“Serbia synon pushtimin e tërë shteteve të Ballkanit Perëndimor”, Kelmendi jep alarm, ja faktet

Politika

“Serbia synon pushtimin e tërë shteteve të Ballkanit Perëndimor”, Kelmendi jep alarm, ja faktet

Nga: Naile Ejupi Më: 23 tetor 2023 Në ora: 23:32
Aleksander Vuciq

Sulmi terrorist i 24 shtatorit vazhdon të mbetet çështja më e komentuar dhe më “tronditëse” në veri të Kosovës.

Gjersa, Kosova vazhdon të thotë se prapa sulmit terrorist fshihet Serbia, ata vazhdojnë ta mohojnë, madje kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq tha se Serbia nuk ka qenë e përfshirë në Banjskë dhe janë të gatshëm të ofrojnë argumente për këtë.

Ajo në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se mesazhi për serbët, ndërkombëtarët është se marrëveshjet e arritura nuk do të zbatohen, ato marrëveshje që janë zbatuar do të bllokohen.

Sipas saj, kriza në Kosovë, tragjikisht ka eskaluar më 24 shtator në mes një grupi të serbëve të armatosur dhe policisë së Kosovës.

“Hetimet janë në vazhdim e sipër për të hedhur dritë mbi të gjitha paqartësitë e këtij rasti”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, analisti politik Muhamet Kelmendi thotë se synimi i Serbisë është pushimi i tërë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, Beogradi kërkon që Kosova ta humb shtetin dhe të futen nën regjimin serbomadh.

“Serbia synon pushtimin e tërë shteteve të Ballkanit Perëndimor, mbi bazën e vendimeve të Versait të vitit 1919 në Paris, si dhe të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër të vitit 1914.

Politika raciste e shtetit të madh serb nuk shtrihet vetëm mbi Kosovën, por edhe mbi territoret tjera të Ballkanit Perëndimor, deri edhe mbi Shqipëri për të dalë në Durrës.

Sipas Beogradit, kërkohet që Kosova të humb shtetin dhe të futen nën regjimin serbomadh. Po kështu është edhe pikësynimi serb mbi Bosnjën e Hercegovinën. Ky shtet konsiderohet nga Serbia në vend serb.

Pikësynimi serb pushtues i njëjtë është edhe ndaj Malit të Zi dhe shtrihet deri te Maqedonia e Veriut, duke pretenduar që Serbia të dali edhe në Durrës”, shprehet Kelmendi.

Ai madje shpreh fakte e histori për pikësynimin serb.

“Politika e tillë është bërë në Serbi nga shumë politolog, politikanë, akademikë serbë, akademi dhe neofashist, si Cubrillovici, Ivica Andric, Cosic, Milloshevic dhe po vazhdon nga klika e Vuciqit.

Kurdoherë prinë në këto plane kisha ortodokëse serbe.

Në deklaratën e Kryeministrit Kroate, z.Plenkoviq, deputetëve në PE, shumë politikologëve gjermanë e austriakë, krahasohet veprimi terrorist në Banjskë të Kosovës me verën e vitit 1990 kur paramilitarët serbë i kishin zënë pritën disa oficerëve policorë kroatë, që i parapriu luftës n Kroaci në qershor të vitit 1991.

Këtë mendim e shprehu edhe Alexandër Rhotert, një politikolog dhe autori gjerman, kur me një artikull të botuar, bëri krahasimin e ngjarjes terroriste në Banjskë të Kosovës me ngjarjet në Kroaci.

Politikani i njohur boshnjak Jasmin Mujanovic flet për një strategji luftarake të Serbisë që nuk ndalet vetëm në Kosovë, por kalon përtej, edhe në shtetet tjera përreth.

Ai thotë:

"Mali i Zi është në një rrezik dhe nën presion të ngjashëm nga Serbia, si Bosnja e Hercegovina, përveç Kosovës, ku po vepron me paramilitarët serbë (...). Mali.i Zi është pjesë e botës së famshme serbe, të cilën njerëzit si Vulin dhe Vuçiq e imagjinojnë. Imagjinata pushtuese shtrihet mbi Kosovë, mbi Bosnjë e Hercegovinë dhe në Maqedoninë e Veriut””, vazhdon analisti.

Image
Muhamet Kelmendi

Tutje, sipas tij, veprimet terroriste në Banjskë, forcimi i Republikës serbe në BH, angazhimet e larta për fitoren e politikës serbe në Mal të Zi dhe në Maqedoni, tregojnë se Serbia është në veprim për të bashkuar botën serbe në një shtet serb.

“Pikësynimi serbomadh është shumë i dukshëm. Në deklaratën e Ministrit të ushtrisë serbe, të Punëve të Brendshme, të Ivica Daciqit dhe të A.Vucuqit, përcaktohen interesat e botës serbe mbi tërë shtetet përreth, nga Kroacia, B e H, Kosova, Mali i Zi dhe mbi Maqedoninë e Veriut. Ky qëllim shtrihet edhe mbi Shqipërinë.

Me këtë politikë po udhëhiqet Beogradi.

Veprimet terroriste në Banjskë, forcimi i Republikës serbe në BH, angazhimet e larta për fitoren e politikës serbe në Mal të Zi dhe në Maqedoni, tregojnë se Serbia është në veprim për të bashkuar botën serbe në një shtet serb.

E tërë kjo mbështetet në politikën serbomadhe të shekullit 19 dhe 20, kur u krijua Serbia e Madhe, me vendimet e Kongresit të Berlinit te vitit 1978, me Konferencën e Ambasadorëve me 1914 dhe në takimin e Versait të vitit 1919 në Paris, kur u krijua Serbia e Madhe.

Mbi këtë politikë po ndërtohet agresiviteti terrorist dhe pikësynimi i pushtimit të shteteve në Ballkanin Perëndimor.

Serbia e ka forcuar këtë politikë dhe mbi këtë po vepron me forcë”, përfundon Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat