Tha se Kurti e ka të ndaluar të shkojë në SHBA/ Memli Krasniqit i vjen kundërpërgjigjja e ashpër

Politika

Tha se Kurti e ka të ndaluar të shkojë në SHBA/ Memli Krasniqit i vjen kundërpërgjigjja e ashpër

Nga: P.R. Më: 15 nëntor 2023 Në ora: 22:09
Memli Krasniqi/ Albin Kurti

Gjatë ditës së djeshme, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se kryeministri, Albin Kurti e ka të ndalur të shkojë në SHBA.

“Pse s’ka shku atje, unë kam shkuar atje, ata kanë anuluar takimet në SHBA. A ka më dhimbshëm që sot BE-ja vendos me ja hap negociatat Ukrainës që është në luftë. Bjellorusisë që ka probleme si ne me veri, Bosnjës dhe që është shumë më e varfër se ne, kurse Kosovës nuk ia trajtojnë as aplikacionin”, tha Krasniqi në një intervistë.

Por ndaj Krasniqit ka reaguar analisti politik, Gani Qarri.

Image
Gani Qarri

“Për habi, pikërisht kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi paska thënë se kryeministri, Albin Kurti e ka të ndaluar të shkojë edhe në SHBA, pa cekur faktin, se edhe nëse kjo ka të bëjë fare me të vërtetën, gjë për të cilën, ai nuk ka ofruar argumente dhe asnjë provë faktike, problemi është pikërisht te asociacioni, të cilin deri më tani, Kurti nuk ka pranuar ta formojë me kompetencat ekzekutive të miratuara nga partia e tij dhe vartësve të PDK-së, nga grupimi besnik i Isa Mustafës në Kuvend”, shprehet Qarri për “Bota sot”.

“Përndryshe shkuarjet në SHBA, veçanërisht ato të udhëheqësve të PDK-së, edhe Memli vet, e di, se nuk kanë qenë çdo herë në të mirën e Kosovës, e për aq më tepër kryetari i grupit, "Ritmet e Rrugës" e di edhe mirë se gjithë të tjerët, se të paktën njëherë, ka ndodhë që ish kryetari i partisë së tij, të kthehet në mes të rrugës dhe zbritet, pa dashje nga Aeroplani me të cilin, ishte nisur të shkonte në Amerikë, siç thuhet për nënshkrimin e marrëveshjes për ndarjen e Kosovës dhe faljen e veriut të vendit tonë, Serbisë hegjemoniste”, shprehet Qarri.

Më tej, ai thotë se Memli Krasniqi nuk e ka ende guximin të distancohet nga ish kryetari i tij, Hashim Thaçi, i cili haptas synonte ndarjen e Kosovës.

“Faljen e tokave më jetike të shtetit të Kosovës ku bën pjesë Ujmani dhe minierat e Trepçës, pa të cilat vendi ynë nuk mund të mbijetojë, por që Thaçi nuk e kishte për turp, që ta quante publikisht edhe tokë të "Rankoviqit" shprehje të pa dëgjuara brutale, kundër pjesës më jetike të vendit tonë, nga të cilat, as sot Memli dhe të tjerët, nga PDK, nuk kanë guxim të distancohen. Madje sikur mos të mjaftonin aventurat e kuislingut Hashim Thaçi dhe ish kryeministrit të PAN-it, Ramush Haradinaj, të cilët edhe ishin strumbullarët kryesorë të të gjitha akteve më tronditëse të shitjes së tokave tona, që nga falja e 2500 hektarëve tokë të Kosovës FYROM-it dhe 8300 hektarëve tjerë, shtetit xhuxh të Malit të Zi, si dhe aventurave meskine, duke paguar edhe firma të huaja për ndarjen e Kosovës, avazi kobzi i udhëheqësve të PDK-së, veçanërisht nga Ramë Buja, Vlora Çiktaku e ndonjë "udhëheqës" tjetër me nam i PDK-së, si Enver Hoxhaj, me kërkesat renegate për formimin e asociacionit një etnik serb dhe ndarjen e Kosovës, kanë vazhduar deri këtë vit, kur nga SHBA u tha prerë, se nuk pajtohen me ndryshimin e kufijve aktual të shteteve në rajon”, thekson Gani Qarri.

Qarri e quan pervers sulmin e Krasniqit ndaj Kurtit, pasi sipas tij, ishin pikërisht njerëzit e PDK në listën e zezë.

“Prandaj deklarata e Krasniqit si udhëheqës i një partie, që edhe kundër ish këshilltares së ish presidentit të tij, Dhurata Hoxha, Prokuroria Speciale e Kosovës në vitin 2021,ka ngritur aktakuzë publike për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, duke paguar me mbi 168 mijë euro firmën franceze Majorelle PR & Events, që me parat e taksapaguesve të Kosovës, të lobojë edhe në kryeqytetet e Fuqive të Mëdha, për ndarjen e Kosovës, gjë që nuk ka ndodhur askund në glob, në mungesë të ideve progresive për veten, partinë që drejton dhe vendin, i përhumbur nga humnera ku kanë rënë, kjo është edhe një tentim pervers më tepër, për ta sulmuar Kryeministrin Kurti, kur dihet mirëfilli se pikërisht njerëzit e PDK-se, ishin dhe janë në listën e zezë të SHBA-ve, nëse jo për kooketimet me Millan Radojçiqin dhe kriminelët tjerë serb, sigurisht jo, për punët e “mira” që ata kanë bërë!”, përfundon për “Bota sot”, analisti Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat