“Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit”/ Flasin ekspertët, sa do të jetë i realizueshëm propozimi i Kurtit?

Politika

“Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit”/ Flasin ekspertët, sa do të jetë i realizueshëm propozimi i Kurtit?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 25 tetor 2023 Në ora: 14:13
Fshati Banjskë, 24 shtator 2023

Kanë kaluar javë që nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, kurse detaje të reja vazhdojnë të dalin nga ai. 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar të hënën se sulmin e ka organizuar Klani i Novi Sadit. 

Kurti thotë se në krye të klanit ndodhet ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq. 

Në reagimin e bërë në Facebook, Kurti ka dhënë edhe disa detaje lidhur me Klanin e Novi Sadit. 

“Sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit. Në krye të tij ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq. Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq”, ka theksuar ai. 

Kurti tutje ka shkruar se edhe pelegrinët ishin pikërisht nga Novi Sadi. 

Kryeministri madje ka kërkuar që BE dhe SHBA të formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit. 

“Në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije (tifozët e Cërvena Zvezdës) që shprehet me nofkat e ekstremistëve si: Mami, Llune, Daco, Rusi, Nemac, Gile, Drago, Aco, Comi, Belli, Micko, Prki, Mrki etj. 

Mirëpo, Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar”, ka thënë kryeministri. 

Analistët politikë thonë se deklarata e tij nuk ka ndikim në procesin e dialogut, ndërsa ekspertët e sigurisë thonë se dyshimi i Kurtit është i arsyeshëm, por Serbia nuk do të pranojë Gjykatë Speciale. 

Haziri: Kjo është vërtetë non-sens apo krijon përshtypjen se kë po do ta shfajësojë kryeministri Kurti 

Analisti politik Nexhat Haziri thotë se deklarata e Kurtit është non- sens apo krijon përshtypje se kë dëshiron ta shfajësojë kryeministri. 

Sipas tij, deklarata vetëm e ndihmon Serbinë që t’iu shpëtojë masave ndëshkuese dhe përgjegjësisë që kishte për sulmin terrorist ndaj Kosovës. 

“Është një deklaratë krejt jo serioze dhe pa kurrfarë ndikimi pozitiv për Kosovën në kërkesat e drejta për përgjegjësi nga ana e shtetit serb. Nuk e kuptoj qëllimin e z. Kurti se si ka mundësi që ngjarja e 24 shtatorit, sulmit terrorist ndaj policisë së Kosovës  dhe që kishte qëllim cenimin e integritetit territorial të Kosovës, që skenari, financimi dhe e tërë legjistika ishte nga shteti serb, tani sipas kryeministrit na del se ishte i organizuar nga një klan kriminal i Novi Sadit e që qenka i implikuar një zyrtar i shtetit serb. Kjo është vërtetë non-sens apo krijon përshtypjen se kë po do ta shfajësojë kryeministri Kurti. Kjo e deklaratë e tij nuk ka asnjë ndikim në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, vetëm se do ta ndihmojë Serbinë që t’iu shpëtojë masave ndëshkuese dhe përgjegjësisë që kishte për sulmin terrorist ndaj Kosovës”, ka deklaruar Haziri. 

Image
Analisti politik Nexhat Haziri

Në sulmin e 24 shtatorit është vrarë polici Afrim Bunjaku, ndërsa pas sulmit rreth 30 serbë, të armatosur rëndë dhe të maskuar u fshehën në manastirin në Banjskë për disa orë, atyre iu kërkua nga Policia e Kosovës që të dorëzoheshin, por ata refuzuan të bëjnë një veprim të tillë ku edhe vazhduan sulmet me armë ndaj policisë, nga gjuajtjet me armë mbetën të vrarë tre sulmues. 

Softa: Në këto kushte situata në veri të Kosovës bëhet edhe më delikate 

Ndryshe nga analisti politik Haziri, eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, thotë se dyshimi i Kurtit është i arsyeshëm. 

Sipas tij, duhet të vazhdojë dialogu, sepse ndryshe situata në veri të Kosovës bëhet edhe më delikate. 

“Kurti ne cilësinë e kryeministrit ka informacione si nga shërbimi informativ, shërbimet e policisë dhe veçanërisht nga shërbimet partnere, dhe ky dyshim i arsyeshëm është një bazë e alternativave për hapat e mëtejshme. Sigurisht dialogu është e vetmja armë që duhet të amortizojë dhe neutralizojë zgjerimin dhe thellimin e konfliktit. Hapja e vatrave të reja të konfliktit, krahas Ukrainës dhe rripit të Gazës, e rrezikshme është situata në Mal të Zi, dhe zona të tjera të mundshme konflikti me Kinën. Në këto kushte situata në veri të Kosovës bëhet edhe më delikate. Krijimi i asociacionit pa pastruar grupet kriminale nga territori, është thjesht sheshim i përkohshëm i problemit, por në fakt do jete vetë problemi. Krijimi i një gjykate speciale për këtë klan nga amerikanët dhe evropianët duket topi, ka një situatë që ka favorizuar Kosovën pas sulmeve të grupeve paramilitare, por ende nuk janë hequr sanksionet ndaj Kosovës dhe ende nuk ka sanksione për Serbinë, të paktën të kemi bazë për optimizëm për një mbështetje më të fortë dhe më të qartë për Kosovën”, shprehet Softa. 

Image
Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa

Serbia nuk do të pranojë, e as nuk do ta njihte një gjykatë speciale për të vepruar ndaj klaneve apo grupeve, thotë Softa, gjersa shton se duhet presion ndërkombëtar dhe mbështetje më e fortë nga amerikanët. 

“Gjykatat Speciale duhet të njihen nga të dyja vendet, dhe këto deklarata janë më shumë për konsum politik. Serbia nuk do të pranojë dhe nuk do të njoh kurrë gjykata speciale për të vepruar ndaj klaneve apo grupeve, sepse është vetë politika serbe që bazohet dhe financon këto grupe 

Duhet presion ndërkombëtar dhe mbështetje më e fortë nga amerikanët n.q.s. Evropa nuk është solide dhe tashmë EU është para zgjedhjeve që mbahen në Qershor 2025. Europarlamentarët kanë hyrë në fushata politike të pa shpallura ende në vendet reapektive dhe vetë partitë e koalicionit janë në konkurrencë”, përfundon eksperti. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat