“PO-ja e kryeministrit veprim i duhur, Vuçiqit i duhej JO-ja për çështje elektorale”, analisti “këshillon” Kosovën për hapa tjerë

Politika

“PO-ja e kryeministrit veprim i duhur, Vuçiqit i duhej JO-ja për çështje elektorale”, analisti “këshillon” Kosovën për hapa tjerë

Nga: Naile Ejupi Më: 28 tetor 2023 Në ora: 14:55
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Takimet për një marrëveshje Kosovë- Serbi kanë rifilluar të enjten pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.

Në Bruksel, të enjten, krerët evropianë dhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell kanë takuar ndaras kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por, ky takim nuk solli ndonjë dakordim, kjo pasi presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka refuzuar ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshjen e ofruar nga evropianët.

Kryeministri Albin Kurti pas takimit me liderët evropianë në Bruksel, deklaroi se është i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjeve me Serbinë, e cila garanton zbatimin e tyre, që përfshinë edhe draftin evropian për Asociacionin.

Në njoftimin e bërë nga Qeveria e Kosovës thuhet se, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore, me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor, 2023.

Analisti politik, Skënder Zogaj, thotë se kryeministri Kurti, bëri veprim të duhur.

Sipas tij, asociacioni kurrë nuk mund të bëhet Republikë Srpska dhe këtë e di edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

“PO-ja e Kryeministrit Kurti është veprim i duhur në çastin e duhur, për shumë arsye, jo vetëm se vepron ndryshe nga Vuçiqi, por sepse Kosova është në çastet më të ndjeshme të historisë pasluftës, ngase është momenti kur duhet të jemi në të njëjtat valë me diplomacinë evropiane e amerikane, dhe që të mos bëhemi pengesë e gjithë mundit dhe rezultateve të arritura! Duhet të jemi të vetëdijshëm se Kosova është shtet i lirë dhe i pavarur me një perspektivë të pandalshme për kthimin e humbjeve shekullore në fitore dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare! Ky është momenti që duhet të zotërohet me kujdes dhe në bashkëveprim me partnerët ndërkombëtar! Kryeministri Kurti bëri mirë që tha PO, pavarësisht që mund të ketë zëra që do ta kritikojnë. Asociacioni kurrë dhe në asnjë mënyrë nuk do të mund të bëhet Republika Srpska, këtë e dinë Vuçiqi, por i duhet JO-ja për çështje elektorale sepse i ka afër zgjedhjet dhe ruajtjen e pushtetit e ka nevojë jetike!”, deklaron Zogaj.

Image
Skender Zogaj

Analisti ka kërkuar që Kurti të nënshkruajë dokumentet dhe menjëherë të fillojë me implementimin e marrëveshjeve.

“Kurti duhet një çast e më parë të nënshkruajë dokumentet dhe menjëherë të nis me implementimin e marrëveshjeve. BE dhe meritat i kanë thënë dhe po e përsërisin qëndrimin bazik dhe jetik për Kosovën, garancinë për sovraniteti territorial dhe kjo është ajo që na duhet, të tjerat i "tjerrim" ngadalë duke ua nxjerrë në shesh format e vetullave që Serbia ta kuptojë se, shqiptarët përjetësisht janë të pathyeshëm!”, shton Zogaj.

Pas takimeve, treshja evropiane, Scholz, Macron e Meloni, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët ku kërkuan Kosovës themelimin e Asociacionit, ndërsa Serbisë njohjen de-fakto të pavarësisë së Kosovës.

Ndërsa, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që urgjentisht dhe seriozisht të angazhohen për përmbushjen e obligimeve që dalin nga dialogu që po zhvillojnë.

“I mirëpresim takimet që janë mbajtur për të avancuar procesin e normalizimit”, thuhet në përgjigjen e Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe – me rastin e takimit të liderëve të Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe liderë të shteteve anëtare të BE-së.

“Ne vazhdojmë të mbështesim fuqishëm dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si e vetmja mënyrë që do të sigurojë marrëdhëniet e tyre paqësore dhe produktive dhe do të përmbushë aspiratat e tyre për anëtarësim në Union”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat