Dialogu Kosovë-Serbi, ekspertët flasin për takimin e radhës në Bruksel – ja për çka mund të dakordohen palët

Politika

Dialogu Kosovë-Serbi, ekspertët flasin për takimin e radhës në Bruksel – ja për çka mund të dakordohen palët

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 14 nëntor 2023 Në ora: 09:30
Foto nga takimi në Bruksel. Arkiv

Sipas Bashkimit Evropian, e takimi i ardhshëm, në nivel kryenegociatorësh, do të ketë në fokus hapat e ardhshëm të procesit të normalizimit dhe zbatimin e zotimeve të palëve. Kështu konfirmoi zëdhënësi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Peter Stano, sipas të cilit, takimi do të mbahet të enjten e ardhshme në Bruksel.

“Mund të konfirmojmë se emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian do të organizojë takim në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel të enjten e ardhshme. Takimi do të fokusohet në hapat e ardhshëm në procesin e normalizimit dhe zbatimin e zotimeve të palëve në dialog”, ka thënë Stano.

Por çfarë do të ndodhë në takimin e së enjtes? Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Zbatim në heshtje i marrëveshjes

“Të dërguarit nga SHBA-ja dhe BE-ja se është e parëndësishme se a ka nënshkrim të marrëveshjeve apo jo, ato duhet të implementohen. Këto deklarata bashkë me konfirmimin e takimit nga Peter Stano, zëdhënës i BE-së, se kryenegociatorët nga Kosova dhe Serbia do të takohen të enjten në Bruksel tregojnë se ekziston një realitet përtej deklaratave dhe thirrjeve retorike të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq”, thotë Kuçi.

Sipas tij, në takimin e së enjtes, Serbia mund të pranojë në heshtje zbatimin e marrëveshjes me Kosovën.

“Potencialisht, në rastin më të mirë, kemi një dakordim nga Serbia që marrëveshja të zbatohet në heshtje pa deklarata publike dhe nënshkrime, të paktën deri pas zgjedhjeve në Serbi. Këtë aprovim Serbia e bënë me presionin dhe pajtimin e ndërkombëtarëve. Kosova po ashtu do të zbatoj obligimet e saj e sidomos çështjen e asociacionit. Të gjitha këto vijnë pas presionit perëndimor duke mos iu lënë palëve zgjidhje dhe manovrime sikur që kanë bërë deri më tani, pasi Serbia nuk e ka interes kryesor asociacionin por më shumë. Takimi i kryenegociatorëve do jetë mbi këto baza”, shprehet Kuçi për “Bota sot”.

Image
Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Më tej, Kuçi tregon se çfarë mund të ndodhë më tej në takimin e së enjtes.

“Në rastin tjetër, Kosova obligohet të zbatoj marrëveshjen njëanshëm dhe në rast se Serbia nuk e zbaton, ajo nuk do të mund të bëhet as pengesë për Kosovën, pasi perëndimi njëanshëm do ta avancojë Kosovën në marrëdhëniet ndërkombëtare. E në rastin më të keq, Serbia nuk do e zbatojë, Kosova nuk avancon për shkak të mos pajtimit të Serbisë, kjo e fundit do fillojë një luftë hibride kundër Kosovës dhe do krijohet edhe një vatër e re krize”, deklaron Kuçi.

“Përgjithësisht, mund të ketë një realitet tjetër përtej gjuhës propagandistike që shfaqet në Kosovë dhe Serbi, realitet ky që është në interes të paqes dhe prosperitetit por që është komplet në kontrast të premtimeve dhe propagandave të politikanëve në Kosovë dhe Serbi”, përfundon për “Bota sot” doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Dakordim për Asociacionin?

Kurse, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se tanimë ka një dakordim për Asociacionin e komunave serbe në Kosovë.

“Takimi që pritet të mbahet në mes Kosovës dhe Serbisë është tanimë i përcaktuar sipas planit të sekuencimit nga aneks marrëveshja e Ohrit për implementim të planit evropian për normalizim të raporteve. Tani, mund të thuhet që Kosova dhe Serbia janë pajtuar edhe për mënyrën dhe formën e zbatimit të instrumentit të ri juridiko/politik në Kosovë (Asociacionin e komunave serbe)”, shprehet Shala.

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala

“Arsyeja pse kemi deklarime të tilla është si pasojë e asaj që Beogradi ka kërkuar kohë që plani të bëhet i ditur pas përmbylljes së procesit zgjedhor me 17 dhjetor për të mos shkaktuar ndonjë impakt në këtë pjesë. Dhe, deri atëherë do të mbetet sfiduese sfera e sigurisë ku sa më afër datës së zgjedhjeve të Serbisë, mund të presim zhvillime në terren për të përçuar mesazh politik edhe për politikën e brendshme por edhe asaj të jashtme të Serbisë në raport me Kosovën”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat