Paralajmërimi i Vuçiqit për rifillimin e dialogut dhe heshtja e “pesëshes së madhe” – çfarë po fshihet në prapaskenë!

Politika

Paralajmërimi i Vuçiqit për rifillimin e dialogut dhe heshtja e “pesëshes së madhe” – çfarë po fshihet në prapaskenë!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 23 tetor 2023 Në ora: 17:30
Pamje nga takimi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të dielën se “qëllimi i vetëm” i Perëndimit është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe se pret që dialogu Prishtinë-Beograd të vazhdojë kah fundi i javës së ardhshme në Bruksel.

Vuçiqi i bëri këto deklarata gjatë një adresimi publik në një televizion serb mëngjesin e së dielës, një ditë pasi u takua në Beograd me pesë diplomatët perëndimorë.

Ai e përsëriti se takimi me “pesëshen e madhe” ishte i vështirë për të, derisa refuzoi të jepte shumë detaje për këtë takim.

 “Natyrisht, gjithçka rreth Kosovës është tejet e vështirë për ne. Njerëzit mendojnë se kjo është vetëm për shkak të Banjskës, por nuk është ashtu. Për ne ishte e tmerrshme në aspektin taktik dhe prodhoi pasoja të caktuara, por në kuptimin strategjik, qëllimi i vetëm i tyre është që ne ta njohim Kosovën”, tha Vuçiq.

Mirëpo, nuk kishte informata shtesë se dialogu Kosovë-Serbi pritet të rifillojë në fund të kësaj jave, përveç paralajmërimit të Vuçiqit.

Është befasuese se si asnjë nga diplomatët perëndimore nuk dhanë ndonjë datë apo mundësi se kur pritet të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi.

Megjithatë, se sa ka aryseshmëri që të fillojë dialogu, kur dihet se nuk janë vendosur asnjë masë ndëshkuese ndaj shtetit serb pas sulmit terrorist në Banjskë.

Qarri: Pa njohje të ndërsjellë as që ka kuptim, të vazhdojë apo edhe të insistohet në rivazhdimin e dialogut

E për këtë, në një prononcim për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.

Së pari u shpreh se dialogu nuk duhet të rifillojë, sikur nuk ka ndodhur asgjë, e aq më pak ma sanksionimin e Serbisë.

“Në fakt, ashtu siç u shprehën edhe me rastin e vizitës që Deputetja britanike dhe Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, të cilën Presidentja dhe kryeministri e pritën dhe falënderuan shumë si dhe i shprehën mirënjohjen e thellë, për mbështetjen e saj të madhe për Kosovën, veçanërisht pas sulmit terrorist serb në Banjë të Zverçanit, prioritet kryesor për vendin tonë nuk janë dëshirat e Vuçiqit, por siguria e shtetit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Prandaj përkundër "pritjeve" apo thënë më saktë, bindjeve të presidentit kriminel serb Vuçiq se sipas tij edhe pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare serbe me sponsorim dhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të Serbisë hegjemoniste me ç` rast u vra polici, tani hero i Kosovës, Afrim Bunjaku dhe plagosën dy tjerë, sikur mos të kishte ndodhur asgjë, kah fundi i javës të rifillojë sërish dialogu në Bruksel, kur dihet se akti vendimtar për rifillimin e bisedimeve, duhet të jetë ndëshkimi i Serbisë hegjemoniste në mënyrën e duhur dhe meritore, për mos-përsëritjen e akteve terroriste serbe në Kosovë”, deklaroi analisti.

Image
Gani Qarri

Krahas kësaj, Qarri vlerësoi se nuk ka kuptim të vazhdojë dialogu, por fillimesh e urgjentisht duhet hequr sanksionet e vendosura ndaj Kosovës.

“Madje për Kosovën nuk ka asnjë kuptim të vazhdojë dialogu, pa pas diçka zyrtare për sanksionimin e Serbisë, andaj për rifillimin e bisedimeve me Serbinë, SHBA dhe BE, fillimisht duhet ti heqin urgjentisht masat ndëshkuese të vendosura njëanshëm dhe në mënyrë plotësisht të padrejtë ndaj Kosovës, tu dorëzohen organeve të drejtësisë së Kosovës udhëheqësi i bandës kriminale kryeterroristi Milan Radojçiq dhe kriminelët tjerë pjesëmarrës të aktit terrorist të 24 shtatorit, si dhe të garantohet nga BE dhe SHBA se do të bëhet zbatimi i plotë si pas radhës nga 1 deri në 1, i të gjitha pikave të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit të dakorduar në Bruksel, si dhe Aneksit të Implementimit të saj, të dakorduar me 18 mars në Ohër, pa diktate dhe kushtëzime, të mëtejme të Serbisë”, theksoi ai.

Po ashtu, analisti, potencoi faktin se si Perëndimi nuk e ka qëllim dialogun me marrëveshjen me njohje të ndërsjellë.

Sipas tij, presidenti serb po aktron dobët, ku më mirë do ishte të dilte hapur dhe të pranonte krimet që ka bërë.

“Për aq më tepër, njohja e ndërsjellë nuk është qëllim vetëm i Perëndimit, por që nga fillimi i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohja ka qenë parimi kryesor dhe vendimtar i dialogut, e paraparë edhe në kornizat e marrëveshjes obliguese gjithëpërfshirëse për sigurimin e paqes dhe qetësisë në rajon si dhe rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve Kosovë –Serbi.

Andaj në vend se të krimineli Vuçiq të aktroj kaq dobët dhe të vazhdojë të sillet si palaqo e kaq turpshëm, ky si pasardhës dhe ish ministri i informatave të kasapit Millosheviq, duhet ta thotë publikisht dhe ta pranojë si udhëheqës i një shteti gjenocidial si Serbia hegjemoniste, e cila ka bërë masakra të papara e krime nga më të tmerrshme në Kosovë, për të cilat jo vetëm që nuk është ndëshkuar as nuk ka kërkuar falje kurrë, por tash e gati një çerek shekulli, vazhdon ti mbaj peng edhe mbi 1643 trupa të shqiptarëve të vrarë e të kidnapuar nga Kosova, se as që mund të ketë marrëveshje përfundimtare, ndërmjet të dy vendeve, pa njohjen e Kosovës nga Serbia”, nënvizoi Qarri.

Në fund, ai shtoi se përndryshe pa njohje të ndërsjellë as që ka kuptim, të vazhdojë apo edhe të insistohet në ri-vazhdimin e dialogut.

“Kështu që, sa më parë, që të ndodhë njohja, do të jetë shumë më mirë, jo vetëm për të dy vendet, por edhe për rajonin ku jetojmë, Bashkimin Evropian dhe vet SHBA-të, të cilat kanë investuar shumë për paqen dhe sigurinë në këtë pjesë të Evropës, përndryshe pa njohje të ndërsjellë as që ka kuptim, të vazhdojë apo edhe të insistohet në rivazhdimin e dialogut, nëse nuk dihet qëllimi përmbyllës i tij, nuk sjellë paqen ndërmjet dy vendeve dhe nuk garanton qetësin afatgjate në rajon”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Emisarët perëndimorë i kërkuan Prishtinës dhe Beogradit gjatë takimeve të së shtunës me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Prishtinë, dhe presidentin serb Vuçiq në Beograd, që t’i normalizojnë marrëdhëniet dhe ta zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit.

Pesëshja diplomatike perëndimore që u prit në Prishtinë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Lajçak tha se shtensionimi i situatës dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë janë më urgjente së kurrë më parë.

Lajçak deklaroi në Prishtinë se me katër diplomatët e tjerë vizituan Prishtinën dhe Beogradin me një plan.

Mehmeti: Serbia s’po ndëshkohet, ajo po vazhdon të përfitojë nga lojaliteti i ndërkombëtarëve

Kurse, analisti tjetër politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se Vuçiq me deklaratat e tij po tenton të përfitojë dhe të shtojë presion ndaj ndërkombëtarëve.

Sipas tij, dy qëllimet kryesore të shtetit serb janë Asociacioni dhe mosnjohja e Kosovës.

“Përmes kësaj deklarate Vuçiqi synon të shtojë presionin tek ndërkombëtarët për të përfituar diçka më shumë në vazhdim të bisedimeve. Serbia synon të përfitoj Asociacion dhe mos ta njohë Kosovën, duke lënë mundësi që në të ardhmen të shpallë autonomi tek pjesët ku serbët jetojnë”, deklaroi ai.

Image
Faton Mehmeti

Ndër të tjera, kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të mos pranojë rifillim të dialogut pa ndëshkim të Serbisë.

“Në fakt, ndërkombëtarët e në veçanti Lajçak dhe Borell janë tregu të njëanshëm, edhe pas sulmit në Banjskë deklaruan se asgjë nuk ndryshon, ndonëse në fakt duhet të kishte ndryshuar. Serbia s’po ndëshkohet, ajo po vazhdon të përfitojë nga lojaliteti i ndërkombëtarëve. Kosova nuk duhet të futet në bisedime pa ndëshkim të Serbisë, në të kundërtën sulmi në Banjskë s’do të prodhojë ndëshkim për Serbinë e as përfitim për Kosovën”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat