“Luftë në Kosovë?”/ Avokati shqiptar zbërthen deklaratën e fortë të Zelenskyt: Kjo aventurë të çon në luftë botërore!

Politika

“Luftë në Kosovë?”/ Avokati shqiptar zbërthen deklaratën e fortë të Zelenskyt: Kjo aventurë të çon në luftë botërore!

Nga: A.M. Më: 16 nëntor 2023 Në ora: 22:58
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky

“Rusia po nxit luftë në Ballkan, në mënyrë që një shtet të sulmojë një tjetër”, kështu deklaroi Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Gjatë një interviste të dhënë për mediat afrikane, presidenti ukrainas bëri thirrje që t’i kushtohet vëmendje më e gjerë rajonit të Ballkanit, pasi siç theksoi, ka informacione se Rusia po planifikon të nisë një luftë për ta larguar vëmendjen nga Ukraina.

E këtë paralajmërim të presidentit ukraians, e komentoi në një prononcim për “Bota sot” avokati shqiptar, Spartak Ngjela.

Së pari, ai u pajtua me faktin se Rusia mund edhe të planifikojë një luftë tjetër për ta larguar vëmendjen e Perëndimit nga Ukraina.

Mirëpo, avokati shqiptar potencoi se luftë nuk mund të shpallet në Kosovë, madje as në Shqipëri.

Image
Avokati shqiptar, Spartak Ngjela.

Për këtë, ai kishte edhe një shpjegim.

“Duhet ta pranojmë se fuqitë agresive, si Rusia, kur kanë hyrë në kriza si pasojë e një lufte pushtuese që kanë nisur, të gjitha kanë shpallur dhe kanë bërë një luftë tjetër, për të larguar vëmendjen e politikës dhe të opinionit publik në Perëndim.

Deri këtu jemi brenda eksperiencës historike.

Por, rasti i Shqipërisë dhe ai i Kosovës, është i mbrojtur plotësisht.

Shqipëria është në NATO, prandaj gjithçka është e pamundur të ndodhë kundër saj, me një agresion rus.

Po Kosova?

Kosova është një shtet që ka dalë nga një luftë të cilën e ka drejtuar Amerika. Atëherë?

Pikërisht për këtë, është pamundësi absolute që Rusia të godasë forcat ushtarake që kanë krijuar me të drejtë shtetin e dytë shqiptar në Ballkan”, deklaroi ai.

Sipas avokatit shqiptar, bazuar në argumentet e përmendura, nuk mund të tërhiqet vëmendja me një luftë në Kosovë, pasi një aventurë e tillë do dërgonte në një luftë botëror.

Si përfundim, ai potencoi se as që mund të bëhet fjalë për një luftë në Kosovë.

“Është fakt historik që ky shtet i dytë shqiptar ka dalë nga një luftë që është miratuar në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Prandaj, as në Shqipëri dhe as me Kosovën, për arsyet që përmendëm, nuk mund të "tërhiqet vëmendja" me një luftë kundër tyre, se kjo aventurë të çon në një luftë botërore:

E pra, kjo kohë është koha e shqiptarëve që erdhi në histori pas 500 vjetësh.

Por, a mund të rrezikohet ndonjë zonë tjetër gjeografike që mund “ta largojë vëmendjen” nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës?

Këtë nuk mund ta përjashtojmë. Por, për Shqipërinë dhe Kosovën, për arsyen argumentuese që shprehëm, as që mund të bëhet fjalë” përfundoi Spartak Ngjela për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat