“Parti minoritare me një autobus njerëzish”/ Analistët: Propaganda e Molliqajt për asociacionin, shpifje hakmarrëse kundër Kurtit

Politika

“Parti minoritare me një autobus njerëzish”/ Analistët: Propaganda e Molliqajt për asociacionin, shpifje hakmarrëse kundër Kurtit

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 15 nëntor 2023 Në ora: 10:13
Aksioni i PSD-së

Partia Socialdemokrate të hënën që kaloi zhvilloi një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke shfaqur pakënaqësitë e tyre me qeverinë Kurti.  

Ata zëvendësuan flamurin e Kosovës me një improvizim të një flamuri me dy yje dhe ku komunat me shumicë serbe theksohen me ngjyrë të bardhë në hartën e territorit të vendit.  

Ata më këtë dëshmuan kinse “zhbërjen e pavarësisë së Kosovës| me pranimin e draftit të statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe.  

Kurse, vet i pari i kësaj partie, Dardan Molliqaj kishte thënë se drafti i Asociacionit i pranuar nga Kurti e zhbën pavarësinë e Kosovës.  

“Drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe i pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe presidenti i Serbisë në thelb e zhbën Republikën e 17 shkurtit të shpallur si shtet të pavarur, qytetarë dhe multietnik. Nga sot jo vetëm që e zhbën Republikën e si koncept, ku qytetarët janë të barabartë pa dallim etnie dhe kombësie, tani zhduket barazia mes qytetarëve të cilat kanë qenë të shprehura në simbolet e shtetit të Kosovës, përmes yjeve. Secili yje ka përfaqësuar një etni në këtë shtet të themeluar së bashku”, tha ai.  

Mehazi: PSD-ja e Molliqajt është parti e zhurmave  

Profesori Sulejman Mehazi në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se Dardan Molliqaj me veprimet e tij shpreh vetëm xhelozinë politike ndaj Kurtit.  

Image
Sulejman Mehazi

Sipas tij, partia që udhëheq ai është parti e zhurmave.  

“Kreu i Partisë Socialdemokrate Dardan Molliqaj, ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, vetëm që shpreh xhelozi politike për shkak fundërrinës së partisë së tij PSD-së e cila është parti e rrugëve për të bërë spektakle e jo veprime politike, qytetarët e kanë të qartë se forca e Dardan Molliqajt është vetëm për të mbledhur një grup të vogël miqsh për të dalë në rrugë apo para Kuvendit të Kosovës për të bërë zhurmë, PSD-ja e Molliqajt është parti e zhurmave, protestave e tubime për të bërë shfaqje teatrale për të zbavitur qytetarët e Prishtinës. Më qesharake është për vetë Dardan Molliqajn i cili del e thotë se kryeministri i Kosovës, Kurti, paskësha pranuar në Bruksel një asociacion konfederatësh dhe se Kurti Kosovën e ka ndarë në dy etni, shqiptare dhe serbe”, thotë ai.  

Sipas tij, Molliqaj po bën propagandë për asociacionet serbe, duke shtuar se atë nuk e dëgjon askush.  

“Molliqaj aq pervez është ndaj qeverisë së Kosovës sa që del e shpif pa farë argumentesh se Kurti me asociacionet e pranuara serbe në Bruksel ka krijuar një republikë serbe edhe pse nuk është publikuar draft-statuti i asociacioneve të pakicës serbe nga asnjëra palë, as nga BE-ja, as nga Kosova dhe Serbia dhe se këtë sekret të asociacionit e paskësha zbuluar fallxhori politik i një partie jashtë parlamentit PSD, Dardan Molliqaj, se, Kurti ka tradhtuar premtimet dhe Kosovën me krijimin "zajednicës" serbe në veri të vendit.  

Propaganda e Molliqajt për asociacionet serbe shpreh shpifje hakmarrëse kundër Kurtit e asgjë më shumë, kot, Dardan Molliqaj aq e ka kaçikun vetëm për të bërë zhurmë kundër Kurtit, pasi se dëgjon kush Dardanin e shoqatës joqeveritare PSD-në”, përfundon ai.  

Mulliqi: PSD mbeti parti minoritare me një autobus njerëzish

Image
Skënder Mulliqi

Edhe analisti Skënder Mulliqi thotë se Dardan Molliqaj ka humbur “busullën” politike që kur është ndarë nga Vetëvendosja.  

“Dardan Molliqaj i PSD-së, prej së është ndarë nga LVV, e ka humbur busullën politike. Nuk po pajtohet me faktin, se PSD –ja të cilën e formoi ai, nuk mund të jetë subjekt i denjë politik karshi LVV, dhe tjetra nuk po pajtohet me faktin e fitores aq të madhe të LVV në zgjedhjet e para dy viteve të jashtëzakonshme. Molliqaj ka menduar të jetë i pari në LVV dhe këtë nuk e arriti. Dhe, kur këtu nuk ja doli mendoj të bëhet lider në një parti sfiduese ndaj LVV, por mbeti parti minoritare me një autobus njerëzish. Nëse Dardani mendon që me PSD-në me kthye kauzën të cilën e kishte dikur LVV, është shumë i vonuar dhe madje edhe shumë i gabuar”, shprehet ai.   

Sipas tij, Albin Kurti po mundohet që marrëveshjet e nënshkruara nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa t’i minimizojë, duke mos lejuar që të formohet asociacioni me kompetenca ekzekutive, por në baze të Kushtetutës së Republikës tonë.  

Derisa, Mulliqi thotë se Molliqajt nuk i intereson asociacioni, por rrëzimi i qeverisë Kurti.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po e bënë të pamundur që mos të kemi një asociacion të tillë, por një asociacion konform normave tona kushtetuese, dhe të formës çfarë e kanë serbët në Kroaci. Kurti por edhe presidentja Osmani këtë gjë e kanë thënë disa herë. As këto fakte Molliqaj nuk dëshiron t’i kuptojë, kur po organizon protesta ndaj Qeverisë Kurti.  

Për ata që sado pak i kuptojnë rrjedhat politike e dinë se Molliqajt nuk i intereson shumë asociacioni i komunave me Shumicë Serbe, siç po pretendon me organizimin të protestave, sa i intereson rrëzimi i qeverisë me çdo kusht. Zaten edhe deklaratat e tija se do të organizojnë protesta në vazhdimësi e deshifrojnë se Dardanit i intereson pushteti, mos i bije edhe atij , ndonjë asht si parti minoritare, nëse vjen puna deri të zgjedhjet e reja nacionale. Ai nuk po e pranon edhe një fakt tjetër, se nuk është më ai politikani që dikur ka pasur privilegje në LVV. Nëse po pretendon që me protesta të detyron, Kurtin të publikojë draft statutin e asociacionit të përfolur nga BE-ja, nuk është në dorën e Kurtit, por është punë ekskluzive e atyre që edhe e kanë paraqitur një draft të tillë. Dardani gabimisht apo më mirë të themi qëllimisht, e për arsye të tjera po kërkon këtë gjë nga kryeministri”, thotë ai.  

Për fund, analisti thotë se Kurti nuk ka pranuar asociacion që Kosova të bëhet me dy etni, e as nuk ka thyer premtimet e bëra.  

E të gjitha mundimet dhe veprimet e PSD-së ndaj Kurtit do t’i shkojnë huq, sepse me veprimet e tij nuk po arrin asgjë.  

“Kurti nuk ka pranuar Asociacion që e përbën shtetin e Kosovës në dy etni. Kjo nuk përkon fare me të vërtetën. Kryeministri nuk ka thye asnjë premtim të dhënë kur bëhet fjalë për “Zajednicën”, se nuk e ka pranuar atëherë, as sot nuk po e pranon një asociacion të tillë. PSD-ja dhe Dardani po shërbehen me propaganda të ulëta, të cilat nuk e shërbejnë të mirës së Kosovës. Dhe, sigurisht se një tendencë për të dalë në sipërfaqe si politikan me organizime të kohëpaskohshme të protestave dhe grafiteve në mure, me pretendime krejt personalizuese, do të shkojnë huq. Edhe PSD si pjesë e opozitës që është, ishte dashur të heqë dorë nga obstrukcionet e tilla politike, por të bëjnë opozitarizëm konstruktiv, që i shërben të mirës për vetë ata, dhe të mirës të Kosovës. Dardani me fyerje politike ndaj Albin Kurtit, që për shumë kohë ishin bashkë në LVV, nuk arrin asgjë, madje vetëm sa ja shton edhe më shumë votat në zgjedhjet herë do kur që do të mbahen, e PSD nuk do të kalon as pragun zgjedhor”, përfundoi ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat