“Asociacioni që iu dorëzua qeverisë së Kosovës, në përputhje me Kushtetutën”/ A po krijohet një “nivel i tretë pushteti”? – Flasin analistët   

Politika

“Asociacioni që iu dorëzua qeverisë së Kosovës, në përputhje me Kushtetutën”/ A po krijohet një “nivel i tretë pushteti”? – Flasin analistët   

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 26 tetor 2023 Në ora: 13:29
Glauk Konjufca

Sot pritet të mbahet takimi i kryeministrit Albin Kurti me Kancelarin gjerman Olaf Scholz, Presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministren italiane Gioriga Meloni dhe emisarët për dialog.  

Nga BE kanë thënë se kanë paraqitur plan “modern” për krijimin e Asociacionit në Kosovë.  

E nga ana tjetër Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se propozimi i diplomatëve perëndimorë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që i është dorëzuar qeverisë së Kosovës, sipas tij, është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk krijon një nivel të tretë pushteti.  

Nuk e kam shqyrtuar me kujdes por vetëm një shikim sipërfaqësor, por është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës", kishte deklaruar Konjufca.  

Elezaj: Asociaconi do të formohet në harmoni të plotë me normat kushtetuese të saj  

Image
Rexhep Elezaj

Analisti Rexhep Elezaj, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se kërkesat e Asciacionit ka qenë e qartë edhe për tre krerët shtetëror të Kosovës.  

Madje, asociacioni u bë edhe mollë sherri edhe në takimet mes Kosova dhe Serbisë.  

“Duhet pranuar faktin, se tre krerët shtetëror të Kosovës, presidentja, krye-parlamentari dhe kryeministri, e kanë pasur kaherë të qartë, se një ditë, deshën ose s’deshën, duhet ta pranojnë kërkesën e vazhdueshme të BE-së dhe SHBA-ve, që Kosova ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe (AKS), obligim ky i marrë para 10 viteve në Bruksel, mbase kërkesë kjo ekskluzive e palës serbe, e cila ishte bërë “mollë sherri” në të gjitha takimet e mbajtura në Bruksel mes dy palëve në dialog. Pra, ishte ky mjeti kryesor të cilin e ka keqpërdorur gjithnjë pala serbe, duke bërë presion tek ndërmjetësuesit e BE-së J. Borrell dhe M. Lajçak, që ta shtyjnë palën kosovare që ta formojë asociacionin në fjalë”, thotë ai.  

Tutje, për deklaratën e Konjufcës, ai thotë se kjo lë të kuptohet se Kosova e ka pranuar Asociacionin, propozim ky i diplomatëve ndërkombëtarë, me të cilin sipas tyre nuk do të cenohet rendi kushtetues.  

“Pas gjitha presioneve të ushtruara me vite mbi palën kosovare, sidomos nga vendet e QUINT-it që ta përmbushë obligimin e saj ligjor për formimin e AKS-së në veri të Kosovës, sipas deklaratës së sotme të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Glauk Konjufca, “se propozimi i diplomatëve perëndimorë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që i është dorëzuar qeverisë së Kosovës, që sipas tij, është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk krijon një nivel të tretë pushteti”, na jep të kuptojmë shumë qartë, se më në fund, qeveria e Kosovës e ka pranuar propozimin e diplomatëve ndërkombëtarë që ta formojë AKS-në, por me të cilin nuk do të cenohet rendi kushtetues i Republikës së Kosovës, i cili do të formohet në harmoni të plotë me normat kushtetuese të saj”, deklaron ai.  

Por, ai thekson se kjo ka qenë e ditur sepse Kosova nuk mund t’i ikë, gjë e cila po të ishte formuar më herët ndoshta sot Kosova do të ishte më afër marrëveshjes finale.  

“Nëse është kështu, dhe, siç duket kështu edhe do të ndodhë, për të cilën çështje kam folur në shumë prononcime të mia publike, se qeveria e Kosovës është dashur pa humbur kohë ta formojë AKS-në, kuptohet ekskluzivisht sipas Kushtetutës së vendit tonë, sepse isha i bindur se këtij obligimi pala kosovare e ka shumë vështirë t’i ikë, parashikim ky që sot po del të ketë qenë me vend, sepse po të ishte formuar ky asociacion para 2 - 3 viteve, sot Kosova do të ishte shumë më afër përmbylljes së marrëveshjes finale për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, përkatësisht për njohje të ndërsjellë, qoftë ajo vetëm “de-facto”, siç ishte paraparë edhe me Planin e BE-së (franko-gjerman), i dakorduar mes dy palëve me 27 shkurt në Bruksel, si dhe me Aneksin për implementim të tij me 18 mars në Ohër.  

Jam i sigurt, se nëse pala kosovare ka pranuar ta formojë AKS-në, ky do të jetë një kompromis të cilin është dashur bërë, besoj shumë, si kompensim i kompromisit të palës serbe, e cila nga faktorët ndërkombëtarë do jetë detyruar që ta pranojë pavarësinë e Kosovës, në mos “de-jure”, atëherë “de-facto” gjithsesi”, përmbylli ai për “Bota sot”.  

Mehazi: Elita politike, nën udhëheqjen e Albin Kurtit, kanë dëshmuar disa herë se politika nuk është gënjeshtër  

Image
Sulejman Mehazi

Profesori Sulejman Mehazi në një përgjigje për “Bota sot” thotë se deklarimi i Konjufcës mund të merret i besueshëm por që sipas tij, më i besueshëm do të ishte përgjigja e Kurtit nëse pajtohet edhe ai me këtë propozimin e pesëshes evropiane.  

“Deklarata e Kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, për propozimin e diplomatëve perëndimor për krijimin e Asociacioneve me shumicë serbe duhet të jetë e besueshme për shkak se si thotë ai është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, mirëpo shumë më e besueshme do të ishte deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, se a pajtohet edhe ai me propozimin e pesëshes evropiane e amerikane për llojin asociacioneve serbe se propozimi i evropianëve a  është brenda kornizës kushtetuese të Kosovës apo jo”, thekson ai.  

Ai thotë se sido që të jetë duhet besuar këtë klasë politike sepse kanë dëshmuar se politika nuk është gënjeshtër, duke punuar me nder e ndërgjegje për ta ruajtuar sovranitetin e Kosovës.  

“Megjithatë duhet besuar edhe Konjufcën pasi kjo elitë politike e Kosovës nën udhëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, kanë dëshmuar disa herë se politika nuk është gënjeshtër, po ndërgjegje e ndershmëri dhe se këtë ndërgjegje e ndershmëri të besueshmërisë për ruajtjen e sovranitetit të Kosovës do ta mbajnë deri në përfundimin e dialogut me Serbinë”, përfundon Mehazi për “Bota sot”.  

Qeveria e Kosovës ka njpftuar se kryeministri Kurti në margjinat e samitit të liderëve të shteteve anëtare të BE-së, do takojë liderët e Gjermanisë, Olaf Scholz, Francës, Emmanuel Macron, e të Italisë Giorgia Meloni, si dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen. 

 “Takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7”, thuhet në njoftimin e Qeverisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat