“Kjo është e dhimbshme”, publicisti vjen me deklaratë të fortë, paralajmëron edhe qeverinë: Ky është ‘vrasësi’ i pavarësisë së Kosovës!

Politika

“Kjo është e dhimbshme”, publicisti vjen me deklaratë të fortë, paralajmëron edhe qeverinë: Ky është ‘vrasësi’ i pavarësisë së Kosovës!

Nga: A.M. Më: 13 nëntor 2023 Në ora: 09:36
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Ditë më parë, mediumi amerikan, Fox News shkroi për vizitën e fundit të presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen në rajon, gjatë së cilës sipas mediumit ajo lëshoi një paralajmërim të ashpër.

Von der Leyen tha se Serbia duhet ta njohë ‘de facto’ Kosovën si një komb të pavarur dhe Kosova duhet të lejojë autonomi për serbët etnikë në veri të Kosovës, ku ata përbëjnë shumicën.

E kërkesa për autonomi të serbëve në Kosovë nxiti reagime të ashpra, ku për këtë u hodhën dyshime të mëdha.

Kjo pasi, deklarata vjen pas pranimit të draft-statutit të Asociacionit nga Kosova e Serbia, e që i cili po mbahet ‘sekret’ me ‘urdhër’ të përfaqësuesve evropianë.

E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli publicisti shqiptar, Milaim Nela.

Fillimisht, ai tha se agresioni në Banjskë të Zveçanit është harruar nga ndërkombëtarët, të cilët tani gjithë vëmendjen e kanë drejtuar nga Asociacioni.

“Ka ditë që në media qarkullojnë drafte të asociacionit të komunave me shumicë serbe!

Tanimë nuk flitet më për agresionin ushtarak të sponsorizuar serb të 24 shtatorit në veriun e Kosovës!

Po ashtu përpos kësaj nuk ka asnjë ndryshim të Bashkimit Europian ndaj Kosovës dhe vazhdojnë sanksionet ndaj Kosovës!

Aleksander Vuçiç pritet në takime dhe forume ndërkombëtare sikur nuk ka ndodhur asgjë e fajtori për mos vendosjen mes dy vendeve ballkanike nuk është Serbia por është Kosova që në realitet është viktima”, deklaroi publicisti.

Krahas kësaj, Nela u shpreh se nuk kupton se si Kosova pranon të dialogojë me Serbinë, kur Vuçiqi dhe Brnabiçi në vazhdimësi deklarojnë se nuk e njohin Kosovn si shtet të pavarur.

Image
Publicisti shqiptar, Milaim Nela.

“Ndërkohë që Vuçiç dhe Brnabiç nuk lënë dalje publike pa deklaruar që Serbia në asnjë rrethanë dhe asnjëherë nuk do ta njohë Kosovën shtet vazhdon presioni ndaj Kosovës për implementimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe pikë kjo artikulohet nga Serbia me shumë forcë nga autoritetet serbe dhe negociatoret ndërkombëtare Borrel e Lajçak.

Unë nuk arrij ta kuptoj se si Kosova dhe autoritetet e saj pranojnë të ulen në dialog dhe negociata me Serbinë dhe ndërkombëtaret për normalizim marrëdhëniesh mes dy vendeve sa kohë që Serbia ka në preambulën e saj Kosovën si pjesë integrale të shtetit serb!”- theksoi ai.

Më tej, publicisti përmendi disa drafte të Asociacioneve që po qarkullojnë në media, ku qeveria e Kosovës ende nuk ka publikuar zyrtarisht asnjë draft për këtë çështje.

Ai tha se ka shumë djallëzi mbi raportimet, pasi po zbutet termi kompetenca ekzekutive në vetëmenaxhim.

“Siç e thashë në krye të shkrimit qarkullojnë disa variante të Asociacionit por zyrtarisht kryeministri dhe autoritetet kosovare deri më sot nuk kanë bërë asgjë publike!

Ndërkohë një gjigant mediatik amerikan shkruan që statuti i ri i Asociacionit ka autonomi substanciale për Serbët e këtyre komunave.

Një variant që kam lexuar unë ka elemente të një entiteti të pavarur pavarësisht disa kufizimeve apo kontrolli që ata përpiqen të ja veshin zyrës së Kryeministrit të Shtetit të Kosovës!

Me shumë djallëzi termi kompetenca ekzekutive për t’u dukur i zbutur është zëvendësuar me fjalën "vetëmenaxhim"!

Kush vetëmenaxhohet?... sheti i pavarur sigurisht!” – nënvizoi Nela.

Gjithashtu, ai tha se është e dhimbshme se tani nuk disksutohet a do ketë Asociacion, por si do duket ai.

Për këtë, ai fajësoi politikanët e opozitës.

Mirëpo, ai komentoi edhe faktin se pse po mbahet i fshehur draft-statuti i Asociacionit.

“Tani nuk shtrohet më çështja a duhet të ketë asociacion apo jo (që për mua siç e kam thënë në të shkuarën është vrasës i pavarësisë së Kosoves) por si do jetë ai!!?

Kjo është e dhimbshme! Ndërkohë politikanë naivë apo të shantazhuar të opozitës kosovare vazhdojnë melodinë e vjetër se "Kosova e ka detyrim asociacionin"!

Ndërkohë Kuvendi i Kosovës dhe opozita vazhdojnë të thonë që nuk kanë asnjë dijeni as për detajet e bisedimeve e as për draft statutin e Asociacionit!

Për një çështje kaq të rëndësishme të fateve të shtetit të Kosovës të paktën elita politike dhe Kuvendi i Kosovës duhet me patjetër jo vetëm të kishin dijeni por të kishte një debat me themel rreth kësaj çeshtjeje.

Fakti që kjo mbahet sekret do të thotë që në ato bisedime apo draft statut ka lëshime nga ana e Kosovës. Të paktën kjo është logjika dhe frika dhe dyshimi ynë”, vlerësoi publicisti.

Në fund, kërkoi marrëveshje mes pozitës dhe opozitës për çështje jetike të Kosovës, siç është rasti i Asociacionit.

“Unë e përsëris që një KONSENSUS i gjithë spektrit politik pozitë-opozitë rreth asociacionit dhe çështjeve të tjera jetike të ruajtjes së shtetësisë dhe integritetit të Kosovës është domosdoshmëri absolute!

Askush veç Kosovës vetë nuk do t’i mbrojë interesat e Kosoves. Qoftë edhe miqtë e medhenj të Kosovës si SHBA nuk do ta bëjnë këtë gjithmonë sepse ata kanë interesa gjeostrategjike që jo gjithmonë përputhen me interesin kombëtar të shqiptarëve e kjo më qartazi shihet sot në Shqipëri ku SHBA mbështesin dhe mbajnë në pushtet qeverinë më antishqiptare që ai vend ka patur ndonjëherë!” – përmbylli Milaim Nela për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat