Paralajmërohet përplasje e fortë mes Thaçit e Veselit në Speciale, Mehmeti tregon arsyen

Politika

Paralajmërohet përplasje e fortë mes Thaçit e Veselit në Speciale, Mehmeti tregon arsyen

Nga: P.R Më: 19 nëntor 2023 Në ora: 10:01
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Në Gjykatën Speciale po vazhdon gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit e të tjerëve, të cilët ndër tjerash, Gjykata Speciale i akuzon edhe për vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovë.

E gjatë javës së kaluar, dëshminë e tij e dha ish-eprori i UÇK-së, Sadik Halitjaha.

Gjatë dëshmisë së tij, Halitjaha u përplas me Kadri Veselin, përmes avokatit të tij.

“Tjetra që dua të iu them ditën që më keni nxjerrë jashtë ka qenë paradjeshit, z.Emmerson ka bërë digresion kundër meje si duket me ndikimin e Kadri Veselit se ashtu erdhi ajo asistentja me një letër, ka thënë se unë jam i shantazhuar. Se pasna pas dhanë urdhër me u dhanë një burrë e dy gra me u vra, koka kanë ankuar që pse nuk kam unë avokat. Kisha dashtë juve të ju drejtohem jo avokatit se ai për mua ishte thikë pas shpine. Ai duhet ta sqarojë drejtë dhe të jetë fer jo të bëjë goditje poshtë brezit. Të jetë fer le të tregojë ku është urdhri, ku e ka pa, ku e ka ni. Ku e ka atë kopje të urdhrit. Nuk duhet të thotë i shantazhuar, sepse kurrë në jetë nuk kam qenë i shantazhuar. Mund të më vrasin, por të më ligin e të më shtantazhojnë le ta harron avokati e Kadria që e porositi me thanë ashtu. Nuk kam dashur ta harxhoj buxhetin e Kosovës, sepse pare të majme po merr Emmerson. Njëherë le ta sqarojmë këtë punë, e vazhdojmë pastaj betejën”, tha Halitjaha.

E sipas analistit Faton Mehmeti, kjo nuk do të jetë përplasja e parë që pritet të ndodhë në Speciale.

Image
Faton Mehmeti

Madje ai paralajmëron përplasje të ashpër mes Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Krejt kjo sipas Mehmetit ka të bëjë me vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovë.

“Patjetër se ka dhe do të ketë përplasje mes dëshmitarëve dhe të akuzuarve dhe kjo u pa në rastin e dëshmitarit Sadik Sadikjaha. Po ashtu pritet të ketë përplasje edhe mes vet të akuzuarve kur procesi të jetë kah fundi dhe kur pak a shumë do të shihet epilogu në horizont për secilin nga të akuzuarit”, shprehet Mehmeti.

“Në veçanti pritet të ketë përplasje mes Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit për dhënien e urdhrave që nga paslufta, sidomos kur bëhet fjalë për vrasjet e pasluftës. Aty do të ketë përplasje për të hedhur përgjegjësitë te njëri-tjetri, dhe përplasjet mund të jenë të forta”, deklaron Faton Mehmeti.

Për fund, Mehmeti paralajmëron shumë befasi gjatë procesit gjyqësor që po zhvillohet në Speciale.

“Me pak fjalë, ky proces do të sjellë shumë të papritura, intriga dhe befasi. Më delikat do të jetë procesi për vrasjet e pasluftës mes dëshmitarëve dhe vet të akuzuarve”, përfundon për “Bota sot”, analisti Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat