Kërcënuesit “shqipfolës” të Vjosa Osmanit e Albulena Haxhiut/ Kujt iu prishën planet për vazhdimin e keqpërdorimit të shtetit për pushtet?

Politika

Kërcënuesit “shqipfolës” të Vjosa Osmanit e Albulena Haxhiut/ Kujt iu prishën planet për vazhdimin e keqpërdorimit të shtetit për pushtet?

Nga: M.Lakna Më: 22 tetor 2023 Në ora: 16:32
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Javën që po lëmë pas Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka deklaruar se ka marrë kërcënime pas mosdekretimit të Blerim Isufajt si kryeprokuror. Osmani tha se për arsye se duhet të mbrojë personin që ka sjellë informatat nuk i ka denoncuar këto kërcënime.

“Jam kërcënuar nga persona që janë brenda sistemit prokurorial. Për shkak se dua t’i mbroj personat që kanë sjellë informatat, nuk i kam denoncuar. Shkeljet në procedurën e perzgjedhjes së kandidatit nuk i kam bërë unë, këto shkelje janë të shumta”“Nuk kam folur kurrë në karrierën time per kërcënimet. Rruga përpara është që ata ti respektojnë procedurat. Për arsye për t’i mbrojt personat që i kanë sjellë këto çështje kanë mbet thjesht si informata për mua.” deklaroi Osmani .

Kërcënime u raportua se nëpërmjet rrjetit social Instagram ka marr edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ndërsa u tha se organet e rendit po merren me personin që e ka kërcënuar.

Po ashtu, edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albena Reshitaj tha se ka marr kërcënime nga dikush e të cilat lidhen me vendimet e saj në Kuvendin e Kosovës.

Për publicistin Gani Qarii, është shumë e habitshme se si kërcënimet që deri dje, vinin nga terroristët serbë të të ashtuquajturës "brigada e veriut" sot vijnë nga bashkëpunëtorët shqipfolës të tyre, madje për aq më keq, vijnë direkt edhe kundër vet Presidentes së shtetit Dr. Vjosa Osmani si dhe Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu.

Image
Gani Qarri

“Ndaj duket se, pikërisht mosmiratimi i kandidaturës së propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, për kryeprokuror të shtetit, ua ka prishur planet dhe humbur shpresat edhe politikanëve dhe partive të inkriminuara, se do i shpëtojnë konfiskimit të pasurive të grumbulluara në mënyrë të paligjshme, si dhe tu ikin dënimeve për veprat e mundshme kundërligjore, ndaj dhe kanë filluar të dërgojnë kërcënime, me shpresën se do të arrijnë ti shantazhojnë udhëheqësit më të lartë të shtetit dhe Ministrisë së Drejtësisë, për ti realizuar qëllimet dhe vendosur njerëzit e vet në vendet kryesore të hetuesisë dhe gjyqësorit në vend, si garancia më e madhe për mbrojtjen e vetes nga veprimi i ligjit”, ka thënë Qarri për “Bota sot”.

Sipas tij, kërcënimet që aktualisht po u bëhën figurave më të larta udhëheqëse në Kosove, si presidentes Osmani e ministres Haxhiu, nuk jan të parat as të vetmet.

“Por përderisa një nga kërcënuesit aktual të Ministres së Drejtësisë, është arritur që të arrestohet nga policia dhe të dërgohet në mbajtje, kërcënuesit e Presidentes dhe të parës së vendit, duket se vijnë pikërisht nga klubi i prokurorëve të inkriminuar dhe ata të cilët në rastet normale, do duhej vet ti hetonin kërcënimet, ndaj kjo e bënë më të koklavitur arrestimin e tyre, për shkak të profesionit që ushtrojnë zyrtarisht”, nënvizon analisti.

Sipas Qarrit, kjo dëshmon se Drejtësia, Gjyqësori dhe Prokuroria në Kosovë, vërtetë kanë nevojë shumë të madhe dhe të patejkalueshme, për reforma rrënjësore dhe një Vettting të gjithanshëm.

Ai thekson se Vettingu do ta ndante “shapin nga sheqeri” dhe prokurorët kërcënues, akti i të cilëve është veprim penal, do ti çonte në burg dhe do t’ua ndalonte ushtrimin e profesionit të prokurorit.

“Ata përveçse, keqpërdorin kaq rëndë detyrën zyrtare, dhe nga hetues të akteve kriminale kthehen në kërcënues dhe persona penal, duhet arrestuar sa më parë dhe përfunduar karriera e tyre e pamerituar e prokurorëve, të cilët në vend të mbrojtjes së ligjit, shkelin me të dy këmbët ligjin me kërcënime duke u kthyer në persona penal, kërcënimet e të cilëve përbëjnë rrezikshmëri të lartë, për rendin e ligjin dhe qetësinë e vendit tone”, përfundoi Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat