Kosova bëri gjest historik, Serbia ‘fëmijë’ i llastuar/ Mësohet mënyra si mund ta pranojë Serbia marrëveshjen

Politika

Kosova bëri gjest historik, Serbia ‘fëmijë’ i llastuar/ Mësohet mënyra si mund ta pranojë Serbia marrëveshjen

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 27 tetor 2023 Në ora: 21:09
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Vuçiq, janë pritur të enjten në takime të ndara nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Pas përfundimit të takimeve, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ka thënë se “parakushtet e njërës palë kanë qenë të papranueshme për tjetrën” dhe se kjo e ka pamundësuar marrëveshjen.

Në tryezë të diskutimeve ka qenë zbatimi i Marrëveshjes Bazë, si dhe një propozim i ri për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili është prezantuar në Prishtinë dhe në Beograd nga diplomacia perëndimore, më 21 tetor.

Në adresime të ndara, Kurti ka thënë se ka qenë i gatshëm ta nënshkruajë edhe Marrëveshjen Bazë, edhe draftin e ofruar për Asociacionin, ndërsa Vuçiq ka këmbëngulur në zbatimin e “asaj që është nënshkruar”.

Analistët politikë e kanë cilësuar historike pranimin e propozimit të BE-së nga ana e Kosovës, duke thënë se ajo e dha fjalën e saj, ndërsa BE tani duhet të merret me Serbinë.

Sipas tyre, ledhatimi i BE-së dhe mos sanksionimi i Serbisë nuk jep shpresë për dialog.

Mehmeti: Kosova dje e ka dhënë fjalën e saj, tani BE të merret me Serbinë

Image
Faton Mehmeti

Analisti politik, Faton Mehmeti, thotë se takimi i së enjtes ka qenë i pritur që do të dështojë.

Sipas tij, vetëm kur Serbia do të sanksionohet fort dhe të mos ketë asnjë rrugë tjetër, atëherë do të pranojë marrëveshje.

Takimi që ndodhi dje ka qenë i pritur të dështojë, me faktin se Serbia vazhdon të mos ndëshkohet pavarësisht çdo gjë që bën. BE nuk është e aftë të ndëshkojë Serbinë, me ledhatimet e saja ndaj Serbisë e bën të pamundur arritjen e çdo marrëveshjeje. Vetëm kur Serbia të sanksionohet fort dhe mos ketë asnjë rrugë tjetër do të pranojë marrëveshje, ndryshe sabotimet do të vazhdojnë. Serbia ngjan me fëmijën e lazdruar e që tani i rritur nuk njeh asnjë normë as ligj, e vazhdon me kapriçot e saj. Vetë BE e ka ledhatuar, e Kosova dje e ka dhënë fjalën e saj, tani BE le të merret me Serbinë e lazdruar nga vet ata”, deklaron Mehmeti.

Bisedimet të enjten kanë qenë ta parat pas sulmit në Banjskë të Zveçanit, sulm ky që sipas shumë analistëve ndërkombëtarë shënonte fundin e dialogut.

Ndërsa, takimet e djeshme sipas ish- diplomatit britanik, Timothy Less, kanë konfirmuar se dialogu Beograd-Prishtinë nuk po shkon askund.

Për mendimin tim, nuk ka pasur mundësi që të ketë sukses, sepse është një marrëveshje e keqe nga perspektiva e Kosovës sepse kërkon autonominë e serbëve pa asnjë garanci se do të pasojë njohja nga Serbia ose se Kosova do të anëtarësohet në BE dhe NATO. Gjithçka po ndodh në një kontekst të ri gjeopolitik ku ne jemi dëshmitarë të prishjes së rendit ndërkombëtar ekzistues. Rusia duket se ka mbizotëruar në Ukrainë, lufta po shpërthen në Lindjen e Mesme dhe pozicioni i mëparshëm dominues i Perëndimit tani po shfaqet hapur, sfiduar nga fuqitë e reja revizioniste, jo vetëm Rusia, por edhe Kina, Turqia, Irani. Ditët kur ShBA-ja dhe BE-ja mund të impononin në mënyrë të njëanshme zgjidhjen për statusin e Kosovës, kanë kaluar”, ka deklaruar ai.

Qarri: Është një sukses i pamohueshëm, e madje edhe historik i Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Dr. Vjosa Osmani

Ndërsa, analisti politik Gani Qarri, e konsideron sukses historik pranimin e propozimit të BE-së nga ana e Kosovës.

Image
Gani Qarri

Kurse, sipas tij, Serbia e ka dëshmuar se nuk ka gatishmëri për marrëveshjet e arritura.

Pranimi më në fund, i versionit kushtetues edhe nga faktori ndërkombëtar, që në fakt u tha se përjashtonte modelin e "Republikës Srpksa", brenda territorit të Kosovës, është një sukses i pamohueshëm, e madje edhe historik i Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Dr. Vjosa Osmani, të cilët pas sulmit terrorist serb, të 24 shtatorit, u duk se para faktorit ndërkombëtar, e deklasuan edhe Serbinë hegjemoniste, që me bandat terroriste, tentoi okupimin klandestin të veriut të Republikës së Kosovës. Por megjithëse euforia e përkohshme dhe efekti taktik, që pas pranimit nga Kosova, të propozimit të BE-së, për asociacionin, fillimisht tentuan t'i jepnin organizatorët evropianë në takimin e fundit, sikur krijoi një fije shprese se më në fund do të arrihej një marrëveshje orientuese, të paktën sa i takon problematikës së të ashtuquajturit "asociacion" pasi që edhe propozimi më i ri i ardhur nga ndërmjetësuesit e bisedimeve, u tha se ishte në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, në fund dështoi, sërish për shkak të obstruksioneve të Vuçiqit me kërkesat për ndryshimin e neneve të marrëveshjeve të mëparshme dhe mospranimit të Serbisë, që t’i nënshkruajë marrëveshjet me Kosovën”.

Andaj duke parë, siç u tha edhe pas përfundimit të këtij takimi, se Serbia asnjëherë, nuk shpreh gatishmëri që marrëveshjet e arritura edhe ti nënshkruajë dhe në vijimësi para ndërmjetësuesve euro-amerikanë, paraqitet me obstruksione të reja, siç veproi edhe herën e fundit, duke tentuar që t’i ndryshojë tri nene të marrëveshjeve të mëparme, tanimë të akorduara ndërmjet dy vendeve me ndërmjetësimin e vet BE-së dhe emisarit të ShBA-së, kjo vërtetë nuk lë vend, as krijon pritshmëri për arritjen e shpejtë të marrëveshjes përfundimtare me këtë shtet hegjemonist e agresor. Për aq më tepër, të lejohen nga BE dhe ShBA, arsyetime kaq banale të Vuçiqit, se kinse Serbia nuk mund ta njohë Kosovën, as lejojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe në OKB, vërtetë është koha e fundit që SHBA, BE dhe faktori ndërkombëtar duhet ti dënojë këto veprime dhe të mos lejojë të përsëriten më, nëse vërtetë e kanë seriozisht ndërmjetësimin dhe mendojnë me sinqeritet të plotë, arritjen e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet dy vendeve”, deklaron Qarri.

Qarri: Pa zëvendësimin e Borellit, Lajçak-ut dhe vet emisarit amerikan Eskobar as që do të mund të arrihet marrëveshje

Sipas tij, kur nuk sanksionohet Serbia edhe pas sulmit terrorist, por llastohet, atëherë kjo nuk jep shpresë për bisedimet e vërteta.

Përndryshe, përderisa nga emisari amerikan Eskobar dhe ndërmjetësuesit e lartë pro serb të BE-së, Borell e Lajçak, edhe pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, vazhdojnë llastimet ndaj Vuçiqit dhe jo vetëm nuk disiplinohet Vuçiqi, por nuk sanksionohet as Serbia, e në fund të takimeve, përkundër pranimit të propozimit të BE-së nga Kosova dhe deklarimit publik të gatishmërisë nga Kryeministri Kurti, për nënshkrimin e tyre, Josepp Borell përsëri, është aq tendencioz sa nuk e thotë asnjë fjalë të vetme kundër Vuçiqit as nuk hedh poshtë tentimet e Vuçiqit, që përpos mos-nënshkrimit, as të marrëveshjeve të fundit, t'i ndryshojë edhe nenet e marrëveshjeve tanimë të akorduara më parë, kjo vërtetë nuk jep shpresë se vërtetë bisedime të tilla dhe me ndërmjetësues të tillë, mund të kenë efekt. Madje fill pas refuzimit të Vuçiqit që t’i nënshkruajë marrëveshjet, dhe tendencave të tij meskine që përmes kërkesave, edhe për ndryshimin e neneve të marrëveshjeve të dakorduara, t’i zhargitë sa më gjatë bisedimet dhe të mos arrihet asnjë marrëveshje, vet Josep Borell del dhe barazon qëndrimet e të dy palëve, duke deklaruar në mënyrë publike para mediave botërore, se si kinse Kosova as Serbia, nuk ishin të gatshme për marrëveshje. Ky qëndrim misterioz i vet përfaqësuesit më të lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, dëshmon se pa zëvendësimin e Borellit, Lajçak-ut dhe vet emisarit amerikan Eskobar, si dhe ndryshimit total të qasjes ndaj dialogimit, as që do të mund të arrihet marrëveshje me një shtet hegjemonist e agresor si Serbia”, thekson Qarri.

Të gjithë avantazhet e Kosovës, sipas Qarrit, po vriten qëllimisht nga ndërmjetësuesit e dialogut.

Kështu që, fatkeqësisht, edhe përkundër faktit se pas sulmit terrorist serb të 24 shtatorit, me ç`rast u vra në detyrë polici, tani hero i Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili në fakt u dënua dhe cilësua sulm terrorist edhe nga faktori ndërkombëtar, shto kësaj argumentin se Kosova u pajtua edhe me propozimin e fundit të BE-së, si draft fillestar për krijimin e asociacionit, por megjithatë Serbia refuzoi serish ta nënshkruante edhe këtë marrëveshje, duke quar në dështimin e saj, në parim, zhvillimet në fjalë megjithëse ofruan bindjen se u krijua një avantazh për Kosovën, duke u konfrontuar me qëndrimet, kontradiktore dhe mendoj gati tërësisht pro-serbe të Borellit, Lajçakut, të ambasadorit amerikan Hill dhe të vet emisarit Eskobar, gruas së të cilit Serbia ia financonte ekspozitat e shumë-kushtueshme, me dollarë amerikanë, besoj se të gjitha këto avantazhe po vriten qëllimisht nga vet ndërmjetësuesit e dialogut, ndoshta me qëllimin kobzi, që edhe Kosovës, njëjtë si Bosnjës, pa dashjen e saj, t’i imponohet një krijesë e shpifur si lloji i "Republikës Serpska" e cila do ta vriste të ardhmen tonë dhe infektonte pashërueshëm dhe në mënyrë kanceroze edhe shtetësinë e Kosovës”, shton analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat