Kosova në pozitë më të favorshme pas 24 shtatorit/ Kështu duhet të vazhdojë dialogu sipas analistëve

Politika

Kosova në pozitë më të favorshme pas 24 shtatorit/ Kështu duhet të vazhdojë dialogu sipas analistëve

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 20 tetor 2023 Në ora: 14:11
Policia

Pas sulmit terrorist nga Serbia në veri të Kosovës, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se duhet te ri-mendohet dialogu në suaza të asaj që ka ndodhur më 24 shtator në Banjë të Zveçanit. 

“Tashmë janë bërë më shumë se 12 vjet në dialog dhe është koha për reflektim, sepse qasja e marrë parasysh përgjatë këtyre 12 viteve për fat të keq e ka inkurajuar Vuçiqin që ai të përdor dhunë dhe të krijojë akt agresioni në raport me Kosovën. Prandaj nuk mund të sillemi kinse nuk ka ndodhur 24 shtatori, duhet të ketë mësime të mësuara dhe i gjithë procesi i dialogut tani të rimendohet në suaza të asaj që ka ndodhur me 24 shtator duke e ditur që është shkelje e qartë e nenit 3 të marrëveshjes të dakorduar me 27 shkurt dhe aneksit të saj në Ohër me 18 mars”, tha Osmani kur u pyet se a duhet Kosova t’i kthehet dialogut me Serbinë. 

Formula me SHBA-në 

Se dialogu nuk do të jetë si para 24 shtatorit, e thotë edhe analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Faton Mehmeti. 

“Natyrisht se s’mund të jetë si më parë, pas 24 shtatorit gjërat kanë ndryshuar e rrjedhimisht edhe temat e dialogut. Përfundimisht duhet ridiajznuar kornizat e bisedimeve me Serbinë si palë përgjegjëse për tensionet në veri”, shprehet Mehmeti për “Bota sot”. 

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, është Serbia ajo e cila duhet të ndëshkohet nga bashkësia ndërkombëtare. 

“Kështu që, Serbia duhet të ndëshkohet, të largojë të gjithë strukturat paralele në veri duke përfshirë edhe bandat dhe terroriste atje, e tek pastaj të fillohet dialogu me kushte të reja. Besoj se ne këtë kuptime dhe presidentja Osmani e ka theksuar se bisedimet duhet të rimendohen pas ngjarjeve në Banjskë. BE të jetë neutrale, Serbia të ndëshkohet dhe përfundimisht Asociacioni i 2015-tës të “vdes””, thekson Mehmeti. 

“Të gjendet krejtësisht një formulë tjetër me SHBA-në, pasi BE-së i ka vdekur “lindja e Asociacionit””, përfundon për “Bota sot” Faton Mehmeti. 

Pozicioni i Kosovës 

Kurse analisti tjetër, Nexhat Haziri shprehet se Kosova nuk po arrin që të përfitojë nga sulmi terrorist i 24 shtatorit në veri të vendit. 

“Deklarata e presidentes Osmani është më shumë për konsum të brendshëm politik se sa që ka ndonjë përmbajtje, pasi që Kosova nuk po arrin ta instrumentalizojë ngjarjen e 24 shtatorit, konkretisht sulmin terrorist ndaj Kosovës, sulm që ishte sponsorizuar dhe i mbështetur në të gjitha format nga Serbia”, deklaron Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij, është e vetmja presidentja Osmani, ajo e cila po përpiqet që t’i mbajë raportet e mira me bashkësinë ndërkombëtare. 

“Ky dështim po vije si rezultat që Kosova ka një kryeministër që nuk po shihet si partner i besueshëm tek aleatët tanë strategjik, një krye diplomate që nuk e merr seriozisht askush nga homologët e saj e as në Bruksel, dhe e vetmja është presidentja Osmani ajo që po mundohet që t’i mirëmbajë raportet me aleatët tanë dhe po ashtu t’i mbajë hapur dyert e kryeqyteteve të mëdha perëndimore për Kosovën”, thekson Haziri. 

Më tej, ai thotë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka alternativë tjetër. 

“Dialogu nuk ka alternativë, është në të mirën e Kosovës, dhe çdo ditë ne dëgjojmë deklarata që vijnë nga Ëashingtoni, Brukseli, Berlini, Londra, Parisi, se dialogu duhet të vazhdojë, dhe i ftojnë palët që të jenë konstruktive në këtë proces”. 

“Është shumë e vërtetë që Kosova ka një pozicion më të mirë në këtë proces pas 24 shtatorit, por kjo nuk po shfrytëzohet nga qeveria e Kosovës, e cila në vend se të bënë deklarata refuzuese ndaj procesit, duhet të ofroj ide, siç ishte ajo e presidentes për Asociacionin, dhe njëkohësisht të afrojë dëshmi dhe të kërkojë ndëshkime për Serbinë për sulmin e 24 shtatorit. Po ashtu ditëve te fundit edhe në Prishtine edhe në Beograd do të ketë presion të shtuar ndërkombëtar”, përfundon Haziri për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat