“Plani i fshehtë i Lajçakut”, analistët paralajmërojnë Kurtin pas vizitës së emisarëve euro-amerikanë – hedhin dyshime të forta

Politika

“Plani i fshehtë i Lajçakut”, analistët paralajmërojnë Kurtin pas vizitës së emisarëve euro-amerikanë – hedhin dyshime të forta

Arife Morina Nga Arife Morina Më 22 tetor 2023 Në ora: 14:00
Foto nga takimi

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, këshilltari për politikë të jashtme i presidentit francez Emmanuel Bonne, këshilltari për politikë të jashtme i kancelarit gjerman Jens Plotner dhe këshilltari i Qeverisë italiane, Francesco Talo, kanë qëndruar për vizitë në Kosovë, ditën e djeshme (21 tetor).

Vizita e tyre erdhi pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku u sulmua Policia e Kosovës nga një grup terroristësh serbë.

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirolav Lajçak, doli në një konferencë për media ku njoftoi se BE-ja e ka një plan se si të vazhdohet me procesin e dialogut.

Për këtë ai ka bërë të ditur se kanë biseduar në takimin e së shtunës me kryeministrin Albin Kurti, megjithatë ka shtuar se nuk mund të japë më shumë detaje.

Gjithmonë kemi një plan, pra po kemi një plan. E kemi diskutuar me kryeministrin Kurti dhe do ta diskutojmë me presidentin Vuçiq. Nuk mund të hyjë në hollësi në këtë moment. Nuk ka alternativë ndaj dialogut sepse dialogu sjell normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe hap shtegun e BE-së për të dyja vendet”, është shprehur Lajçak.

Gjithashtu, Qeveria e Kosovës konfirmoi se diplomatët perëndimorë ofruan një plan për ecjen përpara në dialogun Kosovë-Serbi.

Në komunikatën për media thuhet se Kurti i ka falënderuar diplomatët për planin që kanë ofruar si dhe ka shprehur vlerësimet e tij.

“Në takim u bisedua për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars). Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re. Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Tutje bëhet e ditur se Kurti ka theksuar që prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën është siguria e shtetit, qytetarëve, kufijve dhe territorit.

Mirëpo, ende nuk po kuptohet pse po mbahet sekret ky plan. Se ccfarë mund të përmbajë ky plan, folën analistët politikë për gazetën “Bota sot”.

Mehazi: Nuk mund të presim asnjë të mirë për Kosovën nga plani i pesë emisarëve perëndimorë

E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi.

Së pari, ai u shpreh i befasuar me mosdeklarimin e emisarëve amerikano-evropianë lidhur me qëllimin e kësaj vizite, ku madje edhe nuk dhanë informacione të detajuara.

Image
Njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi.

Ai ngriti disa hipoteza mbi atë se për çka mund të kenë ardhur ata në Kosovë.

“Ardhja e pesë diplomatëve perëndimorë në Kosovë dhe mos deklarimi i tyre se pse vizituan Kosovën dhe përse janë takuar me Kurtin?, a mos kanë dashur të bindin krerët e Kosovës për dëshirat politike serbe të asociacioneve, apo për të marrë informacione e argumente të dorës së parë nga institucionet e Kosovës për sulmet terroriste serbe në Banjskë? apo për zgjedhjet e parakohshme lokale në katër komunat e veriut me shumicë serbe, e ajo më kryesorja, mos kanë ardhur në Kosovë dashamirët e presidentit të Serbisë, Vuçiqit, për të bindur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, që pas skenave terroriste serbe në Banjskë të lëshonte pe politike për asociacionet serbe në Kosovë”, u shpreh profesori.

Krahas kësaj, Mehazi kritikoi ashpër faktin se Lajçak nuk dha detaje mbi planin e propozuar, derisha tha se çdoherë planet e fshehura politike janë djallëzore.

“Si është e mundur që pesë “musketarët” ndërmjetësuesë politik të BE-së e SHBA-së, Lajçak, Escobar së bashku me zyrtarët e lartë të Francës, Emanuel Bonne, Jens Plotner gjerman dhe Alessandro Cattaneo të vijnë në Prishtinë me një plan e gazetarët, mediat e qytetarët të mos njihen me planin e Lajçakut dërguar Kurtit.

Mos deklarimi i planit të emisarëve të BE-së dhe heshtja e planit të dërguar nga Lajçaku e ka kuptimin e një fshehtësie të dyshimtë, pasi çdoherë e përherë planet e fshehura politike janë djallëzore e jo të sinqerta” theksoi ai.

Ndër të tjera, profesori u shpreh se nuk pret diçka të mirë për Kosovën, pas kësaj vizite të emisarëve perëndimorë.

“Nëse, Lajçaku dhe Escobari tog me emisarët tjerë evropianë nuk deklaruan asgjë për ardhjen e tyre, pse dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk deklaroi asgjë për planin e dorëzuar nga emisari i BE-së, Lajçaku? Shkurt nuk mund të presim asnjë të mirë për Kosovën nga plani i pesë emisarëve perëndimor, pasi pas sulmeve terroristë serbe në Banjskë Lajçaku, Escobari, Emanuel Bone, Jens Plotner dhe Alessandro Cataneo kanë humbur autoritetin për të ndërmetësuar dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Zogaj: Diplomacia botërore po tregon shumë qartë dhe seriozish se dëshiron të gjej zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë!

Kurse, opinionisti Skënder Zogaj në një bashkëbisedim me “Bota sot” e vlerësoi si pozitive vizitën e emisarëve euro-amerikanë.

Ai tha se diplomacia ndërkombëtare po angazhohet për zgjidhje të problemeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Image
Skënder Zogaj

Kështu që, kërkoi një angazhim konkret nga qeveri jonë.

“Diplomacia botërore po tregon shumë qartë dhe seriozish se dëshiron të gjej zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë! Kjo është e dukshme dhe sa po shihet, bashkësia ndërkombëtare është në një fazë të re të insistimit gjë që, kjo fazë është shumë më e ndieshme dhe, Kosova duhet të angazhohet me krejt seriozitetin e duhur, sepse, çdo lëshim është me pasoja të pariparueshme! Nuk ka shumë kohë për ekzebicione por për vendime dhe zbatimi të vendimeve që arrihen”, deklaroi opinionisti.

Sa i përket planit të ri të propozuar nga Lajçak, tha se nuk pret diçka të re

"Plani më i ri nuk besoj se ka shumë risi, por ma merr mendja se ka ndryshim të paketimit. Kështu u nënkuptua nga deklaratat e Prishtinës dhe Beogradit, në të cilat u theksua "situata e zorshme" që ua ka shkaktuar plani i ri që solli 5-shja duke ritheksuar "zhbllokimin e krizës dhe vazhdimin e dialogut pa kushtëzime".

Edhe pse me gjysmë zëri, Kosova e ka ende në qafë formimin e Asociacionit, ndërsa Serbia mbetet të shihet se çka i është kërkuar?!” – përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat