Paralajmërim i ‘keq’ për Vuçiqin, analisti mbështet fuqishëm këtë ide të Von Cramon kundër Serbisë - ja thirrja për Kosovën

Politika

Paralajmërim i ‘keq’ për Vuçiqin, analisti mbështet fuqishëm këtë ide të Von Cramon kundër Serbisë - ja thirrja për Kosovën

Nga: A.M. Më: 13 nëntor 2023 Në ora: 16:28
Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka folur për raportin e BE-së me Serbinë pas Banjskës dhe për masat e mundshme ndaj Beogradit.

Ajo ka thënë se BE-ja ka masën përmes të cilës ndikimi në Serbi do të ishte i qartë, duke përmendur mundësinë e ndaljes së fondeve. Von Cramon thotë se kjo do të ishte një masë e butë për Vuçiqin, por thekson se gjëja më e keqe që do të mund t’i ndodhte Vuçiqit është që të dalë para elektoratit dhe të shpjegohet se pse iu ndalen fondet dhe pse BE-ja ka marrë masa ndaj tij.

Tutje raportuesja e Parlamentit Evropian ka thënë se nëse s’ka bashkëpunim, ekestradim dhe nëse s’ka transparencë për rastin e Banjskës, atëherë BE-ja s’duhet vetëm që të flasë por edhe të veprojë.

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot” tha se Von Cramon ka dhënë një kontribut të madh për Kosovën pas aktit terrorist në Banjskë.

Ai tha se nëse vendosen masat e paralajmëruara nga raportuesja e PE-së, do të ishte një goditje e madhe për Serbinë e Vuçiqin, në prag te zgjedhjeve atje.

Image
Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri

“Në fakt Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon,e cila ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për vendin tonë, veçanërisht për liberalizimin e vizave për Kosovën, ka folur me tone kritikuese për Serbinë pas sulmit terrorist serb të 24 shtatorit në Banjskë, dhe masat që duhet të ndërmerren nga BE, kundër Serbisë nëse nuk bëhet ekstradimi i terroristëve serb, nga Serbia në Kosovë, si dhe nuk ka bashkëpunim nga ana e Serbisë, për aktin e ndodhur terrorist serb, në Banjë të Zveçanit.

Madje Viola Von Cramon ka deklaruar se “nëse nuk do të ketë ekstradim dhe bashkëpunim për Banjskën, BE-ja, nuk mund më vetëm të flasë, por duhet edhe të veprojë ndaj Serbisë”, pasi që siç shprehet zonja Von Cramon, Bashkimi Evropian mund të ndërmarr masa të tilla, ndikimi i të cilave në Serbi do të ishte mese i qartë, si ndalja e fondeve financiare, që përveç si masë shtrënguese ndaj Serbisë, për Vuçiqin do të jetë e rëndë, që pikërisht para zgjedhjeve në vend, të dal para elektoratit dhe të shpjegohet se pse Serbisë mu në këto momente, iu ndalen fondet nga Bashkimi Evropian”, deklaroi analisti.

Krahas kësaj, Qarri mbështeti idenë për sanksionim të shtetit serb, pasi beson se kjo është mënyra më efikas, që të ndalohen ndërhyrjen në shtetet e rajonit, posaçërisht Kosovë.

“Idesë madhore të zonjës Von Cramon se sanksionimi i Vuçiqit dhe Serbisë hegjemoniste është mënyra më e mirë, e madje edhe veprimi më efikas, që di t’i kuptoj Serbia dhe Vuçiqi si udhëheqës shumë vjeçar i Serbisë, i besoj shumë edhe unë, pasi që, Vuçiq qysh nga koha e Millosheviqit ka provuar disa herë sanksionet, për shkak të agresioneve brutale ushtarake dhe krimeve e gjenocidit të kryer nga Serbia hegjemoniste, në disa vende fqinje, që nga Kroacia, Bosnja e Hercegovina, e deri në Kosovë.

Sanksionet është e domosdoshme t’i vendosen sa më parë Serbisë edhe për faktin se edhe tani, shihet hapur se Serbia jo vetëm që nuk ka mësuar asgjë nga e kaluara gjenocidiale e saj, por ajo edhe sot vazhdon serish ndërhyrjet brutale, që nga Bosnja e Mali i Zi e deri në Kosovë, siç ndodhi edhe me aktin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, të sponsorizuar dhe dirigjuar drejtpërsëdrejti nga Serbia”, theksoi ai.

Tutje, analisti e vlerësoi lartë Von Cramon, pasi thotë se ajo është e vetmja që guxon ta kritikoj Vuçiqin në mënyrë publike.

Ai konsideron se kërkesa e saj duhet të merret seriozisht, pasi është kërkesa më e saktë e thënë nga ndonjë funksionar i lartë i BE-së.

“Kështu që Viola Von Cramon, përveçse është e para e cila shprehet kaq hapur për vendosjen e sanksioneve kundër Serbisë, ajo është edhe e vetmja, që nuk ngurron t`ia tërheq vërejtjen publikisht Vuçiqit, se nëse nuk ka bashkëpunim, ekstradim të kryeterroristit Millan Radojçiq dhe kriminelëve tjerë serb, pjesëmarrës në aktin terrorist në Banjë, si dhe mungon transparenca e plotë nga Serbia për rastin e Banjskës, atëherë Bashkimi Europian, nuk do rri më duarkryq, si deri më tani, vetëm duke folur por edhe do të veprojë në terren, e disa prej masave, së shpejti, do të bëhen publike dhe dalin në dritë, shprehet vet ajo.

Siç dihet deri më tani, kërkesa e zonjës Von Cramon, është kërkesa më e qartë dhe më precize e domethënëse e lëshuar nga funksionar të lartë apo edhe raportues të Bashkimit Evropian, e cila duhet të merret seriozisht dhe vlerësohet lartë veçanërisht nga Kosova, Qeveria, Parlamenti dhe të gjitha organet shtetdrejtuese të vendit tonë, duke bërë çmos edhe ato, që me ndihmën e miqve ndërkombëtar, kërkesat e drejta të zonjës Von Cramon, të hynë në fuqi dhe realizohen sa më parë kundër një shteti agresor e hegjemonist si Serbia, e cila edhe në shekullin XXI, synim kryesor ka gllabërimin e territoreve të vendeve fqinje dhe ngritjen me dhunë të “Serbisë së Madhe”, mbi to”, nënvizoi Qarri.

Po ashtu, tha se gjëja më shqetësuese është se si nuk janë vendosur ende sanksione ndaj Serbisë, pas terrorit në Banjskë dhe refuzimit që Radoiçiqi të ekstradohet në vendin tonë.

“E vetmja gjë që në këtë kontest, aktualisht duhet ta brengosë shtetin e Kosovës dhe qytetarët e vendit tonë, është vonesa dhe shtyrja e vendosjes së këtyre masave, sepse edhe nëse do të ketë masa, siç shprehet vet zonja Von Cramon, Parlamenti Europian do të pres deri në fund të vitit, ti shoh rezultatet e hetimit për Banjskën, dhe vetëm pas fillimit të vitit të ardhshëm, nëse Serbia nuk ekstradon terroristët serb në Kosovë dhe refuzon bashkëpunimin për aktin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, BE mund të vendos masa apo sanksione kundër Serbisë, gjë që kur merret parasysh fakti se vendi ynë, që nga qershori gjendet nën masat shtrënguese të vendosura padrejtësisht nga BE, kjo për Kosovën, vërtetë tingëllon paksa, si legjendë e gjatë”.

Në fund, analisti kërkoi që të hiqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

“Megjithatë në anën tjetër, gëzon fakti se Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian,zonja Viola Von Cramon, ka nënvizuar progresin e Kosovës në shumë fusha reformuese, si forcimin e sundimit të ligjit, reformat në drejtësi, luftimin e korrupsionit, reformën zgjedhore dhe luftën kundër krimit të organizuar, të cilat ishin kyçe, që Bashkimi Evropian, më në fund, t’i liberalizojë vizat edhe për Kosovën dhe nga 1 janari i vitit 2024, qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian, e cila për fund, si e vetmja apo nga personalitetet e rralla të larta, të Bashkimit Evropian, edhe porosit me dashamirësi, se tanimë është koha, që të hiqen të gjitha masat shtrënguese ndaj Kosovës”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat