“Vuçiqi është para një vendimi të vështirë”/ Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare flet pasi Kurti pranoi propozimin evropian

Politika

“Vuçiqi është para një vendimi të vështirë”/ Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare flet pasi Kurti pranoi propozimin evropian

Nga: P.Rudi Më: 30 tetor 2023 Në ora: 08:05
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, thotë se pranimi i kryeministrit Kurti që ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe draftin e ofruar nga diplomatët perëndimorë për themelimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, përbën një moment të rëndësishëm në politiken e Kosovës dhe të rajonit.

Pranimi i propozimit evropian nga Albin Kurti ku kërkohet nga Kosova formimi i Asociacionit dhe nga Serbia njohja de fakto për Kosovën, paraqet një moment të rëndësishëm në politikën e Kosovës dhe rajonit. Mirëpo, kjo paraqet edhe zhvillimin diplomatik dhe fitoren e perëndimit dhe dështimin e reprezaljeve politike nga Kurti dhe Vuçiqi”, shprehet Kuçi për “Bota sot”.

Sipas tij, pas pranimit të Kurtit, tanimë gjithçka është në duart e presidentit serb, Vuçiq.

Image
Gurakuç Kuçi

Pasi Kurti pranoi gjitha ato që i ka refuzuar tani ka mbetur në duart e Vuçiqit se si do vazhdoj ky proces. Vuçiqi është para një vendimi të vështirë ku ose duhet të pranojë izolimin apo të bëjë ndonjë luftë, ose të tërhiqet nga pushteti ose të pranoj ofertën e BE-së. Këto oferta të BE-së mund edhe ta dërgojnë Kosovën e Serbinë në zgjedhje të parakohshme të cilët pastaj në emër të votave të popullit mund të pranojnë ato që dikur i kanë kundërshtuar”, thekson Kuçi.

Më tej, ai thotë se më shumë gjasa edhe Serbia do ta pranojë propozimin evropian, edhe pse jo publikisht.

“Mirëpo, me gjasë Serbia nuk do deklarohet publikisht duke i mundësuar që perëndimi si me rastin e shpalljes së pavarësisë, njëanshëm ta bëjë avancimin e Kosovës, por që Serbia nuk do bëhet pengesë me premtimin nga ndërkombëtarët që as të mos ndëshkohet me sanksione apo injorime ndërkombëtare”, shprehet Kuçi.

“Megjithatë i gjithë ky proces nuk është e sigurt se sa mund të ofrojë garanci, pasi në një kohë të përplasjeve globale, mund të ndodhë që bota të gjendet prapë në luftë ku do gjendet edhe Serbia dhe Kosova”, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat