“Indikacione për një seri incidentesh në Kosovë”/ Analistët japin “alarmin”: Pritet destabilizim i ri në rajon!

Politika

“Indikacione për një seri incidentesh në Kosovë”/ Analistët japin “alarmin”: Pritet destabilizim i ri në rajon!

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 31 tetor 2023 Në ora: 11:39
Foto ilustrim

Analisti Dushan Janiç ka thënë se pas takimeve të 26 tetorit në Bruksel, çështja është te presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq se si do të vijojë ai në rrugën e dialogut apo do të përshkallëzojë konfliktin në Kosovë.

“Tani çështja është si do reagojë Vuçiç dhe opinion publik në Serbi sidomos pas sulmit terrorist në Banjskë. Tani çështja është që Vuçiç do të vazhdojë në bisedime për të arritur në një zgjidhje paqësore apo do të vijohet me destabilizim dhe një përplasje të armatosur.

Shpresoj që menaxhimi këtij konflikti të jetë në duart e ndërkombëtarëve.

Konflikti mund të mos jetë domosdoshmërisht mes Serbisë dhe Kosovës, por mund të kemi një seri incidentesh. Ne pamë qartësisht që sulmi në Banjskë u bë nga paramilitarë serbë, por dhe në manastirin e Zveçanit kemi parë xhihadistë islamikë, ashtu sikurse dihet ndikimi rus dhe prania e Ëagner, ndaj në këtë aspekt është mirë që menaxhimi i konflikteve të bëhet nga ndërkombëtarët”, ka thënë analisti Janiç.

Kelmendi: Lufta në Ballkan është e pa shmangshme

Image
Muhamet Kelmendi

Profesori Muhamet Klemendi në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se Serbia edhe ashtu po vepron për krijimin e “Serbisë së Madhe”.

 “Serbia është në rrugën e bashkimit të botës serbe në një shtet. Natyrisht se për këtë po vepron shteti serb, sipas taktikës ruse, duke organizuar aksione nga vendasit kundër shtetit, siç bënë në Ukrainë dhe në Banjskë të Kosovës, në mënyrë që të del se populli po vepron kundër shtetit. Tash janë vënë në veprim masat terroriste dhe militantizmi serbomadh me ndihmën ruso-kineze për bashkimin e atyre pjesëve me shtetin serb. Ky pikësynim është në veprim”, thotë ai.

Kurse, për deklaratën e Janiç, Kelmendi thotë se ky është një paralajmërim se Serbia po përgatit grupe të armatosura për të vepruar në republikat e Ballkanit Perëndimor.

Aksione agresive terroriste priten të kryhen nga shteti serb përsëri në Kosovë, në vendet ku ka serbë, në Bosnje e Hercegovinë, në Malin e Zi dhe në Maqedoninë e Veriut. Këto shtete synon Serbia t'i ripushtojë.  Këto shtete i kishin caktuar Fuqitë e Mëdha dhe fituesit e LPB nën sundimin serb. Me këtë ideologji dhe me përkrahjen ruso-kineze udhëhiqet tash klika e Beogradit në krijimin e Serbisë së madhe.

Dushan Janic deklaroi: "Ndërkombëtarët  duhet të jenë prezent në rajon për menaxhimin e situatës pasi ka indikacione për një seri incidentesh dhe jo vetëm në Kosovë".

Ky paralajmërim tregon se Serbia ka përgatitur grupe të armatosura për të vepruar në republikat e Ballkanit Perëndimor. Më qëllim që të ribashkohet "toka serbe" në një shtet priten aksione terroriste në Kosovë në Bosnje e Hercegovinë, në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut. Ky është gjithashtu edhe pikësynimi rus për krijimin e një fronti të ri të luftës në Ballkanin Perëndimor”, thekson ai.

Në fund, ai thotë se Serbia po tenton të hap fortin e ri të luftës në Ballkan, duke shtuar se flakë do të digjet Ballkani e shumë popuj do të digjen.

“Veç Ukrainës, kërkohet të zgjerohet lufta në Lindje të Afërt dhe të hapet fronti i ri i luftës në Ballkan. Këto i ndihmojnë ruso-kinezëve në ndërtimin e sistemit të ri botëror. Në Ballkan është në Sistem Autokratik vetëm Serbia.

Lufta midis dy botëve do të jetë e ashpër. Ajo do të bëjë shumë gjakderdhje. Popujt do të humbin shumë. Përgjakja do të kaplojë disa kontinentet të botës. Në këtë kuadër është edhe Ballkani. Këtu ka pretendime nacional fashiste serbe të ndërlidhura me sistemin e ri autokratik ruso - kinez. Flakë do të marrë Ballkani. E në këtë luftë do të digjen shumë popuj. Edhe shteti serb dhe shtetet që synojnë këtë sistem autokratik dhe dikatorial në botë nuk shpëtojnë. Demokracia liberale nuk humb”, përfundon ai për “Bota sot”.

Duhanaj: Ky paralajmërim i Janiç, duhet të merret seriozisht

Image
Leon Duhanaj

Analisti Leon Duhanaj deklaron se analisti Janiç mund të ketë më shumë informata, andaj Serbia mund edhe ta destabilizojë rajonin në mënyrë që të shpallet i dështuar projekti integrues i Ballkanit perëndimorë.

 “Për mendimin tim, analisti Janiç, është goxha njohës i mirë i zhvillimeve në regjion dhe po ashtu goxha objektiv. 

Mendoj që, posaçërisht ai mund të ketë informata mbi qasjen, apo projeksionet politike të serbëve në rajon.

Nëse një paralajmërim i tillë vjen nga z. Janiç, atëherë duhet të merret seriozisht, sepse Serbia të vetmin qëllim që ka është vazhdimësi e qëllimeve të mëhershme dhe, për ta arritur këtë ka mundësi vetëm përmes, qasjes destruktive, përkatësisht destabilizimin e rajonit, në mënyrë që të shpallet i dështuar projekti integrues i Ballkanit perëndimorë”, deklaron ai.

Derisa Duhanaj shton se Kosova duhet të jetë vigjilente duke mos i lënë asgjë rastit.

“Kosova dhe institucionet e sigurisë, duhet të jenë vigjilente dhe të mos i lënë asgjë rastit, pa u verifikuar, në mënyrë që çdo përpjekje për destabilizim, të ngulfatet që në start”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat