Plani ‘misterioz’ që Lajçak ia dorëzoi Kurtit e Vuçiqit - çka në të vërtetë përmban ai!

Politika

Plani ‘misterioz’ që Lajçak ia dorëzoi Kurtit e Vuçiqit - çka në të vërtetë përmban ai!

Nga: A.M. Më: 21 tetor 2023 Në ora: 18:01
Foto nga takimi

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë të shtunën se deeskalimi i gjendjes dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë janë më urgjente së kurrë më parë.

Në lidhje me dialogun, Lajçak tha se ai dhe katër diplomatët e tjerë, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Alessandro Cattaneo, erdhën në Prishtinë me një plan.

“Ne gjithmonë e kemi një plan, pra ne e kemi një plan dhe ne e diskutuam planin me kryeministrin Kurti dhe do ta diskutojmë edhe me presidentin Aleksandar Vuçiq sot më vonë. Tani nuk do të jap më shumë hollësi”, tha Lajçak.

Mirëpo, detaje mbi përmbajtjen e këtij plani nuk dhanë as emisarët perëndimorë, madje as qeveria jonë.

Prof.dr. Enver Bytyçi në një prononcim për “Bota sot” komentoi këtë vizitë të pesëshes evropiane, derisa foli edhe për planin e propozuar të Miroslav Lajçakut.

Së pari, vlerësoi se vizita e kësaj pesëshe është më serioze, se e të gjitha ekipeve të mëparshme që kanë qenë në Kosovë.

Ai tha se drafti i propozuar ka në brendësi themelimin e Asociacionit, e që në rast se është në kundërshtim me Kushtetutën tonë, në asnjë mënyrë nuk duhet të pranohet.

Image
Prof.dr. Enver Bytyçi

“Pesëshja euro-amerikane erdhi në Kosovë vetëm një ditë pasi në Uashington biseduan për ngjarjet dhe konfliktin Kosovë-Serbi presidenti Biden, Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen e të tjerë. Mendoj se ky fakt e bën këtë pesëshe më serioze se të gjitha ekipet e mëparshme. Pra i jep asaj një autoritet të shtuar.

Lajçak tha se kanë sjellë me vete një draft-projekt për krijimin e Asociacionit dhe se këtë draft do ta diskutojnë edhe me presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Ne nuk e dimë se çfarë përmban ky draft. Por nëse është brenda kornizës kushtetuese të Kosovës, këtë projekt nuk do ta pranojë kreu i shtetit të Serbisë, i cili edhe pse i zënë ngushtë nga akti terrorist i 24 shtatorit, deklaroi se kurrë nuk do të pajtohet me ekzistencën e shtetit të Kosovës”, deklaroi ai.

Bytyçi vlerëson se Kurti mund ta përdor si avantazh deklaratën e Vuçiqit, ku thotë se nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Në këto rrethana, sipas tij, çdo nënshkrim i Kurtit është i pavlefshëm, pasi presidenti serb duhet të nënshkruajë marrëveshjen e Ohrit dhe ta njohë Kosovën si shtet i pavarur.

Ai kishte disa kritika është për BE-në, në lidhje me mosndëshkimine palës serbe pasi agresionit të 24 shtatorit.

“Kjo deklaratë e Vuçiç mund e duhet të jetë avantazh për kryeministrin Kurti. Atij po i kërkohet që të bëjë asociacionin dhe zbatojë planin franko-gjerman të normalizimit të marrëdhënieve. Por Vuçiç thotë se nuk e njeh qeverinë e Kosovës. Nuk e njeh shtetin e Kosovës. Pra nuk e njeh kryeministrin e Kosovës. Në këto kushte çdo firmë e Albin Kurtit është e pavlefshme. Presidenti i Serbisë duhet të firmosë marrëveshjen e Brukselit e Ohrit dhe ta pranojë se këtë po e firmos së bashku me kryeministrin e Kosovës. Pra duhet ta njohë Kosovën, me qëllim që t’i japë legjitimitet marrëveshjes.

Brukseli ka shpikur një lloj marrëveshje, e cila nuk firmoset nga palët, por që miratohet në Këshillin e Europës. Qesharake është kjo.  Është njëlloj sikur KE të bëhet garant për një marrëveshje që nuk e nënshkruajnë as ufot. Të paaftë për t’ia shëruar dorën presidentit të Serbisë që ta firmosë marrëveshjen, i drejtohen e madje i vendosin Kosovës sanksione. Ndërsa disa shqiptarë, në vend të flasin për të drejtën dhe interesin e Kosovës, bëhen palë me interesin serb të vendosjes së sanksioneve kundër vendit të tyre. Por BE nuk po i vendos dhe nuk do t’i vendosë sanksione Serbisë, edhe pse është provuar pjesëmarrja e fajësia e saj në aktin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë”, theksoi profesori.

Në vazhdim, tha se ka mungesë guximi nga diplmatët ndërkombëtarë për sanksionim të Vuçiqit, ku kësisoj ushtrojnë presion ndaj Kurtit për themelim të Asocaicionit.

Ai mbështeti qëndrimet e Kurtit, derisa kritikoi Lajçakun dhe paralajmërimin e toj se mund të ketë akte dhune në veri.

“Nuk guxon pesëshja euro-amerikane të adresohet me sanksione ndaj Vuçiç. I bëjnë ende presion zotit Kurti. Madje i thonë “Krijoje asociacionin ti, pastaj shohim e bëjmë”! Shkurt duan që pas asosacionit ti vendosin kushte të tjera Kosovës, gjithnjë në favor të Serbisë. Prandaj dhe Kurti kishte të drejtë kur formuloi qëndrimin e prerë: - “Më parë siguria territoriale dhe e rendit politik, juridik e qytetar të Kosovës e më pas normalizimi”. Mirëpo Lajçak nuk u pajtua me këtë formulë. Madje bëri edhe një presion shtesë: - Tha se nëse nuk vijon dialogu, atëherë do të ketë sërishmi akte dhune në veri të vendit. Ndërkohë që terrori i 24 shtatorit e përgënjeshtron zotin Lajçak. Ai akt ndodhi vetëm një javë pasi në Bruksel kishin dialoguar kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç. Që do të thotë se nuk është vazhdimi i dialogut garanci e normalitetit në marrëdhëniet Kosovë-Serb”, nënvizoi Bytyçi.

Krahas kësaj, vlerësoi se dialogu ka shërbyer si ‘maskë’ e terrorit serb në komunat veriore të Kosovës.

“Përkundrazi, përmes ushtrimit të dialogut mashtrues e djallëzor, Serbia ka mundur të përgatitë akte terroriste e destablizuese në veri të Kosovës, gjoja pa u vënë re. Dialogu ka shërbyer si maskë e dhunës dhe terrorit serb në Kosovë. Lajçak e di këtë. Druhem se madje është pjesë e skenarit të dhunës në veri. Ndryshe nuk kishte pse në viizitat e tij në Kosovë nga Prishtina të shkonte në Beograd përmes veriut të Kosovës. Gjatë peligrinazhit të tij në veri ai është takuar me krerët e Listës Srpska, përfshi dhe Radoiçiç. Nga ta dimë ne se edhe Lajçak nuk është pjesë e sulmit terrorist të 24 shtatorit. Duhet ta thotë ai vetë se çfarë ka ndodhur në ato takime që ai ka patur me disa terroristë të këtij grupi”, shpjegoi ai.

Më tej, profesori tha se vetëm asosacioni kushtetues mund e duhet të vihet në jetë, në asnjë mënyrë nuk duhet pranuar ndonjë formë tjetër e tij.

“Plani për asosacionin, u tha se është edhe në pajtim me Planin Ahtisaari. Pra se shkon përtej këtij plani, pra përtej korrnizës kustetuese të vendit. Atëherë duhet besuar se drafti që përcollën pesëshja euro-amerikane në Prishtinë është në kundërshti me kushtetutën e Republikës së Kosovës. Nëse është kjo, atëherë ai draft ose plan nuk mundet e nuk duhet të pranohet. Vetëm një asosacion kushtetues mund e duhet të vihet në jetë. Por këtë plan do ta kundërshtojë Beogradi. Kështu që asosacioni është e duhet të jetë gjëja e fundit që duhet implementuar nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit”.

Në fund, Bytyçi tregoi edhe intrigën dhe mashtrimin që Lajçak po e bënë me Asociacionin.

“Projekti për asociacionin normalisht nuk mund të vijë nga Lajçak. Ai nuk ka krijuar ende prej 100 vitesh një asociacion të tillë për 500 mijë minoritarët hungarezë në vendin e tij. Madje ai, kur ishte ministër i Jashtëm i vendit të tij, ktheu në kufi presidentin hungarez kur ai po shkonte të vizitonte këtë minoritet hungarez në Sllovaki. Hungarezët për Sllovakinë e Lajçakut nuk duhet të kenë të drejta as sa 30 mijë serbët e veriut të Kosovës! Ndërsa Kosova duhet të bëjë atë që vetë Lajçak e refuzon për minoritetet në vendin e tij! Kësaj i thonë “Bën si them unë, por mos bën si bëj unë”! Kjo është intrigë dhe mashtrim i turpshëm”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat