Publicisti nga Gjermania zbardh prapaskenat, përmend lidhjet e Serbisë me Hamasin – ja si po ndikon lufta e Izraelit në Kosovë

Politika

Publicisti nga Gjermania zbardh prapaskenat, përmend lidhjet e Serbisë me Hamasin – ja si po ndikon lufta e Izraelit në Kosovë

Nga: A.M. Më: 23 tetor 2023 Në ora: 15:34
Pamje nga lufta në Izrael

Në fillim të këtij muaji, Izraeli shpalli gjendje lufte dhe u bëri thirrje afër 300.000 rezervistë për të luftuar kundër Hamasit.

Situata në këtë vend eskaloi pas disa sulmeve terroriste të pamëshirshme ndaj qytetarëve civil.

Mirëpo, ky konflikt po raportohet se mund të ketë ndikim direkt në situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

Tani që vëmendja e ndërkombëtarëve është fokusuar në Izrael, po thuhet se Serbia do e shfrytëzoj këtë momentum për sulme të reja në veri.

Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se shpërthimi i luftës mes Izraelit dhe Palestinës, mund ta largojë vëmendjen e ndërkombëtarëve nga konflikti Kosovë-Serbi.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, tha se BE dhe SHBA kanë intensifikuar përpjekjet për arritjen e një marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë, por pa përmendur sanksionet ndaj shtetit të Vuçiqit.

“Natyrshëm, shpërthimi i konfliktit, deri në luftë të armatosur në mes të Palestinës dhe Izraelit, me provokimin e përgjakshëm të organizatës terroriste "Hamas", mund ta largojë vëmendjen e ndërkombëtarëve për konfliktin në, vazhdimësi, Kosovë-Serbi. Megjithatë, BE-ja dhe SHBA, kanë paralajmëruar angazhimin e tyre të mëtejshëm, madje, të intensifikuar, siç është pritja e afërme të emisarëve të shteteve të Quintit dhe të SHBA-së, në Kosovë dhe Serbi.

Thirrja e tyre, është se dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë, pa alternativë, për t`i përmbushur marrëveshjet e diskutuara në Bruksel dhe Ohër, duke mos dëgjuar zërat e shtuar të Kosovës, se "nuk mund të vazhdohet me "avazin" e vjetër, sikur nuk ka ndodhur asgjë më 24 shtator në veriun e Kosovës, respektivisht, në Banjskë!"”, deklaroi publicisti.

Krahas kësaj, Zeqiraj hedhi dyshime mbi përfshirjen e shtetit serb në luftën izraelito-palestineze.

Image
Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj

Këtë e tha, bazuar në miqësinë e Palestinës e Serbisë, e cila daton shumë vite më parë.

“Ekziston dyshimi i bazuar se krahas Rusisë, edhe Serbia ka hisen e vet në luftën aktuale në mes Palestinës dhe Izraelit. Është njoftuar se grupet terroriste të Hamasit, vazhdojnë të përdorin raketat e prodhuara dhe të dërguara nga Serbia. Miqësia e Palestinës me Serbinë, daton e hershme. Kur Sllobodan Millosheviq, ishte shpallur terrorist nga bota demokratike, klerikët ortodoks të Palestinës e ftuan atë për Krishtlindjet e tyre. Qeveria izraelite reagoi dhe kërcënoi se "nëse Millosheviq merr guximin për të ardhur në Palestinë, do ta arrestojmë si kriminel".

Ndërkohë, ambasadorët dhe zyrtarët tjerë të lartë të Palestinës, si argatë dhe tellallë të Rusisë dhe të Serbisë, në çdo rast janë përkrah Serbisë dhe kundër Kosovës, edhe pse shqiptarët, dikur, goxha ndjenja dhimbje e simpatie kanë investuar për atë, në veçanti, dhe botën arabe, në përgjithësi”, theksoi ai.

Më tej, publicisti komentoi edhe qëndrimet e ndërkombëtarëve sa i përket luftës në Izrael dhe goditjes që ia dha Hamasi.

Mirëpo, ai tha se tani reagimet janë të vrazhdëta dhe po marrin edhe jetë të civilëve të pafajshëm.

“BE-ja dhe ndërkombëtarët tjerë, fillimisht, i dhanë mbështetje pa rezerva Izraelit, për goditjen e rëndë që mori nga Hamasi terrorist, me arsyetimin se Izraeli "ka të drejtë të mbrohet", që nënkupton përgjigjen ushtarake, hakmarrëse. Por, tani që përmasat e kundër-përgjigjes, janë të vrazhdëta dhe po marrin edhe jetë të civilëve të pafajshëm, bota demokratike, përfshi edhe BE-në, po apelojnë për përmbajtje. Dilema është se luftimi i grupeve terroriste të Hamasit, është vështirë, në mos i pamundur, pa viktima civile, sepse terroristët i përdorin si mburojë”, nënvizoi Zeqiraj.

Në fund, publicisti shpreson që sa më parë të përfundojë ky konflikt, pasi po e dëmton edhe Ukrainën e Kosovën në përballjet e tyre me Rusinë e Serbinë.

“Edhe pse zëdhënësi i Forcave të Armatosura të Izraelit thotë se "nuk godasim civilët", dhe kjo dëshmohet me thirrjen e paralajmëruar, për zhvendosjen e popullatës në jug të Gazës. Por kjo është, skajshëm, e zorshme, sepse bëhet fjalë për tej milioni të njerëzve. Përflitet se Izraeli vështirë e kapërdinë goditjen fatale, me shumë qindra të vrarë, të masakruar dhe më dëme enorme. Siç duket, nuk do të mjaftohet vetëm me Gazën, por pretendon edhe përfshirjen e Bregut Perëndimor. Dhe, kjo do të jetë fatale për Palestinën dhe me gjerë.

Sidoqoftë, përfundimi i këtij konflikti të pakohshëm dhe fort të dëmshëm, për Ukrainën dhe Kosovën, njëherësh, urojmë të përfundojë sa më parë. Natyrshëm, do të ishte i mirëpritur, qoftë për dy vendet në konflikt si dhe botën mbarë”, përfundoi Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat