“Rruga e vështirë” e Kosovës drejt BE-së, kritikohet qasja e KE-së – analistët zbardhin prapaskenat, ja qëllimi i Serbisë!

Politika

“Rruga e vështirë” e Kosovës drejt BE-së, kritikohet qasja e KE-së – analistët zbardhin prapaskenat, ja qëllimi i Serbisë!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 10 nëntor 2023 Në ora: 17:28
Flamuj të Kosovës të vendosur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave të pranimit në Bashkimin Evropian me Ukrainën, ndërsa rekomandoi gjithashtu hapjen e bisedimeve me Moldavinë, pasi t'i përmbushë kushtet përfundimtare. 

Në takimin e kolegjit të 27 komisionarëve evropianë të mërkurën, më 8 nëntor, u miratua paketa e zgjerimit, së bashku me raportet individuale të progresit për të gjitha shtetet e përfshira në këtë proces. 

Për herë të parë, raportet e progresit u miratuan për dhjetë shtete që janë në këtë proces. Raportet u miratuan për gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi – dhe për Moldavinë, Gjeorgjinë e Ukrainën. Po ashtu, Raport Progresi ende hartohet edhe për Turqinë, shtet që formalisht ende ka statusin e vendit kandidat. 

Në procesin e zgjerimit, Komisioni Evropian bën vlerësime dhe jep rekomandime, ndërkaq vendimet formale miratohen në Këshillin Evropian nga liderët e vendeve anëtare që vendosin me unanimitet. 

Zyrtarët evropianë thanë të mërkurën se dialogu me Serbinë është rruga përpara për Kosovën drejt BE-së. 

Duket se Kosova do vazhdojë të pësojë nga politikat destruktive të Serbisë, ku në këtë rast po vështirësohet integrimi në BE. 

Në konferencën për media në Bruksel, presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, tha se zbatimi i marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mund të jetë një hap i madh përpara për Kosovën. 

“Mendoj se është e rëndësishme që Kosova të ketë një qëllim shumë të qartë lidhur me anëtarësimin në BE, që ne të jemi të qartë se çfarë presim nga Kosova. Ne diskutuam, kur isha në rajon, për zbatimin e draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe ky zbatim do të ishte një hap i madh përpara. Është në interes së Kosovës”, tha ajo. 

Në lidhje me këtë temë për “Bota sot” folën analistët politikë, të cilët kritikuan ashpër qasjen e BE-së, derisa vlerësuan se për gjithë destabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, fajtore kryesore është Serbia. 

Mehazi: BE-ja nuk është e drejtë ndaj Kosovës e cila pajtohet me draft-statutin e evropianëve, kurse Vuçiqi jo, po dhe Ukraina pa mos e pyet fare Rusinë pranohet në BE 

Për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Suljeman Mehazi. 

Së pari, ai u shpreh se është e padrejtë që Kosova të mbetet peng në integrimet evropiane për shkak të politikave terroriste të shtetit serb. 

Sipas tij, zyrtarët evropianë për gjithë zhvillimet duhet fajësuar Serbinë dhe qasjen e saj. 

Image
Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Suljeman Mehazi. 

 “Nëse për zyrtarët evropianë dialogu me Serbinë është rrugëtimi i vetëm i Kosovës drejt BE-së, atëherë Komisioni Evropian duhet fajësuar jo Kosovën e cila është pajtuar me draft-statutin e asociacioneve të pakicës serbe, por Serbinë e cila kurrsesi nuk pajtohet me draft-statutin e dorëzuar nga BE-ja për njohje defakto të Kosovës. Është e padrejtë që Kosova të mbetet peng e integrimeve evropiane për shkak Serbisë destruktive e terroriste e cila me mohimin e mos-nënshkrimin e draft-statutit për asociacionet serbe nga presidenti i Serbisë, Vuçiqi, Kosova bllokohet e stopohet pa fajin e saj për t'u anëtarësuar në BE.”, deklaroi profesori. 

Krahas kësaj, Mehazi kritikoi BE-në se si rekomandoi hapjen e negociatave me Ukrainën e Moldavinë, kurse për Kosovën ende ka dilema dhe kritika. 

Sipas tij, është e padrejtë që Kosovës t’i mohohet anëtarësimi në BE. 

“Nëse për Komisionin Evropian inati shovinist i Vuçiqit është pengesë kryesore e anëtarësimit të Kosovës në BE, atëherë pse Komisionerja Evropiana, Oliver Varhelyi, nuk merr parasysh edhe inatet luftarake të Rusisë ndaj Ukrainës e cila është në luftë dhe pa asnjë dialog me Rusinë, Komisioni Evropian rekomandon hapjen e negociatave të pranimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian. Aq me keq kanë vepruar dhe me rekomandimin e Moldavisë e cila më shumë është ruse sesa evropiane. 

Si gjithmonë, BE-ja nuk është e drejtë ndaj Kosovës e cila pajtohet me draft-statutin e evropianëve, kurse Vuçiqi jo, po dhe Ukraina pa mos e pyet fare Rusinë pranohet në BE. Për Kosovën problemi kryesor i mos anëtarësimit në BE është Serbia, kurse për Ukrainën që është në luftë me Rusinë, nuk është pengesë Putini për t'u anëtarësuar në BE. Kosova është në qendër të Evropës e mohohet nga BE-ja, kurse Ukraina është në skaj të shteteve evropiane e pranohet në BE”, theksoi ai. 

Ndër të tjera, profesori kërkoi që KE ta shpërblejë Kosovën për reagimet e policisë sonë gjatë sulmit terrorist serb në Banjskë. 

“Komisioni Evropian në vend që të shpërblejë Kosovën që në Banjskë jo që policia e jonë e mbrojti Kosovën, por edhe shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor nga terroristët e Vuçiqit, kurse të BE-së veprojnë të kundërtën mohojnë anëtarësimin e Kosovës në BE për shkak krye terroristit serb, Aleksandar Vuçiqit”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”. 

Zogaj: BE dhe SHBA po përdorin metodën më të sofistikuar politike e diplomatike, duke “përkëdhelur” Serbinë që ta kuptojë se është “cjap për kasap” për interesat ruse 

Ndërsa, opinionisti Skënder Zogaj në një bashkëbisedim me “Bota sot” komentoi strategjinë e shtetit serb dhe lidhjet e saj me Rusinë e Putinit. 

Sipas tij, me ndihmën e shtetit rus, Beogradi po synon të nxisë tensione në Kosovë e më gjerë. 

Image
Opinionisti Skënder Zogaj

Duke u bazuar në këtë, BE dhe SHBA po përdorin një metodë për të kuptuar më mirë politikat e shtetit serb. 

“Serbia e ka hallin e saj strategjik që ndërlidhet me alencën e natyrale pansllave, me “babën Rusi” në ballë që është vlugun e garës për pozicionim në hartën e superfuqive. Serbia ndonëse është një kohë e vogël, aktiviteti i saj zhurmues është i rëndësi specifike për sigurinë e rajonit, ku SHBA-ja ka hy dhe është faktor destabilizues i planeve ruse! Pra Serbia është argate e Rusisë dhe ka detyrën e krijimit të tensioneve, ku rastin më të mirë e ka Bosnjën, Malin e Zi dhe sidomos Kosovën, shtetin në themelim, funksionalizimin e të cilit duhet penguar me çdo kusht! Kjo situatë është e mirënjohur, prandaj BE dhe SHBA po përdorin metodën më të sofistikuar politike e diplomatike, duke "përkëdhelur" Serbinë që ta kuptojë se është "cjap për kasap" për interesat ruse”, deklaroi opinionisti. 

Po ashtu, Zogaj tha se Bashkimi Evropian po e përdor si “karotë” integrimin, prandaj po synon që të arrihen marrëveshje në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. 

“Populli serb e di, por Presidenti Vuçiq e ka vetëm një udhë, ta zgjas llastikun por të mos e këpus, sepse, e presin ditë të zeza atë dhe popullin serb! BE-ja e ka karrot integrimin, prandaj po e sugjeron dialogun, realizimin e marrëveshjeve që Kosova dhe Serbia i kanë arritur! Kjo duhet të bëhet, të nis zbatimi i marrëveshjeve dhe të vazhdohen bisedimet. Kjo për Kosovën është jetike dhe çdo hezitim është gabim historik. Kush kërkon udhë tjetër, bie në moçal, siç i ndodhi Serbisë me sulmin terrorist ndaj Kosovës, që e pagoi shtrenjtë!” – shpjegoi ai. 

Në fund, opinionisti kërkoi kujdes nga Kosova, pasi për faktin që është në avantazh, Serbia me lojërat e saj politike po e kërkon barazimin. 

“Kosova më shumë se për kohën e integrimit duhet të brengoset dhe preokupohet me çështjet e veta të brendshme shtetërore dhe politike, që duhet të urtësohen dhe ta ndajnë interesin partiak nga interesi shtetëror. Kosova është në avantazh, Serbia po kërkon barazim! Nëse ndodh barazimi, do të shkaktohet humbja e pakompenzueshme historike për Kosovën dhe çështjen shqiptare në përgjithësi! Detyrë e shenjtë e Kosovës është me e kthy Serbinë te Pashallëku i Beogradit, që është i mundshëm nëse duam”, përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat