Eksperti propozon modelin kroat të Asociacionit, jo si të Hashim Thaçit e Isa Mustafës

Politika

Eksperti propozon modelin kroat të Asociacionit, jo si të Hashim Thaçit e Isa Mustafës

Nga: Nehat Shaqiri Më: 13 nëntor 2023 Në ora: 22:55
Albin Kurti

Tashmë në mediat e Kosovës, është publikuar një draft, që supozohet të jetë drafi i Asocaicionit.

Mirëpo, këtë draft nuk e komentoi sot zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Kosova thuhet se tashmë është pajtuar në kuadër të dialogut të themelohet Asociacion.

Për Asociacionin disa herë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë thënë se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe do të jetë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës, por, ndryshe janë duke menduar opozita në Kosovë.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha më 9 nëntor se ka një urgjencë të madhe në Bashkimin Evropian që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Hovenier theksoi se draft-statuti i BE-së përmbush pritjet e SHBA-së dhe se është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Në lidhje me këtë ëshë deklaruar edhe ish-zëvendësministri i MPB-së, Hajrullah Tërnava.

Ai thekson se, bisedimet për një zgjedhje finale mes Kosovës dhe Serbisë po duket që ju ka ardhur fundi.

Sipas tij, në këtë situatë është faktori ndërkombëtar që e ndërmjetëson çështjen, e duke e ditur të kaluarën e Serbisë dhe luftërat që i ka zhvilluar në tërësi, ndaj saj duhet të jenë më të ashpër dhe të vendosur që ta kushtëzojnë për një pajtim të përhershëm.

Tërnava thekson se, ishte Serbia shkaktarja e të gjitha luftërave që i ka zhvilluar me të gjitha ato shtete që dikur ishin në një përbërje të shtetit të Jugosllavisë.

“Faktori ndërkombëtar duhet t’ia kushtëzoj Serbisë rrugën e saj evropiane si kusht për me u përafrua me shtetet e BE-së, dhe nëse nuk e arrinë këtë qëllim, Serbia duhet të izolohet si shtet nga e gjithë Evropa, dhe tjerat shtete të Ballkanit që nuk janë ende anëtare të BE-së, por ato shtete do t’i bashkëngjiten shpejtë BE-së si një familje e përbashkët, dhe Serbia si shtet i vetëm i izoluar, kur ta kupton këtë, edhe ajo do të detyrohet të pranoj që të jetë e dëgjueshme e Evropës, dhe do t’i pranoj të gjitha kushtet që i imponohen asaj”, thotë Tërnava.

Ish-zëvendës ministri thekson se, Asociacioni i komunave serbe, nëse vendoset të krijohet, si kusht që po e kërkon Serbia, ai Asociacion nuk duhet të jetë i ngjashëm me atë të “Republikës Serbe” në Bosnje dhe Hercegovinë, që të na shkaktoj probleme evidente sikur po i krijohen Bosnjës.

“Nëse vendoset të krijohet Asociacioni i komunave serbe, mirë do të ishte të krijohet një Asociacion si i Kroacisë që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, e jo si ai Asociacioni i nënshkruar nga Hashim Thaçi në vitin 2013 dhe i Isa Mustafës në vitin 2015, që Kushtetuta e Kosovës tha se ishin kundër Kushtetues me 23 shkelje”, përfundon Hajrullah Tërnava.

Në anën tjetër, kryeminsitri Albin Kurti ka raportuar më 3 nëntor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se ende nuk e ka pranuar zyrtarisht dokumentin, por ka insistuar se është shkruar me kujdes ndaj germës së Kushtetutës, më shumë sesa frymës së saj.

"Ta pranosh nënkupton të pajtohesh që të ndërmarrësh obligime për zbatimin e draftit", ka thënë ai, duke shtuar se ai ka ofruar që ta nënshkruajë atë dhe "si rrjedhojë ta pranoj".

Sipas tij draft-statuti sqaron situatën në lidhje me njohjen e Kosovës dhe “e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Republikës së Kosovës që ishte çimentuar në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015”.

Sipas tij, parashihet që ky dokument të shkojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Kurse, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të enjten se draft-statuti që i është propozuar Kosovës për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përmbush të gjitha kriteret që i parashohin Shtetet e Bashkuara për të.

“Duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës. Nuk duhet të kërkohen ndryshime kushtetuese. Duhet të jetë në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk duhet të ketë nivel shtesë të pushtetit. Ne besojmë se ky draft, që i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës, i përmbush të gjitha këto kritere, dhe besojmë se është shkruar në një mënyrë që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

Hovenier ka thënë para mediave se, megjithatë, fjalën e fundit për këtë draft duhet ta japë Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe një prej dispozitave të draftit është se ai do të analizohet nga kjo gjykatë.

Për Hovenierin “e gjithë histeria lidhur me kushtetutshmërinë, nuk na duket me vend, sepse është bërë punë me kujdes në hartim të draftit”.

Propozimi i zyrtarëve perëndimorë për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, u është prezantuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, më 21 tetor nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara (SHBA), Bashkimit Evropian (BE), Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Ai ka thënë se duhet vlerësuar angazhimin e madh të zyrtarëve më të lartë të vendeve evropiane për këtë proces, përfshirë kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni.

“Ata i përdorin shprehjet ‘urgjente’, ‘sa më shpejt që është e mundur’, e të ngjashme. Ekziston një urgjencë, ka kërkesë që gjërat të lëvizin shpejt. Qeveria e Kosovës nuk ka arsye për të mos ecur përpara me këtë draft-statut. Kryeministri ka thënë se ka gatishmëri që ta pranojë në tërësi, javë më parë. Edhe ne po punojmë që kjo gjë të bëhet në kuadër të strategjisë sonë më të gjerë. Nuk ka të bëjë vetëm me Asociacionin, ka të bëjë me zbatimin e plotë të të gjitha obligimeve që i kanë Kosova dhe Serbia në Marrëveshjen Bazë dhe aneksin e Ohrit. Këtë dëshirojmë ta shohim", ka thënë mes tjerash Hovenier.

Ai i është referuar pajtueshmërisë së arritur mes Kosovës dhe Serbisë në shkurt të këtij viti në Bruksel, për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Më pas, në mars, në Ohër, palët janë pajtuar për një aneks zbatimi.

Në një pikë të marrëveshjes përmendet edhe nevoja për formim të një niveli të vetëmenaxhimit të serbëve në Kosovë, referencë për Asociacionin.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, prandaj Prishtina zyrtare nuk pranon ta zbatojë atë marrëveshje.

Nga ana tjetër, Beogradi ka ngulur këmbë që Asociacioni të formohet ashtu siç është arritur pajtim në Bruksel, e jo që disa pika të harmonizohen me Kushtetutën e Kosovës, siç ka propozuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat