Profesori i reagon Konjufcës për “shikimin sipërfaqësor” të propozimit për asociacion, ja si i drejtohet

Politika

Profesori i reagon Konjufcës për “shikimin sipërfaqësor” të propozimit për asociacion, ja si i drejtohet

Nga: Naile Ejupi Më: 26 tetor 2023 Në ora: 13:58
Albin Kurti

Pesë diplomatët nga BE-ja, Shtetet e Bashkuar, Franca, Italia dhe Gjermania, sipas bllokut evropian, javën e kaluar gjatë takimeve në Kosovë dhe Serbi u kanë dhënë palëve një “propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Për këtë propozim, ka folur të mërkurën kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili e ka cilësuar si propozim modern evropian për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duket se është në përputhje të plotë me Kushtetutën.

Gjatë një prononcimi për media në Prishtinë, Konjufca megjithatë tha se për Asociacionin nuk duhet të negociohet dhe ai nuk duhet të jetë temë qendrore e negociatave, pasi për të është arritur më herët marrëveshje.

“Në një shikim sipërfaqësor, po [propozimi për Asociacionin] është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kurrfarë niveli i pushtetit në Kosovë. Por, edhe kjo nuk mendoj që është temë e negociatave me Serbinë. Nëse ndonjëherë ndodh ndonjë draft i Asociacionit, ai do të propozohet nga Republika e Kosovës, nëse veç ndodh, nëse jo nuk do të propozohet fare”, ka deklaruar Konjufca.

Por, një reagim “të ashpër” ndaj Konjufcës ka bërë profesori nga Amerika, Binak Maxharraj, i cili thotë se si ka mundësi që ai t’ia ketë dhënë propozimit vetëm një shikim sipërfaqësor.

Sipas tij, në atë propozim mund të ketë ndonjë “copë mishi dhie”.

“Glauk a je në veti..?! /Konjufca: Asociacioni i BE na qenka në përputhje me Kushtetutën kur lexohet sipërfaqësisht, por kur lexohet me kujdes midis rreshtave nuk është ashtu ka brenda ”mish dhie”/ Siç dihet propozimi i diplomatëve perëndimorë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe i është dorëzuar qeverisë së Kosovës dhe i publikuar në media, ani pse krijimi i Asociacionit është e drejtë ekskluzive e qeverisë se Kosovës për t’i ikë pothuajse se ndonjë “cope mish dhie” në Asociacionin që e propozon dikush tjetër. E deri më tani kanë qarkulluar lloj lloj propozimesh të Asociacionit, e së fundi edhe ai i ekspertit të shquar shqiptar Edi Ramës. Nuk dihet se si është kompiluar ky Asociacion që sot është bërë publik në media, por Kryetari i Parlamentit të Kosovës Glauf Konjufca për këtë Asociacion të BE foli qorras duke theksuar se: “Ky Asociacion është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk krijon një nivel të tretë të pushtetit. Nuk e kam shqyrtuar me kujdes, por vetëm shikim sipërfaqësor”. Po si mundet kryetari i Parlamentit Glauf Konjufca të deklarojë diçka të tillë skandaloze kur thotë “nuk e kam shqyrtuar me kujdes vetëm ia kam dhënë një shikim sipërfaqësor””, pohon Maxharraj.

Image
Binak Maxharraj

Sipas tij, Konjufca do të duhej ta lexonte nën rreshta, kjo pasi propozimet e mëhershme binin ndesh me kushtetutën e Kosovës.

“Nuk e di se Konjufca atë shikim sipërfaqësor e paska bërë mbi rreshta apo nën rreshta. Sikur ta lexonte me rreshta, fjalë për fjalë bile edhe duke e përseritur diku leximin nuk do të deklaronte diçka të tillë skandaloze dhe tmerruese për një kryeparlamentar. Tasht shtrohet pyetja si është e mundur që një Borell dhe Lajçak të cilët vazhdimisht ia kanë shti "ndërskamcat" dialogut lidhur me Asociacionin duke e përkrahur Serbinë çfarë edhe është thënë publikisht në media, portale dhe nga krerët shtetëror të institucioneve. Si u bënë tashti aq të mire Borell dhe Lajçak që aq me përkushtim e paskan lexuar kushtetutën e Kosovës (sic) sa që Asociacionin që ia paskan dërguar qeverisë së Kosovës nen për nen qenka në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, që dikur deklaronin hapur se për shkak të Asociacionit duhet të ndryshohet edhe Kushtetuta. Po sikur Glauk Konjufca të lexonte këtë propozim të Asociacionit, të lexonte nën rreshta do të vërente se nuk është bash qashtu, sepse sikur te lexohet nën rreshta vërehet se është fut ”mish dhie” në mënyrë të kamufluar që të çojnë jashtë kushtetutës. Nuk thuhet kot në popull “askush më mire nuk ta bënë samarin se sa ia bënë vetes, sepse të bie taman, nuk të vretë”. Pse, ne e lëshojmë veten aq poshtë, mbrohemi si të pa dijshëm, pa qenë, kur ne vetë mund të krijojmë Asociacionin për serbët me komuna me shumicë serbe, e cila është detyrë eksplicite e qeverisë së Kosovës mbi bazat e kushtetutese dhe i pa negociueshëm”, thekson Maxharraj.

Ndryshe, edhe më herët, BE-ja ka thënë se i ka paraqitur Kosovës dhe Serbisë disa modele evropiane për statutin e Asociacionit.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe 2015. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015 gjeti se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit dhe tha se ai duhet të harmonizohet përmes akteve nënligjore.

Kosova deri më tani ka refuzuar të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke shprehur frikën se mund të cenojë funksionalitetin e shtetit. Serbia, ndërkaq, insiston në themelimin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat