Çfarë po ndodhë me Asociacionin – Do të formohet apo jo?

Politika

Çfarë po ndodhë me Asociacionin – Do të formohet apo jo?

Nga: N. Shaqiri Më: 19 tetor 2023 Në ora: 22:58
Ilustrim

Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Jeffrey Hovenier, ka thënë se ka zotime nga ana e Kosovës për të shtyrë përpara Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ambasadori tha se 24 shtatori e bëri të qartë se sa urgjente është të arrihet implementimi i plotë i marrëveshjes së mes Kosovës dhe Serbisë të arritur në shkurt dhe të aneksit të implementimit, që u arrit në mars.

Unë mendoj se 24 shtatori nënvizoi dhe e bëri shumë të qartë se sa urgjente është që të lëvizet para me këtë punë të rëndësishme që të arrihet implementimi i plotë nga të dyja palët, për të gjitha zotimet në marrëveshjen bazë dhe aneksin e implementimit. Ka shumë angazhime të mira në këtë marrëveshje themelore. Ato përfshijnë gjëra si shmangja e përdorimit të forcës, zgjidhja e probleme përmes mënyra paqësore, respekt për kufijtë e njëri-tjetrit. Ka zotime edhe në anën e Kosovës, lidhur me shtyrjen përpara të asociacionit të komunave me shumicë serbe, si një mjet për të adresuar shqetësimet e komunitetit etnik serb këtu. Ne po ashtu mendojmë se kjo është shumë e rëndësishme dhe urgjente”, tha Hovenier.

“Një vizitë shumë e rëndësishme do të bëhet, ashtu siç kemi diskutuar, dhe mendoj se është reflektim i seriozitetit me të cilin Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë evropianë në BE e shohin situatën aktuale. Ne duam të shohim progres të vërtetë. Jo në negocimin e zotimeve të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por të shohim që marrëveshja e arritur në shkurt dhe implementimi i aneksit në mars, të zbatohen plotësisht nga të dyja palët. Mendoj se kjo vizitë e radhës do të jetë manifestim i rëndësisë që kjo të realizohet”, tha Hovenier.

Për themelimin e Asociacionit ka folur edhe ish – zv.ministri i MPB-së, dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

Ai thotë se mënyra se si po tentohet të hartohet draft statuti Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, është një skenar për t’u habitur dhe shqetësuar dhe kjo do të përfundojë në rrugë pa krye.

Tërnava, thotë se është shqetësuese, që asociacionin ta punojë dikush jashtë Kosovës.

“Aleksandër Vuçiqi po i anashkalon tërësisht qytetarët serbë në Kosovë, të cilëtë janë integruar në realitetin e ri politik të Kosovës, dhe e kanë pranuar këtë, e që janë edhe integruar”, thotë ai.

Tërnava pohon se, çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është bërë temë diskutimi tash e një kohë.

“Pika e gjashtë e vendimi të vitit 2020 parasheh që Ekipi Menaxhues koordinohet dhe i raporton për aktivitetet e tij ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal. Ministri ka drejtuar një ftesë për takim me këtë grup por ai nuk ka marr përgjigje, pra është refuzuar. Atëherë me të drejtë shtrohet pyetja se çfarë dokumenti mundë të prodhon, propozon një ekip i cili nuk vepron në kudër të institucioneve të Republikës dhe kushtetutës së Kosovës, por kontrollohet dhe menaxhohet, urdhërohet nga qendrat jashtë Kosovës, nga zyra e presidentit të Serbisë në Beograd dhe strukturat e krimit të organizuar në veri të Kosovës”, thotë ai.

Në fillim të majit në Bruksel është paraqitur një draft-statut i Asociacionit, i hartuar nga një ekip menaxhues që përbëhej prej katër pjesëtarësh të komunitetit serb, përfshirë një deputete të Kuvendit të Serbisë.

Por, ai është refuzuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se nuk është në pajtim “me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, të drejtat e njeriut, vlerat evropiane dhe të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane”.

Qeveria e tij ka dalë me të ashtuquajturin “model kroat” për Asociacionin, por ai nuk ka shkuar përpara.

Ndërsa, Tërnava shprehet se, është për tu habitur me mospjesëmarrjen e serbëve të Kosovës për një dokument të rëndësishëm që do të jetësohet në territorin e tyre në Kosovë, ku do të jetojnë po këta serbë.

Mënyra e veprimit të përgatitjes së draft statutit për Asociacionin është me rëndësi për serbët e Kosovës, por na bënë të dyshojmë se vetë mënyra e përgatitjes së finalizimit të këtij dokumenti me rëndësi për qytetarët serb të Kosovës është bërë me qëllim dështimi, sepse ndryshe nuk ka pse atë dokument ta finalizojnë-përgatisin ata të cilët nuk do të jetojnë në Kosovë, që ishte dashur patjetër që për këtë dokument të rëndësishëm komentet dhe autorësia e plotë të jetë nga serbët e Kosovës, në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe institucionet legale e ligjore të shtetit”, thotë Hajrullah Tërnava.

Për SHBA-në, themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë ndër hapat e parë që duhet t’i bëjë Kosova për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Për Bashkimin Evropian, çështja se si bëhet Asociacioni, si do të duket dhe si do të operojë, duhet të diskutohet në dialog.

“BE-ja dhe vendet anëtare kërkojnë që themelimi i Asociacionit të nisë pa vonesa shtesë dhe pa parakushte”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Petr Stano.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë zhvilluar një rund të ri bisedimesh në Bruksel më 14 shtator, por pa ndonjë sukses.

Ata nuk janë pajtuar rreth hapave për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve, që është arritur në muajin shkurt dhe që përfshin edhe një detyrim për themelimin e Asociacionit.

Ndërmjetësuesit evropianë të bisedimeve, diplomatët Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak, kanë thënë se ka qenë Kurti ai që nuk e ka pranuar propozimin e tyre për “përmbushje të njëkohshme” të detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje.

Kurti ka thënë se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

Ai e ka fajësuar Lajçakun për pozicionim kundër Kosovës dhe ka thënë se Marrëveshja bazë nuk mund të zbatohet me kushtëzime.

Sipas Vuçiqit, “është e qartë se Kurti i shmanget formimit të Asociacionit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat