PE miratoi rezolutën për Kosovën, juristët tregojnë efektet e saj – ja çfarë pasojash mund të ketë Serbia

Politika

PE miratoi rezolutën për Kosovën, juristët tregojnë efektet e saj – ja çfarë pasojash mund të ketë Serbia

Arife Morina Nga Arife Morina Më 20 tetor 2023 Në ora: 11:49
Foto ilustrim

Të enjten (19 tetor) Parlamenti Evropian ka dënuar ashpër sulmin ndaj policisë në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke e quajtur sulm terrorist dhe ka kërkuar përgjegjësi nga Serbia nëse dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit me këtë ngjarje. 

Kjo rezolutë u hodh në votim në seancën plenare të 19 tetorit.

Teksti i kësaj rezolute është përpiluar duke marrë parasysh disa propozime të grupeve politike në PE. 

Autori dhe nismëtari i kësaj rezolute, Tonino Picula, deklaroi pas votimit se “sulmi terrorist është një pikë kthese e paprecedent në periudhën e pasluftës dhe kërkon një reagim serioz politik, si për shembull masat e shënjestruara kundër aktorëve që destabilizojnë veriun e Kosovës. Picula kritikoi vazhdimin e raporteve të ngushta të Serbisë me Rusinë dhe Kinën, duke thënë se “kjo seriozisht vë në dyshim orientimin strategjik të Serbisë” 

Në tekstin e rezolutës, sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë cilësohet “sulm terrorist”, përderisa Serbia kritikohet për disa veprime sikurse mosdistancimi i qartë nga sulmi, madhërimi i pjesëtarëve të grupit të armatosur të serbëve që kryen sulmin dhe shpalljen e ditës së zisë në Serbi për tre sulmuesit e vrarë. 

Kjo rezolutë u mirëprit edhe në Kuvendin e Kosovës, gjatë seancës së fundit parlamentare. 

Përmes kësaj rezolute parashihet forcimi i pozicionit të Kosovës karshi shteteve të Bashkimit Evropian. 

Mirëpo, sa a mund të ketë efekt juridik ndaj Serbisë, treguan juristët për gazetën “Bota sot”. 

Kelmendi: Rezoluta e Parlamentit Evropian nuk ka karakter obligativ 

Image
Muhamet Kelmendi

E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi. 

Fillimisht, ai u shpreh se karakteri i kësaj rezolute është këshillues dhe nuk ka karakter obligativ. 

Parlamenti Evropian, ka nxjerr rezolutën ku dënohet sulmi terrorist në Banjskë të Kosovës. 

Karakteri i rezolutës është këshillues, rezoluta nuk ka karakter obligativ. 

Ajo nuk i detyron shtetet anëtare të BE-së që të zbatojnë obligativisht. Mirëpo, kërkon që shtetet të kenë për bazë këtë akt juridik në qëndrimet kundruall shtetit serb dhe Kosovës. 

Se sa do të zbatohet varet kryesisht nga vullneti i shteteve anëtare të BE-së”, deklaroi ai. 

Krahas kësaj, tha se kjo rezolutë e forcon pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. 

Ndërsa, për Kosovën ka rëndësi, sepse e forcon pozicionin e Kosovës kundruall shteteve të BE-së dhe në dialogim me shtetin serb. 

Dënimi i agresionit me rezolutë nuk ka efekt juridik as ndaj shteteve tjera jo anëtare të BE-së. 

Efekt të tillë nuk ka as ndaj Serbisë, sa zbatohet varet nga shtetet e BE-së”, potencoi juristi. 

Ndër të tjera, kërkoi nga qeveria e Kosovës që ta shfrytëzon këtë rezolutë në çdo dialogim, përfshirë atë me shtetin serb. 

“Respektimi i rezolutës nga shtetet e BE-së është qëndrim i fortë edhe ndaj Serbisë dhe Kosovës. 

Kurdo kjo mund të merret si fakt se si shtetet pretendente për anëtarësim në BE nuk i zbatojnë qëndrimet e PE-së. 

Këtu del presioni. Dhe, në këtë anë kërkohet që Kosova të shfrytëzon rezolutën e PE-së. Me rezolutë ka mbrojtje Republika e Kosovës dhe i jep bazë të fortë në çdo dialogim. Këndej edhe ndaj shtetit serb”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”. 

Burjani: Sulmi duhet të cilesohet si sulm terrorist kundër Kosovës, pra duhet prap një rezolutë tjetër 

Ndërsa, juristi Blerim Burjani në një prononcim për “Bota sot” mirëpriti rezolutën e Parlamentit Evropian. 

Image
Blerim Burjani

Mirëpo, krahas kësaj, kërkoi që të sanksionohet Serbia dhe KE të miratoj masa ndëshkuese për të. 

“Duhet të dënohet Serbia, jo vetëm individët, pra PE duhet të priste përderisa nuk ka hetim të plotë, mendoj se duhej të jetë më e përgatitur që të nxjerr rezolutë për sanksione kundër Serbisë. 

Gjithsesi, PE ka bërë mirë që e ka emëruar aktin si terrorizëm, por Komisioni Evropian duhet të miratoj masat kundër Serbisë”, u shpreh ai. 

Gjithashtu, juristi tha se nuk është rast i individëve sulmi në Banjskë, prandaj duhet rezolutë tjetër që e cilëson si sulm terrorist ndaj Kosovës. 

“Pra, rasti i individëve në Banjskë nuk është thjeshtë individ, i tërë ai armatim duhet ditur si e kanë futë në Kosovë. Pra, sulmi duhet të cilësohet si sulm terrorist kundër Kosovës, pra duhet prapë një rezolutë tjetër”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat