Gatishmëri për pjesëmarrje dhe ‘kërkesë’ për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, analistët “shpërthejnë” ndaj Listës Serbe

Politika

Gatishmëri për pjesëmarrje dhe ‘kërkesë’ për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, analistët “shpërthejnë” ndaj Listës Serbe

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 21 tetor 2023 Në ora: 16:05
Lista Serbe

Disa muaj më parë bojkotuan zgjedhjet në veri të Kosovës, ndërsa tani Lista Serbe kërkon organizimin e tyre dhe shprehin gatishmëri për pjesëmarrje.

Sulmi terrorist i 24 shtatorit pos tjerash ka ndikuar që zgjedhjet në veri të Kosovës të mos përmenden, madje edhe të vihet në pikëpyetje mbajtja e tyre. Por, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, i bënë thirrje Kosovës që t’i organizojë ato, pa çka që nënkryetari i tyre ka qenë organizator i sulmit terrorist.

Gjersa, zyrtarë të Listës Serbe kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja sa më parë, një ditë para deklaratës së tyre, presidenti i Serbisë, Aleksandër Aleksandër Vuҫiq, u bëri thirrje serbëve të Kosovës "që të dalin me nisma për organizimin sa më parë të zgjedhjeve në katër komunat”, me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Se e dëgjojnë këshillën e Beogradit zyrtar, është shprehur edhe kryetari i Srpskas, Goran Rakiq, ndërsa analistët politikë thonë se kjo parti nuk paraqet interesin autonom të serbëve nga Kosova. Sipas tyre, ajo duhet të distancohet publikisht nga grupi terrorist i 24 shtatorit.

Analisti politik, Blerim Burjani, thotë se Lista Serbe duhet të kuptojë ku vepron.

Image
Analisti politik, Blerim Burjani

Sipas tij, qëndrimet janë zbutur pas rastit të Banjskës, por ata përsëri do të luajnë lojën e njëjtë nacionaliste dhe terroriste.

Kjo parti duhet të kuptojë ku vepron, në Kosovë apo në Serbi. Pastaj, a vlen për këtë subjekt legjislacioni i Serbisë apo i Kosovës, a vendos për këtë parti Beogradi apo ata i nënshtrohen ligjeve të shtetit të Kosovës.

Ky subjekt duhet të kuptojë se vepron në pajtim me politikën e Kosovës, kjo parti nuk paraqet interesin autonom të serbëve nga Kosova, është degë e SNS në Serbi. Qëndrimet janë zbutur për shkak të rastit të Banjskos, por nuk do të shkojë larg, ata prapë do të luajnë lojën e njëjtë nacionaliste dhe terroriste. Serbia dhe Lista serbe janë të koordinuara me veprime”, deklaron Burjani.

Kërkesa dhe vendimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhje të reja në katër komunat në Veri të Kosovës, vjen pak ditë pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri, tanimë heroi Afrim Bunjaku, ku kryetari de-fakto i kësaj partie, kryekrimineli Milan Radojiçiç, mori përsipër këtë sulm.

Kjo parti, përveç se nuk u distancua nga sulmi terrorist, shpalli ditë zie në nderim të terroristëve të vrarë.

Analisti politik Gazmir Raci, thotë se ata duhen të distancohen publikisht nga grupi terrorist.

Image
Analisti politik Gazmir Raci

Sipas tij, të gjithë atyre që kanë pasur lidhje me atë grup duhet t’i ndalohet garimi në çfarëdo zgjedhje në Republikën e Kosovës.

“Lista Serbe duhet të distancohet publikisht nga grupi terrorist i udhëhequr nga Radojçiqi. Udhëheqësia e saj duhet të verifikohet nga institucionet e sigurisë në Kosovë në partneritet me ndërkombëtarët për lidhjet e tyre politike, ekonomike dhe financiare me grupin terrorist.

Gjithë ata që kanë lidhje me atë grup duhet t’u ndalohet garimi në çfarëdo zgjedhje në Republikën e Kosovës dhe duhet të japin përgjegjësi”, deklaron Raci.

Tutje, sipas tij, kjo listë nuk ka kredibilitet për t’i përfaqësuar interesant e serbëve në Kosovë.

Skena politike tek serbët lokalë të Kosovës duhet të demokratizohet, thotë Raci, gjersa shton se ata duhet të kenë alternativa tjera qytetare e politike.

“Kjo listë më nuk ka kredibilitet për t’i përfaqësuar interesant e serbëve të Kosovës, sepse ka përkrahur planin e Serbisë dhe të Radojçiqit përmes grupit terrorist në sulmet e 24 shtatorit. Serbët lokalë në katër komunat në veri të Kosovës duhet të incizojnë peticion për të kërkuar zgjedhje të parakohshme në ato komuna sipas legjislacionit të Kosovës në fuqi. Skena politike tek serbët lokalë të Kosovës duhet të demokratizohet dhe të kenë mundësi të gjithë serbët edhe për alternativa tjera qytetare e politike”, pohon Raci.

Tani për tani katër komunat me shumicë serbe në veri, udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e muajit prill të këtij viti që u bojkotuan pikërisht nga partitë serbe. Vendosja e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale nën përcjelljen e policisë, u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë, të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s. Për muaj të tërë situata vazhdoi të jetë e tensionuar deri në kulmin e saj me 24 shtator kur një grup serbësh të armatosur rëndë sulmuan policinë ku mbeti i vrarë një polic dhe më pas tre sulmues.

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, u shpreh se pas 24 shtatorit gjithçka është ndryshe.

Nga 24 e këtej gjithçka është ndryshe dhe duhet të reflektohet mirë dhe drejt dhe të ndërmarrën veprime të cilat krijon bashkëjetesë ashtu siç është karakteri i shtetit tonë dhe të mos krijojnë institucione të tjera të cilat bllokojnë bashkëjetesën dhe demokracinë në Kosovë”, ka thënë ai kur është pyetur për zgjedhjet në veri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat