Mësohet çka mund të sjellë ri-formimi i Listës Serbe, ja si do të funksionojë Zllatan Ellek 

Politika

Mësohet çka mund të sjellë ri-formimi i Listës Serbe, ja si do të funksionojë Zllatan Ellek 

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 26 tetor 2023 Në ora: 07:58
Zllatan Ellek

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhe e cila ka përkrahjen e Beogradit, Lista Serbe ka filluar të bëjë ndryshime në lidershipin e partisë, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, ku një grup i armatosur serb me përgjegjësinë e nënkryetarit të kësaj partie, Millan Radoiçiq, sulmoi policinë e Kosovës dhe vrau policin Afrim Bunjaku. 

Të martën kjo parti ka zgjedhur Zllatan Ellek si kryetar të ri, ndërsa nënkryetarë të rinj të Listës Serbe janë zgjedhur Dragisha Milloviq, zëvendësdrejtor i spitalit në Mitrovicën e Veriut, Igor Zaporozhac, kryetar i Komunës paralele serbe në Mitrovicën e Veriut, Tanja Vujoviq, dekane e Fakultetit Ekonomik, Dalibor Jevtiq, kryetar i Komunës së Shtërpces, dhe Dragana Antonijeviq, ish-deputete në Kuvendin e Kosovës dhe drejtoreshë e Qendrës së Studentëve në Mitrovicën e Veriut. 

Kjo parti njoftoi se Ellek gjatë takimit theksoi se në periudhën e ardhshme Lista Serbe do të jetë “strumbullari rreth të cilit do të mblidhet populli serb në Kosovë”, dhe se “të gjitha vendimet e rëndësishme politike do të merren gjithmonë në koordinim me Beogradin zyrtar dhe në interesin e mbarë popullit serb”. 

Mirëpo, analistët politikë nuk shprehen optimist rreth zgjedhjes së tij. 

Duhanaj: Edhe ky do t'i ndjekë direktivat e njëjta 

Image
Leon Duhanaj

Analisti politik, Leon Duhanaj, thotë se Ellek normalisht që do t’i ndjekë direktivat e njëjta politike sikur që i kanë ndjekur paraardhësit e tij. 

“Emri Zllatan Ellek, personalisht nuk me thotë asgjë. Megjithatë do supozoja që duke qenë pjesë e një organizate politike siç është "Lista Serbska", e cila është themeluar nga Vuçiq, edhe ky do t'i ndjekë direktivat e njëjta politike të cilat i kanë ndjekur paraardhësit e tij. Kur flasim për direktiva, atëherë ndoshta mund të supozohet që ato pas ngjarjeve dhe zhvillimeve të fundit, mund edhe të ndërrojnë. Se kah do shkojnë qëndrimet e këtij subjekti, varet nga zhvillimet politike, përkatësisht negociatat në Bruksel”, deklaron Duhanaj. 

Sipas tij, nëse ndryshon qasja e Serbisë karshi Kosovës, do të ndryshojë edhe qasja e Listës Serbe. 

Ai kërkon që komuniteti ndërkombëtar të gjejë metoda shtrënguese në raport me Serbinë. 

“Për mendimin tim, nëse ndryshon qasja e Serbisë karshi Kosovës, atëherë do të ndryshojë edhe qasja e Listës serbe. Për ndryshe, do të kemi qasje të njëjtë si gjerë me tani. Konsideroj që komuniteti ndërkombëtar, duhet të gjejë metoda shtrënguese në raport me Serbinë, në mënyrë që të detyrohen t'i pranojnë dhe zbatojnë marrëveshjet dhe ta respektojnë Kosovën dhe institucionet e saj shtetërore”, thekson Duhanaj. 

Ndaj udhëheqjes së re nuk presin as serbët.  

Ndryshim “kozmetik” 

Aktivisti serb, Dejan Nedeljkoviq, u shpreh se udhëheqja e re e kësaj partie është vetëm një ndryshim kozmetik. 

“Udhëheqja e re e Listës Serbe është vetëm një ndryshim kozmetik dhe shërben për politikën e brendshme, veçanërisht për veriun e Kosovës, për t’i njollosur sytë popullit sepse në krye të listës janë disa mjekë, dhe jo si më parë, zjarrfikës dhe kamarier me doktoraturë dhe që të arrijnë t’i tërheqin njerëzit për disa zgjedhje të reja të mundshme në Kosovë”, deklaroi ai.

Nedeljkoviq thekson se, në anën tjetër, askush nuk është i gatshëm të mbajë zgjedhje të reja për Kosovë. 

“Ish-nënkryetari i tyre i partisë do të pyetet ende për punën e saj, por edhe për vendimet e personelit, pasi në Serbi Vuçeviq është kryetar i SNS-së dhe dihet që Vuçiq i merr të gjitha vendimet”, u shpreh Nedeljkoviq. 

Mulliqi: Kjo Listë do të kontrollohet prapë nga Beogradi zyrtar 

Image
Skënder Mulliqi

Ndërsa, analisti politik Skënder Mulliqi, thotë se ndryshimet në Listën Serbe nuk do të thonë asgjë. 

Sipas tij, derisa kjo parti kontrollohet nga Beogradi, nuk do të përfaqësojë interesat e minoriteti serb.  

“Goran Rakiq dhe Radojqiq që ishin deri tash në krye të Listës Serbe, e cila për shumë kohë ishte pjesë e pushtetit ekzekutiv të Kosovës, me veprimet e krerëve të saj më biografi kriminale, korruptive, kontrabanduese dhe terroriste, meriton përjashtim nga jeta politike në Kosovë. Pse kjo nuk po ndodhë janë shumë pyetje hipotetike , të faktorit relevant ndërkombëtar, të cilët pas gjithë atyre ngjarjeve më karakter terrorist, ku edhe u vra një polic i Kosovës dhe u plagosën dy të tjerë, nuk reagoi fuqishëm në denoncimin e Serbisë dhe as të kësaj Liste. Edhe, pas kësaj ngjarje tragjike të sponzorizuar nga pushteti kriminal i Vuçiqit dhe Radojçiqit nënkryetar të Listës Serbe, nuk patëm reagime të forta ndëshkuese ndaj terroristit Radojçiq. Ai u la i lirë nga pushteti i Vuçiqit, madje u shpall hero në Serbi, dhe i cili as që po mendon ta ekstradojë atë në Kosovë. Prandaj, ndryshimet në krye të Listës Serbe , me kryetar Zllatan Ellek, nuk do të thonë ama bash asgjë. Kjo Listë do të kontrollohet prapë nga Beogradi zyrtar dhe si e tillë, nuk do të përfaqëson as interesat e minoritetit serb , dhe aq më pak kjo listë meriton të marrë pjese në zgjedhjet e reja të paralajmëruara në katër komunat më shumicë serbe në veri”, thotë Mulliqi. 

Tutje, sipas Mulliqit, me lidhjet e mekanizmave të tilla kriminale të Listës Serbe, vështirë se do të përmirësohet jeta e serbëve ne veri. 

Zgjedhjet e reja zor që do të promovojnë vlera demokratike, shprehet Mulliqi, gjersa shton se BE duhet ta kuptojë se Serbia është kërcënim real për rajonin. 

“Pse ndryshohen dy njerëz të deskridituar politikisht dhe të shpallur edhe non grata nga DASH, është vetëm një tentativë për të mbuluar të gjitha të palarat e saj, me prapavijë të ndarjes të Kosovës. Më duket se prapa deklarimit të Listës se do të marrë pjesë në zgjedhje e cila i patë bojkotuar ato parapraket, madje bëri thirrje që të largohen serbët nga institucionet e shtetit të Kosovës, ka për qëllim fitimin në kohë, që të formohet Asociacioni me kompetenca ekzekutive, për t’i shkëputur ndërkohë lidhjet më pushtetin legjitim të Prishtinës. Ekzistojnë edhe parti tjera serbe të cilat i përfaqësojnë interesat e minoritetit, pa këtë listë të komprementuar politikisht e terroriste.   

Mirë është të kuptojnë edhe serbët e Kosovës se mjaftë është bërë me formalitetet të tilla, jo në interesin e tyre, që vijnë nga Vuçiqi dhe argatët e tij të listës. Me lidhjet e mekanizmave të tilla kriminale të Listës Serbe , vështirë se do të përmirësohet jeta e tyre në veri. Edhe diçka për fund. Lista Serbe me kryetar të ri, duhet të pranojë pushtetin e Prishtinës zyrtare. Paraqitjet e tyre në opinion më termin “Kosovë dhe Metohi”, janë kundër shtetit të Kosovës, dhe me një logjikë të tillë përjashtuese ndaj organeve tona nuk duhet lejuar. Zgjedhjet e reja zor që do të promovojnë vlera demokratike , nëse kryetari i ri i Listës, Zllatan nuk lirohet nga shovenizmi i verbuar serbomadh i Vuçiqit. Logjika për të formuar edhe një “Republika Srpska” në Kosovë, nuk do të funksionojë më, nëse mendon Serbia e Vuçiqit, dhe partitë serbe në Kosovë, të cilat do të dalin në zgjedhje. BE-ja duhet më në fund të kuptojë se Serbia është kërcënim real për rajonin”, përfundon Mulliqi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat