Vizita e Ursula von der Leyen, analistët flasin për “prapavijën”/ Kjo gjë e pret Kosovën pas vizitës së saj

Politika

Vizita e Ursula von der Leyen, analistët flasin për “prapavijën”/ Kjo gjë e pret Kosovën pas vizitës së saj

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 31 tetor 2023 Në ora: 13:31
Pamje nga vizita e Ursula von der Leyen

Draft- statuti i propozuar së fundi nga diplomatët evropianë, është në qendër të bisedimeve për heqjen e masave ndëshkuese që BE-ja ka vendosur më herët gjatë vitit ndaj Kosovës, pas rritjes së tensioneve. 

Kështu ka deklaruar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. 

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka qëndruar të hënën në Kosovë nga ku ka përsëritur qëndrimin evropian se Kosova duhet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Serbia të njohë de facto Kosovën. 

Ajo që kam biseduar me presidenten, dhe që do ta bisedoj edhe me kryeministrin është se çfarë mund të bëjmë për të hequr masat [ndëshkuese]. Këtu është çështja e draft-statutit në qendër të diskutimeve dhe praktikisht është një hap i rëndësishëm përpara në normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Është krucial dhe sigurisht që do të hapë derën për të pasur qasjen në planin e rritjes [së BE-së]. Po punojmë në këtë drejtim. Këtu na duhen të dyja palët të bëjnë pjesën e tyre, por është po ashtu kruciale që jo vetëm të ketë shtensionim të situatës por edhe të lëvizet në rrugën drejt BE-së”, u shpreh Von der Leyen. 

Në anën tjetër, presidentja Osmani ka deklaruar se në takim me zyrtaren evropiane ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese, që BE-ja vendosi pas rritjes së tensioneve në veri në fund të majit, ndërsa sa i përket asociacionit ajo u shpreh se ky dokument do t’i nënshtrohet vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk deshi të deklarojë nëse ajo mendon se është në përputhje me Kushtetutën. 

“Në takimin e fundit në Bruksel [më 26 tetor], Kosova ka treguar gjithë gatishmërinë që të organizohet një proces i nënshkrimit, duke filluar me Marrëveshjen Bazë, sepse aty rregullohen shumica e gjërave, përfshirë edhe Aneksin [e zbatimit] dhe draftin e statutit”, ka thënë Osmani. 

Pas takimit me Osmanin, zyrtarja evropiane u takua edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku sipas komunikatës së qeverisë, ai e ka njoftuar atë me rezultatet e deritanishme të qeverisjes, zhvillimet e fundit në vend, takimin e 26 tetorit me liderët evropianë dhe me qëndrimin e Kosovës në raport me propozimin e BE-së dhe ShBA-së për zbatimin e nenit 7, ndërlidhur me nenin 10 të Marrëveshjes Bazike. 

Sipas komunikatës, Kurti me von der Leyen ka folur edhe për sulmin terrorist të 24 shtatorit, si dhe i ka theksuar asaj rëndësinë e nevojën e ekstradimit të Milan Radoiçiq në Kosovë, ku do të ballafaqohej me një gjykim fer dhe të drejtë për veprat e tij, dhe në të njëjtën kohë domosdoshmërinë e sanksioneve ndaj Serbisë në mënyrë që sulme të tilla mos përsëriten. 

Vizita e zyrtares evropiane është në kuadër të turnit ballkanik për të shpalosur planin e investimeve të BE-së për Ballkanin perëndimor, kurse sipas analistëve politikë vizat e saj në Kosovë është simbolikë që Kosova do të çlirohet nga sanksionet dhe pritet një proces i ri i bisedimeve. 

Mehazi: BE-ja Kosovën do ta çlirojnë nga sanksionet 

Analisti politik Sulejman Mehazi, thotë se vizita e presidentes së Komisionit Evropian është një ndër vizitat më freskuese nga elita diplomatike. 

Image
Sulejman Mehazi

Sipas tij, vizita e saj është simbolikë e hapur se BE-ja do ta çlirojë Kosovën nga sanksionet. 

Vizita e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Kosovë është e mirëseardhur pasi është një ndër vizitat më freskuese nga elita diplomatike evropiane në Kosovë, është vizitë me plotë mesazhet bindëse e të qarta pa farë ngarkesash të llojit të Lajçakut e Borellit të cilët në Kosovë më shumë bien tensione sesa qetësi politike gjatë vizitave të tyre në Kosovë. Qartësia e porosive të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është se terroristët serbë të Banjskës që sulmuan Kosovën rreptësisht të dënohen! se Serbia de fakto duhet ta njohë Kosovën!, se Kosova duhet të formojë asociacionin serbë, se shpresa më e madhe për Kosovën është prezantimi i planit të ri të presidentes së Komisionit Evropian, dorëzuar Vjosa Osmanit për rritjen ekonomike, sociale e politike të Ballkanit Perëndimor që e ka kuptimin e heqjes së sanksioneve ndaj Kosovës. Vizita e presidentes së Këshillit Evropian Von der Leyen është simbolikë e hapur se BE-ja Kosovën do ta çlirojnë nga sanksionet nëse ju përmbahet këshillave evropiane dhe se sanksionet e çliruara të Kosovës di t'i ngarkohen Serbisë së Vuçiqi që nuk e ka ndërmend ta njoh de fakto Kosovën”, deklaron Mehazi. 

Mulliqi: Duket se do të kemi proces të ri të bisedimeve 

Ndërsa, analisti politik Skënder Mulliqi, thotë se takimet e Kurtit dhe sulmi terrorist kanë ndikuar që zyrtarja evropiane të sjellë mesazhe pozitive për Kosovën. 

Image
Skënder Mulliqi

Pas takimit të Brukselit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit që pati me pesëshen evropiane në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve Kosovë- Serbi, në Kosovë qëndroi për vizitë presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, e cila u takua me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti. Mendoj se Leyon që të vizitojë Kosovën ka ndikuar kooperimi i vazhdushëm i Kosovës, por takimi i fundit i kryeministrit Kurti në Bruksel me pesëshen e madhe evropiane. Tjetër, ishte edhe ngjarja tragjike terroriste e sponzorizuar nga pushteti terrorist serb, i Aleksander Vuçiqit, i cili me forcë tentoi ta ndajë veriun e Mitrovicës nga jugu. Të gjitha këto dhe zhvillimet e tjera mos bashkëpunuese të Vuçiqit me strukturën politike të BE-së kanë bërë, që kjo vizitë e der Leyen të sjellë mesazhe pozitive për Kosovën. Pse shtrohet pyetja logjike? Vuçiqi as në takimin me pesëshen evropiane si më pare nuk ka pranuar të nënshkruajë aneksin e planit franco gjerman të marrëveshjes së Ohrit dhe as që po i bie ndërmend të nënshkruajë. Ai nuk po e njeh shtetin e Kosovës, madje kështu deklaroi edhe pas takimit të fundit në Bruksel. Dhe, sigurisht se këto zhvillime të reja politike ashtu të them, kanë ndikuar që BE-ja përmes presidentes Ursula të sjellë premtime se do të hiqet embargo e pa drejtë ekonomike ndaj Kosovës dhe nëse Vuçiq nuk i pranon kushtet e pesë shteteve të Kuintit nëpërmes letrës të dërguar nga ata, do të përballet kësaj radhe me presion politik të madh e ndoshta edhe do t’i vihet Serbisë embargoja ekonomike”, deklaron Mulliqi. 

Sipas tij, pritet një proces i ri i bisedimeve, kjo pasi ka ndryshuar kursi politik. 

Presidentja e Komisionit Evropian gjatë takimeve që pati me presidenten e Kosovës, dhe me kryeministrin ka dhënë premtime edhe për projektet infrastrukturore dhe për projektin e hekurudhës Prishtinë- Durrës. Edhe Kurti dhe Osmani kërkuan ekstardimin e terroristit Radoiçiq organeve tona përkatëse. Duket se do të kemi proces të ri të bisedimeve pas maratonës dështuese të Borellit dhe Lajçakut dhe njëanshmërisë së tyre karshi politikës zyrtare të Beogradit. Se kemi të bëjmë me ndryshim të kursit politik , flet e dhëna se ne Bruksel kishim të inkuadruar ne dialog pesëshen kryesore te Evropës, duke i anashkaluar në një formë apo tjetër Borrellin dhe Lajçakun. Nga ky takim i Brukselit sigurisht që pritet zhvillime të barabarësisë në dialog, por duke mos e anashkaluar ngjarjen tragjike në Banjskë. Këtë gjë e kanë potencuar Osmani dhe Kurti edhe para zyrtares së larte të BE”, shton Mulliqi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat