është prapaskena e deklaratës së Hill? / Përmendet e kaluara e tij, ja pse po mbron Serbinë në vazhdimësi!

Politika

Cila është prapaskena e deklaratës së Hill? / Përmendet e kaluara e tij, ja pse po mbron Serbinë në vazhdimësi!

Majinda Haziri Nga Majinda Haziri Më 11 tetor 2023 Në ora: 20:12
Christopher Hill

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se personalisht beson se duhet të dihet saktësisht se çfarë ka ndodhur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, në mënyrë që diçka e ngjashme të mos përsëritet.

Ai ka thënë se s’mund të ketë zgjidhje të problemeve dhe ecje përpara pa marrëveshje politike dha pa perspektiva politike.

Hill ka potencuar se një nga elementet e zgjidhjes politike të problemit në mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë perspektiva rajonale, ku njerëzit krijojnë besim për të punuar së bashku në zgjidhjet e problemeve.

“Unë gjithashtu besoj se disa politikanë duhet të vijnë dhe të shohin se cila është qasja për zgjidhjen e problemeve në Kosovë”, ka thënë Hill.

Një deklaratë të ngjashme e ka thënë ditë më parë edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano deklaroi se po presin përfundimin e hetimeve për sulmin terrorist të së dielës në veri.

Sipas tij, angazhimi mes shteteve anëtare të BE-së vazhdon për të parë se si të trajtohet situata në lidhje me masat.

A janë këto deklarata një sinjal që ndërkombëtarët po mbrojnë Serbinë ani pse provat janë në shesh?

Kujtojmë që ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjskë të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar Policinë e Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë.

Kelmendi: UE dhe SHBA nuk duan të dënojnë shtetin serb dhe kriminelin Vuçiq

Image
Muhamet Kelmendi

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Muhamet Kelmendi.

Ai u shpreh se prova që sulmi terrorist ka ndodhur nga serbët janë të qarta dhe për këtë mund të bëhet një hetim ndërkombëtar.

“Prova për terrorin në Banjskë ka. Organet kompetente të Kosovës i kanë pasqyruar qartë. Janë terroristët serbë që gjenden në Serbi, armët dhe planet e veprimit terroriste. Për të mos ardhur te ndonjë keqinterpretim, sikundër po bënë ambasadori i SHBA-ve në Beograd, z. Ch.Hill, zëdhënësi i EU-së, z. Stano, kemi edhe Rezolutën e Kuvendit të Kosovës. Me të kërkohet që të bëhet një hetim ndërkombëtar, në mënyrë që mos të ketë kësi mendimi”, u shpreh ai.

Profesori thotë më tej që SHBA-të dhe BE-ja nuk po dëshiron ta dënoj Serbinë për këtë arsye edhe nuk po kërkon hetim më të thellë.

“Megjithatë, duhet thënë, se z. Hill e di dhe i ka tërë provat e nevojshme. Këtë edhe z. Stano e ka të qartë. Mirëpo, përpjekja e tyre është dhe drejtohet andej, ku të dytë nuk dëshirojnë të sanksionojnë Serbinë. Zaten kjo është politike aktuale e UE-së dhe e SHBA . Si UE, ashtu edhe SHBA-të i kanë organet hetuese në Kosovë. Mosbesimi ndaj tyre, kishte me dërgua tek dërgimi i organeve tjera hetuese. Pse se kanë bërë këtë? Një fakt: Thjeshtë për të mos e dënuar Serbinë”, nënvizoi Kelmendi për “Bota sot”.

Mulliqi: Hill nuk po qëndron në koordinim me zyrtarët e tjerë amerikanë

Image
Skënder Mulliqi

Ndërsa, analisti politik Skënder Mulliqi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tregoi një kronologji të aktivitetit të Hill në Kosovë, duke përmendur kështu edhe presidentin Rugova.

“Ambasadori amerikan në Serbi, Christofer Hill nëse e shikojmë aktivitetin e tij të kamotshem politik në Kosovë dhe rajon, ka pasur qasje kontroverse të zgjedhjes të problemit të Kosovës, deri sa ishin në okupim. Edhe pse Hill kishte takime shpesh më presidentin Rugova, zgjedhjen e problemit të Kosovës e shihte më shumë në kuadwr të Serbisë, e jo të shtetit të sovran dhe të pavarur. E dimë të gjithë rrjedhat e më pastaj të ngjarjeve tragjike të luftës kur Serbia bëri gjenocid mbi shqiptarët duke i vra dhe masakruar mbi 13 mijë persona. Pastaj regjimi kriminal i Millosheviqit dhe paramilitarët e tij pas vrasjeve masive të pleqve dhe fëmijëve, kishin dhunuar mbi 20 mijë gra dhe vajza shqiptare, e në të cilin regjim kriminal ministwr për informim ishte edhe presidenti aktuali i Serbisë, Aleksander Vuqiqi E bëra këtu një hyrje për faktin, se ambasadori në Beograd, Hill ka mbetur bukur shumë në kornizat e vjetra të të menduarit politik kur bëhet fjalë për Kosovën dhe të ardhmen e saj në rajon”, thotë ai.

Analisti më tej, flet edhe për dialogun Kosovë –Serbi duke i vënë theks trysnisë së ndërkombëtarëve për implementimin e Asociacionit.

“Qasja e maratonës të bisedimeve nga BE-ja nuk ishte korrekte dhe në mënyrë të barabartë për arritjen e normalizimit të marrwdhënieve të ndërsjella Kosovë –Serbi. Vuçiqi nuk po i zbaton as dy marrëveshjet e fundit të Brukselit dhe të Ohrit të planit franko-gjerman. Kohën e fundit kjo u theksua edhe më shumë nga ndërmjetësit ndërkombëtar, Borrell dhe Lajçak të cilët më këmbëngulje po kërkojnë implementimin e marrwveshjes së Brukselit të vitit 2013, i cili asociacion është pushtet i tretë, dhe si i tillë i pa pranueshwm për Kosovën. Një asociacion të tillë nuk e pranon kryeministri i Kosovës , Albin Kurti, të cilën po e kërkon më ngulm të implementohet edhe ambasadori Hill”, thekson analisti.

Në fund, Mulliqi nënvizon që Hill po mbanë anwn e Serbisë.

“Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se ai duhet ta dijë saktësisht çfarë ka ndodhur gjatë sulmit terrorist në Banjë më 24 shtator që një gjë e tillë të mos përsëritet më. Por, Sekretari i Departamentit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, kishte dënuar ashpër “sulmin e koordinuar” në hyrje të fshatit Banjsk të Zveçanit. Një zyrtarë amerikan e kishte kritikuar Hillin së nuk po i bashkërendon sa duhet mendimet e tij politike me politikat zyrtare amerikane. Se deklarimet politike të Hillit po dallojnë nga deklarimet e zyrtarëve të tjerë të Amerikës dhe ambasadorit në Kosovë, Hovenier flet e dhëna se ky i fundit ka deklaruar se nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive për komunat më shumicë serbe, e të cilën gjë ende nuk e kemi dëgjuar nga ambasadori amerikan në Beograd”, përfundoi Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat